“Rich Hotel” nën sekuestro, por aktiviteti vijon normalisht

Me gjithë dyshimet për pasuri të pajustifikuara dhe hetimet për trafikun e drogës, pronarët dhe stafi vazhdojnë të operojnë hotelin pa ndërprerje, duke ftuar klientët të shijojnë luksin dhe komoditetin e ofruar.

26
Hoteli luksoz i vendosur nën sekuestro
Credits: Sabina Nika - Hoteli luksoz i vendosur nën sekuestro

Në qendër të Pogradecit, hoteli luksoz “Rich Hotel”, në pronësi të familjes Buliçka, është vendosur nën sekuestro preventive nga Prokuroria e Korçës më 26 shtator 2025, pas një hetimi trevjeçar. Hetimi konkludoi se pronarët dyshohen se kanë investuar të ardhurat e përfituara nga trafiku i narkotikëve në Itali dhe Spanjë në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, duke i regjistruar në emër të tyre dhe familjarëve. Pavarësisht sekuestrimit, hoteli vazhdon aktivitetin normal, ndërsa pronarja, Edlira Buliçka, ka mohuar akuzat, duke theksuar se e vërteta do të dalë në pah.

Hetimi përfshin gjithashtu të ardhurat e pavërtetuara dhe transaksionet financiare të konsiderueshme të Edri Buliçkës, i cili pretendonte se kishte të ardhura nga puna si kamarier, por nuk rezulton të ketë qenë i punësuar. Po ashtu, aktiviteti tregtar i nënës së tij, “shitje online”, ngre dyshime mbi funksionimin real të biznesit, pasi adresa e aktivitetit përkon me atë të banesës. Në total janë sekuestruar jo vetëm hoteli, por edhe dy apartamente, truall, biznesi i makinave, servis dhe gjashtë automjete.

Përveç rastit specifik të hotelit, auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë nxjerrë në pah probleme në menaxhimin e pronave të sekuestruara, ku disa prej tyre vazhdojnë të jenë nën kontrollin e grupeve kriminale. Ekspertët paralajmërojnë për rreziqe të mundshme për përdorimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara për interesa private ose politike, ndërsa procedurat e ankandeve për pasuritë e konfiskuara shpesh pezullohen, duke lënë asetet të degradojnë dhe vlerën e tyre të ulet.

Luksi që sfidon

Hoteli i sekuestruar “Rich Hotel”
Credits: Sabina Nika – Hoteli i sekuestruar “Rich Hotel”

Mes rrugicave të mbushura me hotele e lokale, të bie në sy një fasadë moderne xhami në ngjyrat gri e të zezë. Ndërsa gjatë natës, duket si fasadë e ndriçuar xhami, që tërheq vëmendje mes hoteleve të tjera në ato rrugica. E në të djathtë lexohet që prej së largu emri i tij, Rich Hotel, shoqëruar me një kurorë, si simbol i luksit mbretëror, si dhe vetë pronarët e reklamojnë komoditetin që i ofrojnë klientëve.

Është pikërisht hoteli luksoz, për të cilin Prokuroria e Korçës njoftoi më 26 shtator 2025 sekuestrimin e tij për shkak të dyshimeve të arsyeshme se burimi i të ardhurave për ndërtimin e tij vjen nga aktivitete kriminale. Pasuritë janë në pronësi të familjes Buliçka, dhe sipas organit të akuzës, dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës në Spanjë dhe Itali nga Edri Buliçka.

Megjithëse sipas njoftimit zyrtar, prona është e sekuestruar, hoteli vazhdon aktivitetin e tij të përditshëm. Stafi dhe pronarët nuk e kanë ndalur punën.

“Ne po vijojmë aktivitetin normalisht, nuk ka asnjë pengesë për ne! Kushdo që vjen si klient te ne del më se i kënaqur. Do e mbyllim shumë mirë këtë situatë, e vërteta del gjithmonë”, – tha për “shteg.org” Edlira Buliçka, në emrin e së cilës është i regjistruar hoteli.

Sipas njoftimit zyrtar, sekuestrimi i “Rich Hotel” dhe disa pasurive të tjera erdhi pas një hetimi trevjeçar të Prokurorisë së Korçës.

Edri Buliçka dyshohet se të ardhurat e përfituara nga trafiku i narkotikëve në Itali dhe Spanjë i ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në Shqipëri, duke i regjistruar në emër të tij dhe të familjarëve.

Hetimi nisi në vitin 2022 nga Prokuroria e Pogradecit dhe u finalizua më 26 shtator 2025 me sekuestrimin e disa pronave e automjeteve. Mes tyre përfshihet “Rich Hotel”, dy apartamente, një truall prej 965 m², një biznes shit-blerje makinash, një servis në pronësi të Edmond Buliçkës (babai i Edrit), si dhe gjashtë automjete.

Sipas verifikimeve, Edri Buliçka kishte deklaruar se ishte i punësuar si kamarier në fshatin Udënisht, por hetimet treguan se ai nuk kishte qenë i regjistruar realisht si punonjës. Gjithashtu, transaksionet bankare të kryera prej tij ndër vite shfaqin shuma të konsiderueshme në lek dhe valutë, pa burim të justifikuar.

Edhe nëna e tij, Edlira Buliçka, rezulton se prej dhjetorit 2021 ka regjistruar një aktivitet tregtar me “shitje online”, por sipas prokurorisë, adresa e ushtrimit të aktivitetit përkon me adresën e banesës, çka ngre dyshime mbi funksionimin real të biznesit.

Megjithëse vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për sekuestrimin preventiv është marrë më 26 shtator 2025, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara (AAPSK) konfirmoi nisjen e procedurave për marrjen në dorëzim të pronave tre ditë më vonë, më 29 shtator.

“Sot, më datë 29.09.2025, janë duke u zhvilluar procedurat ndërmjet institucionit të AAPSK dhe institucioneve të hetimit për marrjen në dorëzim të pasurive objekt i vendimit.” – sqaroi për “shteg.org” zyra e shtypit të AAPSK.

Por protokolli për sekuestrimin e pronave ka procedura të përcaktuara mirë në ligj, dhe menjëherë pas vendimit të gjykatës një pasuri e sekuestruar duhet të ketë shenja dalluese që tregojnë statusin e saj juridik.

Këto mund të jenë tabela informuese që njoftojnë publikun se prona është nën sekuestro, shirita paralajmërues, si dhe prania fizike e një roje për të mbikëqyrur territorin dhe për të parandaluar dëmtimin apo ndërhyrjen e paligjshme.

Në mungesë të një vendimi përfundimtar të formës së prerë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit për konfiskim, në këtë pronë nuk lejohet të kryhen punime të asnjë lloji.

Nëse këto elementë mungojnë ose nuk konstatohet prania e tyre, lind dyshimi i arsyeshëm se pasuria nuk është realisht nën administrimin efektiv të agjencisë.

Dokumentet e zotëruara nga “shteg.org”, intervistat por edhe raportet zyrtare tregojnë se rasti i hotelit në Pogradec nuk është i vetëm ku institucionet kanë dështuar për menaxhimin e aseteve të konfiskuara.

Në to evidentohen rastet kur pronat e konfiskuara posedohen sërish nga grupet kriminale, ndërsa për procedurat e ndjekura nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e Konfiskuara ngrenë hije dyshimi për menaxhimin e këtyre aseteve.

Ekspertët thonë se ekziston rreziku që agjencia të përdoret si mjet për t’i shërbyer interesave private ose politike, duke minuar qëllimin e saj origjinal për të mbrojtur interesin publik.

Gjatë vitit 2024, sipas Prokurorisë së Posaçme janë sekuestruar e konfiskuar 59 milionë euro pasuri me origjinë kriminale, por një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka ngritur shumë pikëpyetje sa i përket menaxhimit të pronave nga agjencitë shtetërore.

Ekspertët thonë se asetet e sekuestruara dhe të konfiskuara lihen qëllimisht drejt degradimit për të ulur vlerën e tyre në shitjet me ankand, ndërsa procedurat e ankandeve janë pezulluar me një urdhër verbal pasi qeveria ka plane strategjike për shfrytëzimin e këtyre pronave.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.