It’s the cocaine stupid!

83
Grupet kriminale
Credits: shteg.org

Më tërhoqi vëmendjen një lajm dje i cili i jepte pompozitet aktit të shkarkimit të një zv. Ministri nga ana e Ministres së Brendshme sepse ky i fundit ishte kapur duke pirë duhan në një ambient të mbyllur publik.

E para Ministrja duhet të sqarohet me të parin e vendit sepse tagrin për shkarkimin dhe emërimin e zv. Ministrave i ka ai e jo ajo.

Por ky detaj ka pak rëndësi, ajo që ka rëndësi është mesazhi që e dashura Ministre na dha që ditën e parë të punës.

Shqipëria është cilësuar si vendi më problematik në kontinent për sa i përket dimensioneve që ka marrë krimi i organizuar. Cilësim ky i bërë nga një seri institucionesh evropiane dhe të SHBA por edhe nga organizata të ndryshme jo qeveritare apo nga qeveritë e ndryshme si Anglia, Belgjika, Hollanda etj.

Shqipëria po ashtu cilësohet si porta kryesore hyrëse e kokainës e cila pasi përpunohet në laboratorët e ngritura në cepat e vendit, dërgohet më pas në të gjithë Evropën.

E sigurisht që këto fakte kanë disa pasoja të tmerrshme për vendin, sepse biznesi në fjalë qarkullon miliarda euro në vit, para të cilat hyjnë në ekonomi duke krijuar konkurrencë të pandershme, inflacion të paarsyeshëm të çmimeve (sidomos të real-estate që përdoret më pas si mjet pastrimi parash).

Pasojat janë edhe më të tmerrshme në aspektin social, ku modelet me të cilat rriten të rinjtë tashmë janë fytyrat e gangsterave që bredhin me mjete të shtrenjta, trafikojnë drogë dhe vrasin njëri tjetrin apo rivalët rrugëve të Evropës. Bandat luftojnë hapur me njëra tjetrën dhe shumë shpesh kemi qenë dëshmitarë të krismave në mes të ditës e në mes të sheshit ku qytetarë të pafajshëm kanë humbur jetën.

Akoma më keq janë pasojat politike, ku si pasojë e fuqizimit të bandave apo karteleve më saktë  dhe sistemit rajonal elektoral, personazhe të panjohur dalin njerëzit më të votuar në vend dhe është e pamundur të shënosh dot ndryshim në rezultat zgjedhor aty ku varfëria është e madhe sepse çunat të shfaqen me thasë me lekë disa ditë para zgjedhjeve dhe mbyllin çdo shpresë, për të mos folur për presionet, eurot që hidhen për të blerë media, për të kryer manovra elektorale lokale apo kombëtare etj etj.

Me pak fjalë, Shqipëria ka një problem serioz me krimin e organizuar të cilin me sa duket Ministrja jonë e Brendshme ka vendosur ta zgjidhë me luftën kundër duhanit.

I imagjinoj që tani telashet që do heqin çunat e bandës së Çelajve në Elbasan, apo ata të Bajrajve në Shkodër, apo çunat e Fierit apo Vlorës, kur policia tua mësyjë lokaleve, ku ata shkojnë mbrëmjeve mbasi kanë mbaruar tregtinë e drogës dhe gjuetinë e kundërshtarëve, dhe ti gjobisë të gjithë për duhan-pirje në ambiente publike.

E me siguri, ashtu si lajmi i shkarkimit të bujshëm të zv. Ministrit duhanpirës, edhe ky aksion do të jepet live në të gjitha tv, në fb, insta dhe tik tok e me siguri do të ketë edhe debate me të ftuar specialë mes të cilëve mund të rastisë edhe ndonjë ekspert i ftilluar, me siguri i huaj apo i shkolluar jashtë, i cili pasi do durojë betejën mes atyre që e duan më të ashpër dhe atyre që e duan më të butë betejën kundër duhanit, do të bërtasë në anglisht:

hey, it’s the cocaine stupid!

Besjan Pesha
+ posts

Besjan Pesha është një studiues i shkencave politike dhe njohës i mirë i politikës në rajonin e Ballkanit. Ai ka mbaruar Masterin për Shkenca Politike pranë Universitetit të Tiranës dhe ka një eksperiencë të gjatë si aktivist i shoqërisë civile, duke filluar me themelimin e Lëvizjes Mjaft e më pas me themelimin e Nismës Thurje.
Besjani gjithashtu ka një eksperiencë në politikën aktive si edhe në qeverisje ku ka shërbyer në disa pozicione të rëndësishme përgjatë viteve 2007-2013.
Së fundmi ai punon si konsulent politik në rajon dhe gjatë kohës së lirë kontribuon për shteg.org.