Gjashtë muajt e parë të vitit kanë qenë të ngjeshur për ekipin ligjor mbrojtës të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e ka të ndaluar të kapërcejë pragun e shtëpisë së tij që nga 30 dhjetori 2023. Ai akuzohet se gjatë kohës kur drejtonte qeverinë, në periudhën 2005-2013, ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, në procedurat e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, proces i cili i siguroi Malltezit një fitim prej rreth 5.5 milionë eurosh.
Berisha nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat e ngritura ndaj tij dhe ndaj bashkëshortit të Argitës, vajzës së tij, dhe nga fundi i vitit të kaluar kërkon lirinë në mënyrë që të ushtrojë mandatin e deputetit të Partisë Demokratike. Të gjitha kërkesat e Berishës, në çdo shkallë të gjyqësorit, janë hedhur poshtë.
Ecejaket proceduriale të masave të sigurisë
Më 30 dhjetor të vitit 2023, ish-kryeministri Sali Berisha u vendos në “arrest shtëpie” nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me kërkesë të SPAK-ut, duke shënuar kështu të parën masë të ashpër sigurimi për një politikan të një profili të lartë në 33 vite demokraci. Më herët Berishës i ishte caktuar masa “detyrim paraqitjeje” dhe i ishte bllokuar pasaporta në mënyrë që të mos dilte jashtë kufijve shqiptarë.
Por detyrimin për paraqitje pranë policisë gjyqësore Berisha nuk e respektoi asnjëherë, duke e konsideruar si antikushtetuese masën e vënë, me pretendimin se SPAK-u nuk i kishte kërkuar fillimisht Parlamentit heqjen e imunitetit të tij. Për heqjen e imunitetit të tij, SPAK-ut i erdhi në ndihmë mazhoranca, e cila, duke pasur “forcën e numrave” në Parlament, votoi më 22 dhjetor 2023 heqjen e imunitetit të Berishës, çka çoi automatikisht në ashpërsimin e masës së sigurimit ndaj tij.
Që prej atij momenti, ekipi mbrojtës ligjor i Berishës i është drejtuar me kërkesa të vazhdueshme Gjykatës së Posaçme të Apelit për heqjen e masës së “arrestit në shtëpi” ndaj Berishës dhe Malltezit, por pa sukses. Deri më sot, të gjitha kërkesat e bëra janë hedhur poshtë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit. Ish-kryeministrit i janë refuzuar edhe kërkesat për të marrë pjesë në seancat plenare në Kuvend, për të ushtruar normalisht mandatin e tij si deputet i Partisë Demokratike.
Procesi gjyqësor ndaj ish-kryeministrit ishte “tatëpjeta e dytë politike” pas shpalljes së tij si “i padëshirueshëm” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2021, nën argumentin se ka kryer “vepra korruptive që minojnë demokracinë në Shqipëri”.
Një vit më vonë, në korrik 2022, Sali Berisha u shpall “non grata” edhe nga Mbretëria e Bashkuar nën akuzën “për lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar, me kriminelë, si dhe korrupsion”.
Hetimet e SPAK-ut

Më shumë se 3 vite më parë, Taulant Balla, asokohe kreu i grupit të Partisë Socialiste, depozitoi në SPAK kallëzimin penal ndaj një prej rivalëve politikë më të egër të tij, Sali Berisha, dhe dhëndrit të këtij të fundit, Jamarbër Malltezi. Hetimet arritën në përfundimin se Berisha kishte kryer “korrupsion pasiv në bashkëpunim” për procedurat që kishte ndjekur në kohën kur ishte drejtuesi i qeverisë në lidhje me privatizimin e terrenit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” në kryeqytet.
Sipas prokurorëve të SPAK, e gjithë skema e paligjshme ishte bërë për të favorizuar dhëndrin e tij, Malltezi. Ish-kompleksi “Partizani”, pronë me rreth 26 mijë m2, në qendër të Tiranës, rezulton se u privatizua në vitin 2008 në vlerën prej 100 mijë dollarësh, çmim nën kosto për zonën (më pak se 4 dollarë/m2). Pas privatizimit, biznesmeni i ndërtimit, Fatmir Bektashi, nën akuzë për “korrupsion aktiv”, ndërtoi aty 17 kulla, ndërtime të realizuara gjatë dy mandateve të qeverisjes së Berishës, 2005-2013.
Kompleksi më i rëndësishëm sportiv i klubit “Partizani” ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Një ndër kundërshtuesit e parë të këtij privatizimi ishte komandanti i Logjistikës në Forcat e Armatosura, Vladimir Qirjazi, i cili asokohe denoncoi tek shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj, se nuk i ishte marrë mendim mbi privatizimin e kompleksit dhe se statusi i pronës ishte i paqartë. Gjeneral Qirjazi, një ndër dëshmitarët kyç të kësaj dosjeje, e kishte pasqyruar përmes shumë shkresave presionin që i ishte bërë për të firmosur, duke përfshirë këtu kërcënimin e hapur nga ish-ministri i Mbrojtjes në ato vite, Gazmend Oketa. Dëshmitë e tij gjatë gjithë kohës së hetimeve kanë vërtetuar ushtrimin e pushtetit të Berishës në favor të dhëndrit të tij, Malltezi, i cili zyrtarisht ishte përfaqësuesi i trashëgimtarëve të truallit që ia shitën tokën Bektashit.
Në përfundim të hetimeve, Sali Berisha u akuzua për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Jamarbër Malltezin. “Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë janë kryer veprime konkrete dhe aktive në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë, ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi”, thuhej në njoftimin zyrtar të SPAK-ut pas përmbylljes së hetimeve.
SPAK konkludoi se Berisha, në cilësinë e kryeministrit të vendit, kishte kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete për zyrtarizimin e procedurave të privatizimit në favor të dhëndrit të tij. Malltezi, që në bazë të përllogaritjeve të prokurorëve të posaçëm, kishte përfituar shumën prej rreth 5.5 milionë eurosh në rolin e “ndërmjetësit” mes vjehrrit, ndërtuesit dhe trashëgimtarëve.