Lot, kërcënime dhe ballafaqime për atentatin e ish-prokurorit

Genci Maloku dëshmon për humbjen e të birit, përballet me Plaurent Dervishajn dhe kërcënimet pas tragjedisë.

47
Plaurent Dervishajn, Genc dhe Andi Maloku
Credits: shteg.org - Plaurent Dervishajn, Genc dhe Andi Maloku

Genci Maloku dëshmoi para Gjykatës së Posaçme lidhur me vdekjen e të birit, Andi Maloku, 23 vjeç, i cili u qëllua gjatë atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja më 1 nëntor 2019. Ai përshkroi telefonatën e fundit me të birin dhe vizitën në Spitalin Ushtarak pas ngjarjes, ku Andi qëndroi i gjallë për shtatë ditë pas plagëve të marra.

Hetimet e SPAK zbuluan një rrjet të gjerë të personave të lidhur me Plaurent Dervishajn, të cilët përmes komunikimeve të koduara në aplikacionin “Sky ECC” kishin organizuar ndjekjen dhe ekzekutimin e atentatit. Si motiv mendohet një konflikt për interesa pronësie dhe influencë në zonën e Gjirit të Lalëzit. Genci Maloku, babai i të ndjerit Andi, dëshmoi para Gjykatës së Posaçme lidhur me telefonatën e fundit me të birin, takimet dhe kërcënimet që pasuan ngjarjen, si dhe përfshirjen e të pandehurit Plaurent Dervishaj.

Në kërkim të drejtësisë

Genci Maloku nuk e kishte imagjinuar kurrë se një thirrje telefonike do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë. Ishte një pasdite e zakonshme kur telefoni i dridhur lajmëroi se diçka e tmerrshme kishte ndodhur.

Në anën tjetër të linjës ishte Andi, djali i tij 23-vjeçar: “Jam keq, o babë… na kanë gjuajtur.”

Babai i Andi Malokut, 23-vjeçarit që humbi jetën në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, rrëfeu përpara Gjykatës së Posaçme dhimbjen e papërshkrueshme për të birin, takimet dhe kërcënimet që pasuan tragjedinë dhe përballjen me një nga të pandehurit, Plaurent Dervishajn.

Me zërin që i dridhej, Genci rrëfeu jo vetëm dhimbjen për humbjen e të birit, bisedat e fundit me të dhe një sërë takimesh e kërcënimesh pas tragjedisë në familjen e tij.

Rrëfimin përballë togave të zeza nisi nga momenti kur i biri e ka telefonuar menjëherë pasi ishte qëlluar, më 1 nëntor 2019, duke iu shprehur se ishte keq.

“Ditën e ngjarjes isha në shtëpi, më mori vetë djali, më tha: jam keq o babë, na kanë gjuajtur. Mendova se po bënte shaka, ishte pasdite sapo u zgjova nga gjumi”, e pas kësaj telefonate Genci Maloku tregon që u nis drejt Spitalit Ushtarak.

Andi, që kishte nisur punë si kamarier dhe më pas ishte bërë shofer i prokurorit Arjan Ndoja për shkak të sjelljes së tij shembullore, kishte rënë viktimë e një atentati të papritur në mbikalimin e Shkozetit. Djali i tij do të jetonte vetëm për shtatë ditë pas plagëve të rënda.

Por gjatë këtyre ditëve, teksa Andi luftonte me vdekjen, i ati duket se ka mësuar sado pak mbi atentatin ku ish-prokurori u qëllua me breshëri automatiku nga një tjetër automjet në lëvizje.

“Djali na tha që po ecnin në autostradë jo shpejt, por na gjuajtën – më tha. Kishte qenë në makinë me prokurorin Arjan Ndoja dhe Rrumin. Djali ndërroi jetë pas 7 ditësh. Pas këtij momenti filloi një tjetër episod vuajtjeje” – u tregoi gjyqtarëve Genci Maloku.

Rrëfimi i babait që humbi djalin në moshën më të bukur të jetës vijoi me takimet me familjarë të tjerë, këshillat e heshtura dhe kërcënimet që i vinin nga të gjitha anët, duke mbushur javët pas ngjarjes me frikë dhe dhimbje.

Ashtu siç në një seancë më parë kishte dëshmuar kryeplaku që “pushoi pushkën”, edhe i ati i të ndjerit tregoi për këtë moment:

“Më kanë ardhur kryepleq nga familja e Redjan Rrajës. Kishin ardhur me porosi të babait të atij djalit, nuk donin të vepronim pa u zbardhur ngjarja. Takimi i parë u bë një javë pasi nuk ishte më djali im. Takimi tjetër u bë në Sukth. I kishte çuar babai i Redjan Rrajës, që derisa të zbardhet ngjarja mos të veprojmë. Kanë ardhur dhe njerëz të Arjol Halilajt, dhe këta për të njëjtën çështje për të pritur të zbardhet ngjarja’’ – vijoi rrëfimi i Genci Malokut.

Dhimbja e tij nuk ishte e vetmja që mbushte sallën e gjyqit, por nevoja për të kuptuar se kush dhe pse kishte qëlluar, u kërkua si i vetmi ngushëllim për Genci Malokun.

“Doja të dija arsyen pse ndodhi. As Arjan Ndoja, as Rrumi nuk e dinin. Më vonë Rrumi më tha se Plaurent Dervishi kishte paguar grupin e tij për atentatin” – rrëfeu Genci.

I pyetur nga av. Ilia Ilia nëse atentati kishte ose jo të bënte me të birin, solli revoltim dhe gjendje tensioni në sallë, mirëpo Genci Maloku i sqaroi mendimet e tij përballë gjykatës:

“Nuk ishte motivi, djali im. Dihet normal, nuk kam gjë çfarë të them, nuk më intereson asgjë, nuk më intereson as Rrumi, as askush. Mua më ka ikur djali 23-vjeç. A mund të ma kthesh djalin?” – iua drejtua me zërin që i dridhej avokatit Genci Maloku.

Nga kafazi i xhamtë, pyetje dhe reagime erdhën nga i pandehuri Plaurent Dervishaj, që fillimisht shprehu keqardhje, duke vijuar me konfirmim të shënjestrës në atë atentat e deri në kërkim për ballafaqim.

“Më vjen keq për djalin e zotërisë dhe Arjan Ndojën sepse janë më të pafajshmit në atë atentat. Kur ta ka përmendur Rrumi emrin tim dhe pse mendon se ta ka përmendur?” – pyeti Dervishaj dëshmitarin.

Maloku tregon si e mori informacionin dhe vijoi me deklarata të kërcënimeve në emër të Plaurentit: “Nuk e di fare, as ai në fillim nuk e dinte, por pastaj nga informacionet që kishte marrë më tha më vonë. Atë periudhë më ka ardhur një mesazh: ‘Si shpesh shkon nga prokuroria?’ e pyeta kush je dhe më tha jam Plaurent Dervishaj”.

Në përfundim të dëshmisë, Maloku kërkoi të shprehte diçka të fundit para gjykatës, e duke iu drejtuar të pandehurit Dervishaj, vijoi të acarohej:

“Kam diçka për të thënë, mirë për djalin tim the se të erdhi keq, po për mua pse ke paguar lekë për të më vrarë?” – këmbënguli të merrte përgjigjie nga Dervishaj.

Ky i fundit, duke u mbështetur në kafaz, i kërkoi takim për t’ia sqaruar në sy “përsëri”:

“Hajde më tako ndonjë ditë andej, e do ta them ballë për ballë. Shko pyet Rrumin se ai të ka thënë që të kam vrarë unë djalin, a të ka thënë ai? Shko pyete” – iu kundërpërgjigj Dervishaj.

Më 1 nëntor 2019, pranë mbikalimit të Shkozetit, u krye atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në Durrës. Në automjetin e tij ndodheshin edhe shoferi Andi Maloku dhe “Rrumi”, të cilët u qëlluan me breshëri automatiku nga një tjetër fuoristradë në lëvizje. Andi Maloku mbeti i vrarë, ndërsa Ndoja dhe “Rrumi” u plagosën rëndë. Automjeti i atentatorëve u gjet i braktisur në fshatin Shkafanë, ku u sekuestruan armë dhe veshje me gjurmë gjenetike të Redjan Rrajës, një prej të arrestuarve.

Zyrtarisht, Prokuroria e Posaçme ka akuzuar 11 persona për atentatin, përfshirë Plaurent Dervishajn, Redjan Rrajën dhe të tjerë. Gjykata e Posaçme ka dënuar Arjol Halilajn me 35 vite burg dhe Redjan Rrajën me burgim të përjetshëm, ndërsa të tjerët presin të gjykohen.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.