Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vijon procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar për “shpërdorim detyre” në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, mgjarje ku humbën jetën 26 persona e mbetën të plagosur qindra të tjerë më 15 mars të 2008.
Në seancën e sotme gjyqësore Fatmir Mediu paraqiti kundërshtimet e tij në lidhje me akt-ekspertiza tekniko-ushtarake.
Ai deklaroi se ushtarakë të lartë të Forcave të Armatosura kishin kundërshtuar këto ekspertiza, duke vënë në pikëpyetje kompetencën e tyre për të arritur në përfundime mbi kalibrat e municioneve.
“Prokurori vetë ka deklaruar në sallë se nuk kishte njohuri mbi kalibrat, pasi është jurist. Procedimi penal, në thelb, është ngritur me qëllim kundër Ministrit të Mbrojtjes, por në fakt ministri nuk merret me çështje teknike-ushtarake. Përgjegjësia i takon Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe strukturave ushtarake. Ministri është civil”, u shpreh Mediu.
Ish-ministrit i Mbrojtjes deklaroi se roli i tij si ministër kufizohej në hartimin e politikave të mbrojtjes dhe ushtrimin e kontrollit civil mbi forcat e armatosura, por jo në menaxhimin teknik të çështjeve të demontimit të armëve.
Sipas tij, ndarja e kompetencave mes autoritetit politik dhe atij ushtarak është e qartë, ndërsa përgjegjësia e drejtpërdrejtë për operacionet e demontimit i përket zinxhirit ushtarak.
Nga ana tjetër, SPAK akuzon ish-ministrin e Mbrotjes se ka shpërdoruar detyrën duke lejuar ngritjen e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, një zonë e banuar, dhe duke shkelur procedurat ligjore të sigurisë.
Prokuroria argumenton se si ministër, Mediu kishte detyrimin të garantonte që procesi të kryhej në përputhje me standardet e sigurisë dhe në vendndodhje të përshtatshme, për të shmangur një tragjedi të tillë.
Prej prillit 2023, Mediu përballet në mënyrë të drejtpërdrejtë me akuzat e SPAK, por ai pretendon pafajësinë pasi sipas tij ngjarje të tilla nuk lidhen me funksionin e tij si ministër por me forcat e armatosura.
Mediu këmbëngul se përgjegjësia ligjore dhe ushtarake nuk i takon një funksionari civil, por zinxhirit komandues të Forcave të Armatosura.
Rihapja e çështjes për tragjedinë e Gërdecit u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, një prej viktimave të shpërthimit në 15 mars 2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.
Dëmet materiale u llogaritën në miliona euro, dhe pasojat shoqërore ishin të pallogaritshme.
Familjet e viktimave, mes tyre edhe ajo e 7-vjeçarit Gerald Durda, kanë qenë zëri më këmbëngulës për rihapjen e çështjes.
Ishte pikërisht iniciativa e familjes Durda që çoi në rifillimin e procesit ndaj Mediut në vitin 2021, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë që njohu të drejtën e tyre për t’u përfshirë si palë civile në proces.
Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.