Plumbat kundër prokurorit, dëshmitë e atentatit

Kërcënime, frikë, atentate dhe plagosje me armë, dëshmitë në gjykatë zbulojnë prapaskenat por jo autorët ndaj atentatit të ish-prokurorit Arjan Ndoja.

79
Plaurent Dervishaj dhe Julian Mecaj
Credits: shteg.org - Plaurent Dervishaj dhe Julian Mecaj

Procesi gjyqësor kundër Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçes, të akuzuar për atentatin e 1 nëntorit 2019 ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, vijon të zbulojë prapaskena të errëta, por ende nuk ka sjellë emra konkretë si autorë të ngjarjes. Çdo të premte, dëshmitarë të ndryshëm thirren përpara togave të zeza, duke risjellë në kujtesë tensionet, kërcënimet dhe frikën që mbizotëroi pas ngjarjes së bujshme.

Në seancën e fundit, dëshmitë varionin nga kërcënime të drejtpërdrejta për jetën e familjarëve, tek përpjekje për ndërmjetësime tradicionale për pajtim gjaqesh, deri te rrëfimet e dëshmitarëve okularë që panë nga afër atentatin. Megjithatë, edhe pse zinxhiri i dëshmive pasqyron atmosferën e dhunshme dhe të mbushur me frikë, drejtësia mbetet ende pa përgjigje përfundimtare.

Nga vëllai i një prej të përfshirëve, te një kryeplak që kërkoi ndaljen e “pushkës”, deri te policë e dëshmitarë okularë, tabloja që po ndërtohet në sallën e gjyqit është ajo e një realiteti ku dhuna, kërcënimet dhe heshtja ndërthuren. Pavarësisht këtij mozaiku dëshmish, autorët e atentatit nuk janë ende të identifikuar përfundimisht.

“Mos vazhdoni pushkën”

Seanca e kësaj të premteje përpara Gjykatës nisi me dëshminë e Arben Haxhisë, vëllait të Bashkim Haxhisë, i njohur si anëtar i “bandës së Durrësit”, i dënuar 4 vjet e 8 muaj, për atentatin që u bë ndaj ish-prokurorit të Durrësit, ngjarje kjo ku humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku.

Duke pretenduar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, Arben Haxhia tregoi para togave të zeza takimin e tij me Aleksandër Lahon, të cilin e  ai e përshkroi “Rrumi”, i ndodhur në lokalin e tij në Durrës.

Sipas tij, Laho e kishte paralajmëruar se vëllai i tij duhej të tërhiqej nga konflikti, duke lënë të kuptohej se rreziku vinte nga të pandehurit Dervishaj e Meçe.

“Mu prezantua vetë. Ishte pak i shëndoshë, i rrumbullakët. Arsyeja e takimit, ishte të më paralajmëronte që im vëlla, Bashkimi, të largohej nga ky sherr” duke bërë me shenjë nga kafazi ku qëndrojnë të pandehurit, Plaurent Dervishaj e Julian Meçe.

Arben Haxhia tregoi gjithashtu se kishte marrë kërcënime për jetën e familjes së tij, mes tyre edhe mesazhe ku i thuhej se fëmijët do të rrëmbeheshin.

“Hiqni dorë, se do ta vrasim vëllain. Do të marrim edhe fëmijët e tu” – deklaroi Arbeni në sallën e gjyqit mbi marrëdhënien e tij me personazhet e përfshira në ngjarjen ndaj ish prokurorit të Durrës. Haxhia deklaroi se pas këtyre kontakteve nuk kishte pasur më komunikim dhe se ndihej i shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tij, pasi vijon të jetojë në Durrës.

Seanca e së premtes vijoi gjithashtu dhe me dëshminë e para gjykatës edhe të Haxhi Murati, i njohur për ndërmjetësimet e tij në pajtimin e gjaqeve.

Ish kryeplaku i Krujës tregoi se kishte marrë një kërkesë nga Asllan Rraja, vëllai i ish deputetit të Partisë Socialistë, për të ndalur hakmarrjen pas vrasjes së Andi Malokut, shoferit të prokurorit Ndoja.

“Asllan Rrajën e njoh. Kur ka ndodhur ngjarja, më ka ardhur tek shtëpia. Meqë unë merrem me pajtime gjaqesh, më kërkoi të shkoja në Shijak, të takonim babain e viktimës, që të mos vazhdohej pushka. Mos vazhdohej pushka derisa të sqarohej ngjarja” – deklaroi Murati duke treguar se ishte takuar me babain dhe vëllezërit e viktimës, të cilët e pranuan ndërmjetësimin me kushtin që të zbulonin të vërtetën.

“Kam shkuar te familja e të ndjerit rreth pas 15 ditësh nga vrasja, kanë qenë vetëm prindërit e tij, në Tiranë. Takimin e dytë e lamë në Shijak, aty ishin vëllezërit e të atit dhe i ati.

Familja e viktimës, Andi Maloku ka kërkuar vetëm të vërtetën. Ne i kemi përcjellë fjalët e Asllan Rrajës, që pretendonte se djali i tij nuk ishte i përfshirë në. Duroni sa të zbardhet ngjarja.

Megjithatë, sipas tij, realiteti kurrë nuk u zbardh. Për djalin e Asllanit, Redjan Rraja, qarkullonin dyshime, por asgjë e konfirmuar.

“Por realitetin nuk e morëm vesh, atë ditë e deri më sot. Thonin që djali i Asllanit ka marrë pjesë në ngjarje por kaq” – përfundoi dëshminë e tij pajtimtari i gjaqeve, sipas të cilit takimet mes familjeve nisën, por pandemia e COVID-19 i ndërpreu, ndërsa autorët realë të atentatit mbetën të paidentifikuar.

Nga ana e tij, zëvendësdrejtori i Policisë së Durrësit, Bujar Deliallisi, rrëfeu përballë togave të zeza operacionin policor që çoi në arrestimin e Ramazan Rrajhes, i shpallur në kërkim si person i dyshuar në ngjarjen që i mori jetën shoferit të ish prokurorit.

“Ramazan Rraja, ishte person i shpallur në kërkim për masë arresti, nuk jam i sigurt për cilën ngjarje. Në zonën e Fushë-Krujës kemi bërë ndërhyrjen dhe kontrolle të objektit. Gjetëm 2 persona të armatosur, me armë brezi, pistoletë. Njëri ishte Ramazan Rraja dhe tjetri i shpallur në kërkim por nuk e mbaj mend emrin” – tregoi kryepolici.

Dëshmia më dramatike erdhi nga Stiven Mziu, shoku i ngushtë i Pëllumb Muharremit (“Rrumit”), i cili ishte i pranishëm në ditën e atentatit. Ai tregoi me detaje se si kishte pirë kafe me Rrumin në një lokal në Durrës, ku më pas u bashkuan prokurori Ndoja dhe Andi Maloku.

Pas daljes nga lokali, ata hipën në makina të ndara. Në autostradë, një “Benz” gri i parakaloi dhe nisi të qëllonte.

“Rrugës në autostradë, na parakaloi një “Benz” gri, në anë të kundërt. Kam parë plumbat që dolën nga sediljet prapa. Makina e tyre u përplas. U afrova, i dhashë ndihmën e parë. I ndjeri ishte shoferi, Pëllumb Muharremi ishte plagosur rëndë edhe prokurori gjithashtu,” dëshmoi ai.

Në fund të seancës, gjykata mbeti me të njëjtat pyetje të hapura: kush e urdhëroi atentatin dhe kush e kreu realisht? Deri tani, dëshmitë ofrojnë vetëm copëza të një mozaiku ku kërcënimet, heshtja dhe traditat e pajtimeve bashkëjetojnë me dhunën e krimit të organizuar.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.