Ish-deputeti socialist pranon akuzat për rrjedhje informacioni dhe korrupsion

Ish-deputeti Jurgis Çyrbja akuzohet për 3 vepra penale, mes të cilave, “Tregim i sekretit shtetëror” në dy raste, “Përkrahje e autorit të krimit” në dy raste të tjera, si dhe “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

26
Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja
Credits: shteg.org - Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, së bashku me të dy të pandehurit e tjerë, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, kanë pranuar gjykimin e shkurtuar për çështjen e tyre penale.

Kjo u bë e ditur gjatë seancës së parë në themel që u zhvillua në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO).

Gjykata, pas vlerësimit të akteve dhe konstatimit se nuk ka dokumente të pavlefshme, vendosi të pranojë gjykimin e shkurtuar për tre të pandehurit, të cilët dyshohen për rrjedhje informacioni sekret dhe korrupsion në zgjedhje.

Nga hetimet e SPAK, është provuar se Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë bashkëpunuar duke koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “SkyEcc”.

Ish-deputeti Çyrbja akuzohet për 3 vepra penale, mes të cilave: “Tregim i sekretit shtetëror” në dy raste, “Përkrahje e autorit të krimit” në dy raste të tjera, si dhe “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Së bashku me të edhe dy të pandehurit e të tjerë, janë nën akuzat “Tregim i sekretit shtetëror”, “Përkrahje e autorit të krimit” Ahmet Masha dhe “tregim i sekretit shtetëror”, “korrupsion  pasiv në zgjedhje” Altin Hajri, ky i fundit ende në kërkim për një tjetër çështje të rëndë, ajo e rrëmbimit dhe zhdukjes së shtetasit Jan Prengës.

Treshja e të pandehurve në këtë gjykim akuzohet se kanë shpërndarë të dhëna sekrete nga sistemi TIMS dhe kanë dekonspiruar Policinë e Shtetit te persona të shpallur në kërkim, përmes platformave të enkriptuara “SkyECC” dhe “Matrix”.

Bisedat e enkriptuara kanë zbuluar se Jurgis Çyrbja, i ka ofruar dhe premtuar të pandehurit Altin Hajri, se do të ushtronte ndikim tek agjencitë e zbatimit të ligjit (polici dhe prokurori), në këmbim të mbështetjes elektorale.

Janë faktuar 8 episode gjatë periudhës 1 Maj 2020 deri më 8 Mars 2021. Të akuzuarit janë vënë në dijeni të të dhënave në sistemin “TIMS”, mbi një person të shpallur në kërkim, si edhe të disa informacioneve sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, thotë SPAK.

Këto informacione lidheshin me planet e Drejtorisë së Policisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por edhe në Qarkun e Durrësit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim, për kryerjen e elementëve të veprave penale në kuadër të krimit të organizuar.

Një tjetër element që del në pah nga hetimet e SPAK, është fakti që Altin Hajri dhe persona të tjerë komunikonin në platformën “Matrix” pas arrestimit të Jurgis Çyrbes dhe Ahmet Mashës gjatë periudhës Tetor-Dhjetor 2024. Në këto komunikime janë evidentuar edhe takimet me punonjës të policisë të cilët kanë informuar për aksionet e bluve.

“Nga përmbajtja e komunikimeve evidentohet njohja mes të pandehurve, pohimi i përmbajtjes së komunikimeve të zhvilluara mes tyre me anë të platformës së enkriptuar “SkyEcc”, si dhe veprimet e paligjshme të kryera në episodet objekt akuze, ku janë pohuar dhe vendtakimet që kanë realizuar me punonjësit e policisë, të cilët i kanë informuar edhe për operacionet e zhvilluara për kapjen e personave në kërkim”, thotë SPAK.

Jurgis Çyrbja u arrestua më 20 Tetor 2024 me urdhër të SPAK. Ai ka qenë deputet i Kuvendit për dy mandate, dhe ka dhënë dorëheqjen nga mandati në Tetor të vitit të kaluar, në kohën kur hetimet e SPAK kishin hyrë në fazën përfundimtare.

Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme u arrestua të njëjtën mbrëmjen edhe personi i dytë që akuzohet për të njëjtën çështje, Ahmet Masha ku sipas verifikimeve rezulton të jetë kunati i vëllait të sh-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.