Ish-deputeti kërkon zëvendësimin e gjobës për shkak të pamundësisë financiare

Avokati i tij argumenton se 900 mijë lekët e vendosura për aksidentin e vitit 2023 duhet të zëvendësohen me dënim me kusht.

57
Ish-deputeti Qani Xhafa
Credits: LSA - Ish-deputeti Qani Xhafa

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Qani Xhafa, i cili ishte gjobitur me 900 mijë lekë për aksidentin e shkaktuar më 11 mars 2023, ka paraqitur sot në Apelin e Posaçëm kërkesën për rishqyrtim të vendimit.

Avokati i Xhafës argumentoi se, për shkak të pamundësisë financiare të klientit të tij, gjoba duhet të zëvendësohet me dënim me kusht.

Në 19 qershor 2025, prokurori Sotir Kllapi e shpalli Xhafën fajtor dhe propozoi dënim me 6 muaj burg, i cili të pezullohej dhe të kthehej në shërbim prove për një vit. Megjithatë, mbrojtja kërkoi konvertimin e dënimit në gjobë, që më pas u vendos nga gjyqtarja Irena Gjoka në shumën prej 9 mijë eurosh.

Vendimi i GJKKO-së parashikon se gjoba duhet të paguhet brenda 10 ditëve nga momenti që vendimi merr formë të prerë. Në dokument theksohet:

“Në zbatim të nenit 53/a dhe 291, pika 2 e Kodit Penal, zëvendësimi i dënimit me burgim prej 6 muajsh me pagimin e një shume prej 900.000 lekësh, duke llogaritur një ditë burgim me 5 mijë lekë, e cila duhet të paguhet brenda 10 ditëve nga momenti që vendimi merr formë të prerë.”

SPAK kishte mbyllur hetimet më 20 mars 2025 dhe e kishte dërguar për gjykim Xhafën, i cili tre muaj më vonë u përball me akuzën për drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt, sipas nenit 291 të Kodit Penal.

Hetimet treguan se Xhafa po drejtonte një “Toyota” në gjendje të dehur në bulevardin “Qemal Stafa” në Elbasan, duke u përplasur me një shtyllë të ndriçimit rrugor.

Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, Xhafa ishte në pritje të fitores për të marrë vendin e Luçiano Boçit në Parlament. Ai kishte deklaruar se do të përfaqësonte denjësisht qarkun e Elbasanit dhe do të mbështeste rrugëtimin politik të paraardhësit të tij.

Eriselda Mikeli
+ posts

Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.