Dy italianë, administratorë të Universitetit Wisdom në Tiranë kanë përfunduar në pranga gjatë një operacioni të Guardia di Finanza në Itali, si arkitektë të një skeme mashtrimi me diplomat false ndërkohë që mediat raportuan se nga përgjimet rezulton se zyrtarë shqiptarë të akreditimit të universiteteve janë korruptuar.
Deri tani janë 9 persona të arrestuar në akuzat për mashtrime të rënda, falsifikim dokumentesh korrupsion e pastrim parash. Gjithsej janë 41 të dyshuar, ndërsa po hetohet edhe veprimtaria e 2 kompanive me seli në Romë dhe në Foxhia. Mes të arrestuarve është edhe pronari i Kolegjit Universitar Wisdom me qendër të Tiranë, Savino Cianci (i thirrur edhe Nino) dhe administratori Leonardo Catalano.
Sipas hetimeve dyshohet se dyshja Cianci-Catalano i kanë dhuruar një çantë Louis Vuitton me vlerë 1200 euro presidentes të Këshillit të Akreditimit të Agjencisë për Akreditimin dhe Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, Shqiponja Telhaj, për akreditimin e Wisdom University. Kjo e fundit ka reaguar në rrjetet sociale dhe shkruan se nuk ka pranuar asnjë dhuratë, madje nuk ka pirë asnjë kafe nga asnjë përfaqësues i universiteteve të huaja apo shqiptare.
Përmes një deklaratë Ministria e Arsimit dhe Sportit thotë se për periudhën 2023-2024, u ngrit një grup pune për të verifikuar pajtueshmërinë me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi të Kolegjit dhe bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike Universitetit.
Ministria deklaron se për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka certifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar WISDOM. Krejt të kundërtën prentendon Univesiteti.
Megjithatë, në një deklaratë zyrtare, thuhet se Universiteti do të vazhdojë normalisht veprimtarinë akademike, dhe se ky universitet nuk është përfshirë në shit-blerjen e diplomave.
Dyert e hapura

Një ditë pas arrestimit të pronarëve, dyert e Kolegjit Universitar jopublik “Wisdom” në Tiranë janë të hapura.
Në hollin e këtij institucioni qëndron një studente e degës së psikologjisë në vitin e dytë në bachelor. Studentja kërkonte të dinte fatin e saj akademik pas lajmeve të publikuara për arrestimet e ndodhura në Itali dhe paralajmërimet e dhëna nga Ministria e Arsimit për nisjen e procedurave ligjore të mbylljes së universitetit.
Përkundër deklaratave, studentja u informua nga stafi se ajo mund të vazhdojë pa problem studimet edhe për vitin e saj të fundit në psikologji.
Këtë qëndrim Universitet mbajti dhe në një deklaratë publike të shpërndarë gjatë mesditës së 18 shtatorit, sipas së cilës veprimtaria akademike do të vazhdojë pa asnjë pengesë.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe e Sportit me anë të një reagimi zyrtar ka deklaruar se për vitin akademik 2024-2025 nuk janë certifikuar kuota pranimi për këtë kolegj universitar, çka do të thotë se nuk mundësohet regjistrimi për vitet e para bachelor dhe master.
Përkundër deklaratave zyrtare, Kolegji vijon me procedurat e rekrutimit të studentëve.
“Të gjithë maturantët e viteve të shkuara, kanë mundësi të ndjekin studimet për vitin akademik 2024-2025, duke plotësuar formularin A1/A1Z”- thuhet në deklaratë.
Ndërsa, më datë 9 shtator Rektorati ka hapur konkurs për staf akademik të brendshëm dhe të jashtëm pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe të Fakultetit të Shkencave Ekonomike dhe Shoqërore.
Referuar të dhënave të publikuara nga ky kolegj në Universitetin Wisdom diplomohen 200 studentë. Sipas dosjes hetimore italiane, të dhënat e bëra publike nga mediat italiane, tregohet se të interesuarit që dëshironin të merrnin në mënyrë joligjore diplomën apo certifikatën pranë këtij kolegji paguanin 8 mijë euro.
Arrestimet
Më 17 shtator, Guardia di Finanza arrestoi pronarin e Kolegjit Universitar Jopublik “Wisdom”, Savino Cianci dhe administratorin Leonardo Catalano. Ata ishin 2 nga 9 të arrestuarit nga autoritetet e vendit fqinj dhe akuzohen për veprat penale të falsifikimit të diplomave, pastrimit të parave dhe korrupsion.
Sipas hetimeve, për të siguruar akreditimin italianët kanë korruptuar edhe Shqiponja Telhaj, ish-shefen e bordit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL). Ajo ishte emëruar në këtë post nga Qeveria shqiptare në korrik të 2021-shit, ndërkohë që prej janarit të këtij viti ruan postin e anëtares së Këshillit Kombëtar Ekonomik të Shqipërisë.
Në përgjimet e bëra gjatë bashkëbisedimit ndërmjet dy pronarëve të “Wisdom”, Cianci dhe Lucia Catalano, thuhet se ortakët i kanë dhuruar Telhajt më datë 8 mars të 2022-shit një çantë të markës “Louis Vuitton” me vlerë prej 1.150 eurosh.
Telhaj ka mohuar të ketë pranuar dhurata nga përfaqësues të universiteteve, duke e cilësuar përfshirjen e emrit të saj në aferën e korrupsionit si shpifje.
“Shqiponja (Aquila) Telhaj nuk ka pirë kurrë as edhe një kafe dhe nuk ka pranuar kurrë asnjë dhuratë nga asnjë përfaqësues i universiteteve të huaj apo shqiptare.” – shkruan ajo në faqen e saj në Faccebook.
Në hetimet dyshohet se ortakët, Lucia Catalano dhe Savino Cianci, janë përpjekur të përgatisin dhurata simbolike edhe për ministren, zëvendësministren dhe shefen e kabinetit të MAS. Po ashtu edhe ish-ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka mohuar në faqen e saj FB zyrtarisht të ketë shkëmbyer dhurata me përfaqësuesit e këtij kolegji.
Pas arrestimeve dhe publikimit të kësaj ngjarjeje nga mediat italiane dhe ato vendase, më datë 17 shtator, Ministria e Arsimit dhe e Sporteve reagoi duke deklaruar se ka filluar procedurat ligjore për mbylljen e këtij këtij kollegji.
Për këtë vendimmarrje administrative një raporti verifikimi e zbatimi të akteve ligjore dhe nënligjore në fushën e arsimit nga ky kolegj gjatë periudhës 2023-2024.
“Gjatë këtij procesi verifikues ishin konstatuar shkelje ligjore në ushtrimin e veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të ëisdom. Duke u bazuar edhe në rekomandimet e grupit kontrollues, po ndiqen procedurat ligjore” – thuhet në deklaratën e Ministrisë së Arsimit.
Ndërkohë ky raport është përfunduar rreth dy muaj më parë, MAS nuk e ka publikuar në faqen zyrtare të web-it. “Shteg.org” kontaktoi disa herë MAS, për të na vënë në dispozicion raportin e plotë, dhe faktit që Universiteti vijon rekrutimet e studentëve, por megjithatë deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk është kthyer asnjë përgjigje.
Kolegji Universitar Wisdom ka nisur veprimtarinë në fushën e arsimit 28 vite më parë dhe është ndër institucionet e para jopublike të licencuara të arsimit të lartë me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2006.
Themeluesi i këtij institucioni arsimor ka qenë Ilir Kapxhiu, dhe sipas të dhënave publike në Open Data Albania rezulton se në vitin 2007 është realizuar ndarja e shoqërisë në shoqërinë “Wisdom” dhe “Wisdom 1”.
Tre vite më parë, të gjitha aksionet e ëisdom i kaluan shoqërisë “FORMAMENTIS”, që sipas të dhënave zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit administrohet nga Leonardo Catalano dhe ortak i vetëm me zotërim 100% të kapitalit është Saviano Cianci, të dy të arrestuar.
Sipas të dhënave aktuale, Shoqëria që zotëron Wisdom është “European Training School” në pronësi të dy shtetasve italianë, Daniele Cianci dhe Costanzo Catalano.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.