Kryetarja e Tropojës nën hetim për favorizim familjar në ndërtimin e urës

Hetimet e SPAK zbulojnë se Zyra Islamaj përdori funksionin e saj për të favorizuar familjarët në ndërtimin e urës, ndërsa ndërtuesi pranoi se projekti u realizua jashtë procedurave zyrtare.

31
Bashkia Tropojë
Credits: shteg.org - Bashkia Tropojë

Ura që lidh 1,190 banorët e fshatit Llugaj me qytetin e Tropojës i kushton karrierën kryetares së komanduar të Bashkisë së Tropojës, Zyra Islamaj.

SPAK akuzon kryetaren e komanduar për korrupsion pasiv, duke favorizuar familjarët e saj në ndërtimin e urës me fonde publike.

Hetimet e prokurorisë tregojnë se kryebashkiakja e komanduar ka përdorur pozicionin e saj për ndërtimin e urës në të mirën e familjarëve të saj që banojnë në fshatin Luzhë, prokjekt ky i buxhetuar nga taksapagusit.

Të dhënat e “shteg.org” tregojnë se më herët ka pasur një projekt për ndërtimit e kësaj ure afro 58 metra të gjatë.

Në vitin 2024 mësohet se ura në fjalë është ndërtuar nga forcat xhenjere të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ishte ish-kryeministri Majko ai që përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook njoftoi për përfundimin e punimeve të suksesshme të urës që lidh banorët e zonës Llugaj të fshatit Luzhë me qytetin e Tropojës.

Sipas njoftimit të prokurorisë zbulohet se autoritet lokale kanë proceduar me një tender të dytë, por që në këtë rast ndërtimi i kësaj ure të çonte te familjarët e kryebashkiakes.

Prokuroria e Posaçme mori sot të pandehur kryetaren e komanduar të Bashkisë së Tropojës, nën akuzë për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione pulike”, pasi hetimet nxorrën në pah se ura u ndërtua në kundërshtim me ligjin, me qëllim favorizimin e familjarëve të Isalamajt që banojnë në këtë zonë.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për këtë procedim penal, rezulton se shtetasja Zyra Islamaj, aktualisht në ushtrimin e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Tropojë, rezulton se është përpjekur përmes një tenderi të hapur, të favorizojë ndërtimin e një ure në dobi të familjarëve të saj” – thuhet ne njoftim.

Prokuroria njoftoi se ka ngritur akuza edhe ndaj ndërtuesit Rrok Gega i cili fitoi tenderin nga Bashkia e Tropojës për ndërtimin e urës e cila u montua më 29 korrik të 2024.

“Zyra Islamaj, ka ndërhyrë tek ndërtuesi, Rrok Gega për të ngritur urën mbi përroin që kalon pranë shtëpisë së motrës së saj. Njëkohësisht planifikoi të angazhonte edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve, punonjës në Bashkinë Tropojë, për ta ndihmuar ndërtuesin”, thuhet në njoftimin zyrtar.

SPAK bën me dije se Gega pranon se ndërtimi i urës nuk ka qenë në procedurat tenderimit duke u shprehur se ai do ia bënte dhuratë Kryetares së Bashkisë Tropojë.

Ndaj pas hetimeve të kryera, Prokuroria kaloi për gjykimin në Gjykatën e Posaçme të shkallës së Parë, ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë dhe ndërtuesin Rrok Gega.

Hetimet ndaj Islamajt nisën më 1 shkurt të këtij viti pasi u ngritën dyshime se ajo shpërdoroi pozicionin e saj për realizimin e kësaj ure.

Zyra Islamaj u zgjodh kryetare e komanduar në Bashkinë e Tropojës shtatorin e 2024, pasi kryebashkiaku i Tropojës Abedin Kerrnaja dhe zëvendësi i tij Rexhë Byberi asokohe u lanë në “arrest shtëpie” nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim.

Masa e arrestit në shtëpi e vendosur ndaj Byberit u zëvendësua me vendimin për “detyrim paraqitje” fillimin e këtij gushti pas kërkesës që zëvendës kryetari i Tropojës paraqiti në Gjykatën e Posaçme.

Eriselda Mikeli
+ posts

Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.