Kompania “Homeplan sh.p.k.”, e themeluar në vitin 2008 nga Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi dhe Xhimi Begeja, kishte për qëllim zhvillimin e projektit të ndërtimit në kompleksin e ish-Partizanit. Malltezi, i cili fillimisht investoi vetëm 45,129 euro, përfitoi më shumë se 5 milionë euro, duke shfrytëzuar lidhje të forta me pushtetin e kohës, veçanërisht me Sali Berishën dhe familjen e tij.
Hetimet nga SPAK kanë zbuluar abuzime me kontratat dhe pasuri të dyshimta, ku Malltezi ka përfituar më shumë se i takonte, duke përdorur lidhje familjare dhe politike për të shfrytëzuar tokën dhe përfitimet nga ndërtimi. Pjesë e hetimeve janë edhe pagesa të dyshimta, si “Kontribut Patriotik” dhe pagesa për “Policinë Ndërtimore”, që dyshohet se kanë lidhje me korrupsionin dhe pastrimin e parave përmes projekteve ndërtuese, duke e bërë të mundur mbulimin e shpenzimeve të mëdha për familjen Berisha.
Për më tepër, akuzat janë të lidhura me mundësinë e pastrimit të parave dhe ndikimin e mundshëm të Sali Berishës, për të cilin ende mbetet një sfidë e madhe për hetuesit të provohet lidhja e tij direkte me këtë skemë. Nëse nuk provohet ndihma e ish-kryeministrit në këto veprime, edhe akuzat ndaj Malltezit mund të bien, duke i dhënë fund hetimeve për korrupsion dhe abuzim me pasuritë e shtetit.
Rrugëtimi i “Partizanit”

Në kulmin e pushtetit të Berishës, i cili ishte në kërkim të mandatit të dytë të cilin e mori në koalicion me LSI-në e Ilir Metës, rrugët ishin të “shtruara” për zhvillimin e truallit të ish-kopleksit Partizani. Në këtë moment rishfaqet me rol kryesor Jamarbër Malltezi që në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi dhe disa të tjerë me kuota të vogla hapin kompaninë “Homeplan sh.p.k”. Vetë Malltezi investon vetëm 45,129 euro kapital në këtë shoqëri, por në fund, sipas hetimeve të SPAK por edhe verifikimit të kontratave, akteve noteriale dhe lëvizjes së vlerave monetare nga shitja e apartamenteve të verifikuara nga “shteg.org”, rezulton se Malltezi përfiton vlera të mëdha në shifrën e rreth 5 milionë eurove.
Nga ai moment e në vijim, Jamarbër Malltezi dhe bashkëshortja e tij Argita, vajza e Berishës, shfaqen si “dhurues” të shumave të konsiderueshme, huash, pagesash shëndetësore, pushimesh e madje edhe pagesa të mëdha për avokatët që morën përsipër të hapnin proces gjyqësor kundër vendimit për shpalljen “non grata” të Sali Berishës nga SHBA dhe Britania e Madhe.
Shoqëria “Homeplan” është formuar fillimisht me një marrëveshje verbale midis Fatmir Bektashit, Jamarbër Malltezit dhe Xhimi Begejës, me qëllim që të vepronte si shoqëri investitore për ndërtimin e projektit në kompleksin “Partizani”. Sipas dëshmive të Bektashit, kjo shoqëri është formalizuar juridikisht vetëm në vitin 2014, pas privatizimit dhe marrjes në dorëzim të objekteve.
Homeplan u themelua më 02.10.2008 mes zhvilluesit Fatmir Bektashi, Jamarbër Malltezit dhe Xhimi Begesë të titulluar “Akt-Marrëveshje për pjesëmarrje në investim ndërtimi të Kompleksit Begeja 6000”. Palët ranë dakord se investimi mes tyre do të ndahej në raportet respektive 40% Bektashi, 35% Malltezi dhe 25% Xhimi Begeja.
Akuza argumenton se Malltezi me një investim minimal, – ndërkohë që investuesi kryesor ka qënë Fatmir Bektashi, – rezulton përfituesi më i madh i gjithë procesit të kthimit dhe zhvillimit të ish-Kompleksit Partizani.
Bektashi ka theksuar se, megjithëse ai ishte ortak i vetëm në fillim, Malltezi dhe Begeja u bënë përfitues maxhoritarë të shoqërisë duke kontrolluar 60% të kuotave, ndërsa ai mbante 40%.
Ai ka pohuar se roli i Malltezit dhe Begesë ishte kryesisht në bindjen e pronarëve të tokës për të nënshkruar marrëveshjet e ndërtimit, pa kontribuar financiarisht në shoqëri.
Një dorë nga Berisha

Akuza pretendon se mënyra se si Malltezi ka ”investuar” në sipërmarrje ka qenë duke bashkëpunuar me vjehrrin e tij, Sali Berishën, për të lëvizur fijet e pushtetit që mundësuan privatizimin e shpejt dhe ndërtimet në ish-Kompleksin Partizani.
Kur ka ardhur koha që të bëhet konvertimi i pronave në pjesët takuese të ndërtimit, ai ka marr në formë prone nga trashëgimtarët e tjerë, hakën e të dyve.
Për të justifikuar mospërputhjet palët pronare kanë nënshkruar herë kontrata blerje pronash, herë kontratë dhurimi e kur ka ardhur momenti të bëhej konvertimi në ndërtimet respektive, është gjetur një formë që Malltezi të përfitonte më tepër seç i takonte.
Në njërin rast, ai akuzohet se ka abuzuar me tagrat e përfaqësimit të motrës së gjyshes, Nusret Kaçuri, kur në 2010 kjo e fundit ka vendosur t’i falë një pjesë prone, – të cilën ia kishte zotuar ndërtuesit ndërkohë – 8 nipërve e mbesave, mes tyre edhe Jamarbër Malltezi.
Fillimisht hidhen hije dyshimi mbi firmën e Kaçurrit në kontratën e dhurimit, që shtohen në momentin që ndërtimet regjistrohen po në emër të saj, jo trashëgimtarëve të rinj.
Çështja ka përfunduar edhe në gjykatë për shkak se njëri nga trashëgimtarët, Ermira Rizvanolli, pretendoi se nuk kishte firmosur për dhurimin e nuk i ishte caktuar pjesa e ndërtimit që duhet të merrte. Por, në fund, Gjykata e Apelit pranoi argumentin e palës së paditur se pjesët e ndërtimit nuk mund t’u caktoheshin trashëgimtarëve në kontratën e dhurimit, pasi në momentin e dhurimit ndërtimet nuk ekzistonin e ligji nuk i njihte sepse nuk ishin regjistruar. Malltezi, në komentet e dërguara për “shteg.org”, risolli të njëjtin argument kur u pyet mbi episodin.
Më pas ndodh që kontrata e dhurimit korrigjohet, por pa praninë e Kaçurrit, duke ndarë pjesët takuese te nipërit e mbesat. Të njëjtët vendosin t’ia falin pjesët e dhuruara Malltezit e kushuririt të tij, Xhimi Begesë, e kur bëhet përpjestimi i pronës mes të dyve, Jamarbri merr tepricën.
Të gjitha këto kapërcime kanë për qëllim fshehjen e burimit të të ardhurave sipas Prokurorisë së Posaçme.
“Kontribut Patriotik”

Nga sipërfaqja takuese fillestare që ai zotëronte si trashëgimtar i familjes Begeja prej diçka mbi 190 m2, Malltezi ka investuar edhe rreth 550 mijë euro për të blerë nga pronarët e tjerë edhe rreth 2000 m2 pronë. Por, sipas Prokurorisë, edhe me pronat e shtuara, përfitimet e Malltezit në ndërtime nuk përputhen. Bazuar mbi ndërtimet e regjistruara në Kadastër në emër të tij, rezulton se ai ka përfituar një diferencë prej mbi 4000 m2 ndërtime më tepër seç i takonin.
Ai akuzohet se ka përfituar gjithsej 5,9 milion euro mes vitit 2011 e 2022, në formën e dividentit si aksioner në kompaninë Homeplan, si dhe në natyrë, në formën e ndërtimeve. Malltezi akuzohet gjithashtu se ka dashur të fsheh burimin e paligjshëm të këtyre të ardhurave, duke u deklaruar formalisht aksioner vetëm në fund të vitit 2018, ndonëse ai dyshohet se ka marr divident prej vitit 2011.
I pyetur nga “shteg.org” për tepricën e përftuar, Jamarbër Malltezi deklaroi se nuk kishte tepricë, por se kishte marrëveshje me Bektashin që pagesa do të kryej përmes mbajtjes së dividentit nga kompania dhe se SPAK nuk ka marr në administrim gjendjen e rakorduar financiare të kompanisë.
Nga ana tjetër, një nga linjat hetimore më rënduese lidhet me disa pagesa të gjetura në kompjuterin e studios së kontabilitetit Pustina, që janë herë të emërtuara “Kontribut Patriotik”, herë thjesht “KP” e që dyshohet se përbëjnë mitën që ndërtuesi Fatmir Bektashi ka dhënë për disa persona, përfshi edhe Malltezin vetë, për kapërcim të vështirësive që mund të kenë dalë ndër vite për zhvillimin e projekteve ndërtuese.
Disa pagesa janë të emërtuara nominalisht, – si në rastin e një apartamenti blerë prej Marin Biçokut, por që SPAK nuk është i bindur se ai e ka paguar, – apo pagesa e Fatmir Bektashi ndaj Genci Jahollarit një ish-punonjës i policisë ndërtimore. Pagesa të tjera janë të emërtuara si “Policia Ndërtimore” e “INUK”, që datojnë në vitet 2010-2012 në kohën që pronarët Begeja hasën në disa raste rezistencë në boshatisjen e banesave e ku kërkuan ndihmën e policisë.
Me të njëjtën etiketë janë regjistruar edhe pagesat e bëra nga Fatmir Bektashi për Jamarbër Malltezin në 2011, gjatë kohës që merrej leja në bashki për kompleksin Magnet, pastaj sërish pagesa “për Bashkinë Tiranë” në 2013, pagesa të papërcaktuara mirë në 2015 dhe një pagesë 14 mijë euro për “KP për kontroll tatimor” në prill 2016, periudhë gjatë së cilës Drejtoria e Tatimeve ka ushtruar kontroll në Homeplan, duke deklaruar çdo gjë konform ligjit.
Koncerte dhe lobim

Sali Berisha, së bashku me bashkëshorten, akuzohet se ka përfituar ndër vite, përmes dhëndrit të tij, një vlerë prej 600,000 eurosh mbulim shpenzimesh për arsye të ndryshme (shpenzime ligjore për proceset gjyqësore të hapura jashtë Shqipërisë, shpenzime shëndetësore, pushime etj.).
Po ashtu, vajza dhe dhëndri i ish-kryeministrit kanë paguar rreth 8,599,647.6 Lekë, 24,171 euro dhe 8,225.89 USD për llogari të fondacionit Scaglione, të drejtuar nga znj.Liri Berisha.
Megjithatë, përtej shkeljeve procedurale të panumërta që hetimi ka gjetur ndër vite, sfida më e madhe ngelet të provohet favorizimi nga ish-kryeministri Berisha. Kjo për shkak se e gjithë akuza është ndërtuar në mënyrë të tillë që, nëse nuk arrihen të vërtetohen përtej çdo dyshimi pretendimet kundër ish-kryeministrit, bien automatikisht edhe akuzat ndaj Malltezit si bashkëpunëtor i tij.
Nga ana tjetër, edhe skema e pastrimit të parave mbështetet mbi premisën se ekziston një vepër penale, korrupsioni pasiv, produktet e së cilës janë pastruar. Përndryshe, në mungesë të pretendimeve nga palë të treta, kontratat e shkëmbimit që Malltezi ka nënshkruar me pronarët apo sipërmarrësin janë manifestim i vullnetit të tyre të lirë. Në këtë mënyrë, bie edhe akuza e ndihmës së pastrimit të produkteve të veprës penale ndaj Xhimi Begesë. Njësoj, nëse bie akuza e korrupsionit pasiv, bie edhe akuza për korrupsion aktiv ngritur ndaj ndërtuesit Fatmir Bektashit.
Shoqëria zhvilluese “Homplan sh.p.k” u financua nga viti 2008 deri në 2014 nga Fatmir Bektashi, Shoqëria Kontakt, Jamambër Malltezi, Xhimi Begeja, klientë të tjerë si dhe kredi bankare. Arsyja e financimit ka qenë për të marrë mbrapsht përfitime në formë Cash, shërbim njësie dhe nga kuota për kompaninë. Siç rezulton nga kontrata dhe marrëveshjet, Jamambër Malltezi ka futur rreth 45,129 euro dhe ka përfituar Cash nga (fatura e dividenti) rreth 4,657,775 euro dhe afro 1,250,815 euro përftime nga njësi shërbimi. Po ashtu edhe Xhimi Begeja ka përfituar Cash (fatura e dividenti) rreth 3,354,140 euro dhe nga shitja e kuotave të Homeplan sh.p.k rreth 500,000 euro.
Për Prokurorinë e Posaçme SPAK, fitimet e Jamarbër Malltezit jo vetëm nuk janë në linjën logjike të procesit “investim-fitim”, por e kapërcejnë shumëfish. Jamarbër Malltezi në kompaninë e krijuar “Homeplan” investon 45,129 euro dhe në përfundim të investimit shkon në një fitim tepër të lartë, rreth 5 milionë euro të përkthyera në para cash dhe pasuri të patundshme.
Duke iu referuar kontratave dhe zhvillimit të pronës kompleks pallatesh dhe njësi shërbimi në ish-kompleksin sportiv Partizani, bëhet lidhja midis familjes Berisha dhe Jamambër Malltezit, duke parë shpenzimet e brendshme midis tyre. Në to përfshihen shpenzime shëndetësore dhe pushimet e Liri dhe Sali Berishës dhe hua që i jep Malltezi kunatit të tij Shkëlzenit. Shpenzime konsulente për çështjen e Antony Blinken dhe likuidim faturash të studios ligjore në Britaninë e Madhe për shtetasin Berisha nga familja Malltezi ku vlera shkon në 464,601 mijë euro dhe 153,825 $.
Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.