Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK), ku dëshmoi në procesin gjyqësor e njohur si dosja “5D”.
Në fjalën e tij para trupit gjykues, Këlliçi deklaroi se të gjitha informacionet mbi aferën i kishte siguruar gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të marsit 2023, kur kandidoi për kryetar bashkie në Tiranë.
Sipas tij, përmes skemës së kompanisë “5D Konstruksion” janë përfituar në mënyrë abuzive rreth 25 milionë dollarë.
“Gjithë informacionin e kam marrë në shkurt-mars 2023, e kam dorëzuar si provë në organin e akuzës. I qëndroj denoncimeve dhe përllogaritjeve tona që tregojnë se 25 milionë dollarë janë përfituar nga kjo aferë,” – u shpreh Këlliçi.
Deputeti shtoi se dokumentacioni i parë i ka mbërritur dorazi, në një zarf, ndërsa më pas kreu verifikime në QKR për të provuar lidhjet e kompanisë me zyrtarë të bashkisë.
Në dëshminë e tij, Këlliçi përmendi fillimisht tre ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës, Redi Molla, Taulant Tusha dhe Mariglen Qato, si pjesë e skemës korruptive.
Ai shtoi se gjatë hulumtimeve u ndesh edhe me emrat e Arbjan Maznikut dhe Alqi Bllakos, të cilët përfliteshin në media dhe emisione investigative si pjesë e rrjetit të interesave.
“Skema zbërthehej çdo ditë, si nga media, ashtu edhe nga hetimet e mia personale. Konfliktet e interesit dhe përfitimet ishin të dukshme,” – theksoi ai.
Dëshmia e Këlliçit provokoi debat me mbrojtësit e të akuzuarve.
Avokati, Denion Bogdani, i cili e provokoi Këlliçin duke e pyetur nëse do të kandidonte sërish për Bashkinë e Tiranës “tani që Redi Molla është në burg dhe nuk ia vjedh dot votat”.
Pyetja u konsiderua provokim nga gjykata, e cila gjobiti avokatin me 20 mijë lekë dhe e paralajmëroi për përjashtim nga seanca.
Ky nuk është rasti i parë që Belind Këlliçi përballet me SPAK për çështjen “5D”. Në korrik 2024, ai depozitoi kallëzim penal ndaj ish-kryebashkiakut Erion Veliaj dhe nënkryetarit Arbjan Mazniku, duke i akuzuar për firmosjen e tenderëve dhe lejeve të ndërtimit që, sipas tij, i hapën rrugë prishjes së 13 pallateve, duke lënë qindra qytetarë pa strehë.
Përveç Këlliçit, në seancë u thirrën edhe dëshmitarë të tjerë, mes të cilëve Arbjan Mazniku, Dritan Kadiu dhe Gazment Haxhia.
Ndërsa ekonomisti Ergys Senka, pranoi para gjykatës se kishte marrë pjesë në procedurën për projektin “5D”, por pretendoi se nuk mban mend detaje të kontratës për shkak të problemeve familjare dhe se punimet ia kishte lënë kompanisë “Vas Konstruksion”.
Me argumentimin se po kalonte një periudhë të keqe familjare, Senka u shpreh se punimet e projektit ia la në ngarkesë Vas Konstruksion, ku ka njohur vetëm Muhatmetllarin.
“Aktualisht jam ekonomist në Senka sh.p.k., ndërsa për një periudhë prej 3-4 vitesh kam mbajtur detyrën e administratorit. Në vitin 2020 isha administrator dhe mora pjesë në ndërtimin e një ujësjellësi në rrugën ‘Aleksandër Moisiu’. Pikërisht aty njoha Nestor Muhametllarin dhe prej tij lindi ideja për t’u përfshirë në këtë procedurë. Negociatat u zhvilluan me mua, ndërsa nga ana e ‘Vas Konstruksion’ kam pasur kontakt vetëm me Nestorin. Nuk mbaj mend detaje të hollësishme, as përqindjen e ndarjes së kontratës. Ishte periudha e pandemisë dhe për shkak të një situate të vështirë familjare, mamaja u sëmur, u tërhoqa nga marrëdhënia dhe ia lash punimet kompanisë tjetër. Nga ‘Vas Konstruksion’ kam komunikuar kryesisht vetëm me Nestorin; mund të ketë pasur ndonjë kontakt sporadik me persona të tjerë të zyrës, por nuk kam patur komunikime me zyrtarë të tjerë të kompanisë. Ne si Senka sh.p.k. operojmë në sektorin e ndërtimit të ujësjellësave prej vitit 1994 dhe kemi eksperiencë të gjatë në këtë fushë,” – deklaroi Senka.
Gjykata ka nisur shqyrtimin e dosjes ndaj ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë, pas përfundimit të hetimeve nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK). Në ngarkim të tyre janë ngritur akuza që përfshijnë mosdeklarimin e të ardhurave, korrupsionin dhe pastrimin e parave.
Në një njoftim për mediat, SPAK ka sqaruar se nga hetimet ka rezultuar se ish-Drejtori i Përgjithshëm i shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, Redi Molla, dhe ish-Drejtori i Departamentit Mbështetës i së njëjtës shoqëri, Mariglen Qato, si dhe ish-Kryeinspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë, kanë qenë pronarë “de facto” të kompanisë “5D Konstruksion” sh.p.k.
Hetimet kanë treguar se të pandehurit e kanë zotëruar shoqërinë në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë si ortakë fiktivë në aktet e regjistrimit dhe funksionimit, me të cilët kanë pasur lidhje shoqërore dhe miqësore.
Sipas SPAK, kompania “5D Konstruksion” ka marrë pjesë në tendera të organizuar nga UKT, Bashkia Tiranë, “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”, duke përfituar favorizime nga të pandehurit që ushtronin funksione publike. Përfitimet monetare nga këto tendera janë përdorur për blerjen e pasurive dhe financimin e kompanive fiktive.
Hetimi i SPAK, i nisur në prill 2023, lidhet me veprat penale për të cilat, nëse gjykata i gjen fajtorë, të akuzuarit rrezikojnë dënime deri në 15 vjet heqje lirie.
Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.