Krizë kushtetuese për zgjedhjet në Tiranë

Qeveria kërkon datë për zgjedhjet e pjesshme, por ankimi i Veliajt pezullon procesin ku Presidenti ka vetëm 48 orë për të marrë ose jo një vendim për ta çuar kryeqytetin në zgjedhje të parakohshme.

9
Gjykata Kushtetuese
Credits: Exitnews - Gjykata Kushtetuese

Qeveria shqiptare ka kërkuar nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme për gjashtë bashki, Tiranën, Vlorën, Beratin, Tepelenën, Matin dhe Cërrikun.

Sipas shkresës së firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, “në zbatim të detyrimeve ligjore që burojnë nga Kodi Zgjedhor kërkohet caktimi i datës së zgjedhjeve të pjesshme për kryetar në këto bashki, brenda afateve që përcakton ligji zgjedhor.”

Shkarkimet, dorëheqjet dhe kandidimet për deputetë kanë krijuar vakanca në këto bashki, duke detyruar ndërhyrjen formale të Presidentit.

Por ndërsa për pesë bashkitë periferike duket se procedura është në rregull, Presidenti ka vetëm 48 orë për të marrë ose jo një vendim për ta çuar kryeqytetin në zgjedhje të parakohshme.

Kryebashkiaku i shkarkuar, Erion Veliaj, ka ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese, duke pezulluar automatikisht shkarkimin dhe ndalimin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Veliaj argumenton se vendimi është antikushtetues dhe shkel nenin 115 të Kushtetutës, që përcakton shkaqet për shkarkimin e kryetarëve të bashkive: “Neni 62 i Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës… Shkarkimi mund të merrej vetëm kur të kishte një vendim të formës së prerë.”

Precedentët e mëparshëm tregojnë se procesi mund të zgjasë nga disa muaj deri në dy vite. Rasti i Shukri Xhelilit në Dibër në 2016 përfundoi brenda gjashtë muajve në favor të qeverisë, ndërsa ai i Zef Hilës në Vaut të Dejës zgjati dy vite, me vendim që rrëzoi shkarkimin dhe njohu të drejtën për proces të rregullt ligjor. Kjo situatë krijon pasiguri për zgjedhjet në Tiranë, ndërsa bashkitë e tjera mund të vazhdojnë normalisht procesin zgjedhor.

Përplasja kushtetuese

Erion Veliaj duke dalë nga SPAK
Credits: LSA – Erion Veliaj duke dalë nga SPAK

Vendimi i Këshillit të Ministrave për të kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme vjen pas një periudhe të zvarritjes së vakancave në disa bashki. Për Matin, Tepelenën dhe Beratin, vendet u boshatisën pas kandidimit të kryebashkiakëve për deputetë të Partisë Socialiste, ndërsa në Vlorë dhe Cërrik kryebashkiakët dhanë dorëheqjen për t’u bërë ministra.

Por sa i përket vendimmarrjes për Tiranën duket se institucionet janë futur në një ngërç kushtetues.

Erion Veliaj u ankua në Gjykatën Kushtetuese pas vendimit të këshillit bashkiak për shkarkimin e tij nga detyra.

Ky ankimim, sipas nenit 115 të Kushtetutës, pezullon firmën e kryeministrit Rama për shkarkimin e tij, dhe automatikisht bllokon mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës deri kur gjykata të dalë me një vendim.

Veliaj argumenton se qeveria ka përdorur një interpretim të gabuar të nenit 62 të Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore, duke pretenduar se mosparaqitja e tij në detyrë përbën shkak për shkarkim.

Ai shpjegon se “neni 62 është nxjerrë në bazë dhe për zbatim të nenit 115 të Kushtetutës,” dhe nuk mund të zbatohet i shkëputur nga ky nen, i cili përcakton qartë shkaqet për shkarkimin e kryetarëve të bashkive. Veliaj thekson gjithashtu se çdo akt i pranueshëm nga Kushtetuesja duhet të respektojë parimin e ndarjes së pushteteve dhe të mos krijojë precedentë të rrezikshëm që cenojnë autonominë e mandatit të zgjedhur vendor.

Zyra e shtypit të Kryeministrit Rama nuk komentoi pretendimin kushtetues të ngritur në ankimim e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Duke iu referuar ligjit për të drejtën e informimit, zyra e shtypit sqaroi se ligji nuk sanksionon autoritetet publike “në detyrim për të përgatitur analiza, informacione, për t’ju përgjigjur pyetjeve, për të bërë komente”.

Sipas konstitucionalistëve, në momentin që kryetari i bashkisë e ankimon vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij, atëherë kjo vendimmarrje pezullohet automatikisht. Pra si shkarkimi nga Këshilli Bashkiak, po ashtu dhe vendimi i qeverisë nuk kanë asnjë efekt. Erion Veliaj vijon të jetë kryetari i bashkisë deri në një vendimmarrje përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese. Edhe avokati Jordan Daci pohon se Erion Veliaj nuk mund të konsiderohet i shkarkuar nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës pa një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.

Në një intervistë për emisionin “3D” në RTSH 1 HD, Daci theksoi se “Kushtetuta e ka fare qartë; që bërja e ankimit çon automatikisht në pezullimin e vendimit. Pra, në këtë moment që ne flasim, Erion Veliaj nuk quhet i shkarkuar dhe quhet i shkarkuar vetëm kur të shprehet Gjykata Kushtetuese.”

Ekspertët juridikë paralajmërojnë se “situata e Tiranës mund të mbetet e paqartë për disa muaj, duke krijuar një situatë të ndërlikuar për partitë politike dhe qytetarët, ndërsa bashkitë e tjera mund të vazhdojnë normalisht procesin zgjedhor.”

Gjykata Kushtetuese ka precedentë që tregojnë se vendimet mund të zgjasin shumë, siç ndodhi për Zef Hilën, i cili ankoi shkarkimin në 2019 dhe mori vendim në 2021, duke fituar të drejtën për proces të rregullt dhe pjesëmarrje në vendimmarrje. Kjo tregon se situata e Tiranës mund të mbetet e paqartë për disa muaj.

Ndërkohë, për bashkitë e tjera, ku nuk ka pengesa ligjore, procesi i zgjedhjeve mund të ecë sipas afateve ligjore, duke respektuar njoftimin për shpalljen e zgjedhjeve brenda 45 ditëve nga krijimi i vakancës, siç kërkon Kodi Zgjedhor.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.