Edhe pse vetëm 35 vjeçe, noterja Sanja Telhallari zotëronte një portofol të konsiderueshëm pasurish, që përfshin 13 prona të paluajtshme dhe 5 llogari bankare, me një vlerë totale prej 3 milion eurosh.
Prokuroria e Tiranës dhe Policia e Shtetit njoftoi të hënën finalizimin e operacionit policor të koduar “Nënshkrimi”, nëpërmjet të cilit asetet e noteres u sekuestruan në kuadër të hetimeve për pastrim parash dhe përfitim të aseteve nga burime të dyshuara kriminale.
Hetimet kanë ngritur dyshime se asetet që përfshin 13 prona të paluajtshme dhe 5 llogari bankare nuk përputhen me të ardhurat e saj të deklaruara zyrtarisht dhe mund të jenë përfituar nga burime të dyshuara kriminale.
Sipas njoftimit, për periudhën 2013–2024, noterja ka kryer transaksione financiare me vlera të konsiderueshme për blerjen e pasurive, të cilat nuk përputheshin me të ardhurat e deklaruara nga aktiviteti i saj profesional.
Dyshohet se asetet janë përfituar në bashkëpunim apo përmes lidhjeve me ish-bashkëshortin e saj, Klodian Proja, i dënuar më parë për “shfrytëzim prostitucioni” dhe aktualisht i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
“Në kuadër të procedimit penal të nisur nga Prokuroria e Tiranës, Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale ekzekutoi vendimin e Gjykatës për sekuestrimin e pasurive” – thuhet në njoftimin zyrtar, sipas të cilit hetimet po vijojnë për të gjurmuar asete të tjera të mundshme me burim të dyshimtë të noteres.
“Paralelisht po kryhen veprime hetimore dhe procedurale, për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të 35-vjeçares, me burime të dyshimta, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore burimin e të ardhurave të kësaj shtetaseje” – sqaron Policia e Shtetit.
Noterja dhe ish-bashkëshorti i saj nuk ishin të arritshëm për “shteg.org” për të komentuar akuzat e prokurorisë dhe vendimin e sekuestrimit të pronave në vlerën e 3 milionë eurove.
Prokuroria dhe Policia e Shtetit konfirmuan se hetimet do të vijojnë për të zbardhur rrugët e përfitimit të pasurive dhe për të identifikuar çdo aset tjetër me origjinë të dyshimtë.
Pas verifikimeve të kryera në QKB, Telhallari rezulton të ketë në pronësi zyrën noteriale të ndodhur në zonën e Yzberishtit si dhe një kompani telefonike, Call Center, e cila ndodhej në zonën e Kasharit.
Kjo nuk është hera e parë që emri i Telhallarit përmendet në rekodet e policisë.
Në gusht të 2023 noterja u përball me një situatë të pakëndshme, ku një 28-vjeçar mori nga tavolina e zyrës së saj çelësat e makinës tip “G-Class” dhe tentoi të grabiste mjetin. Noterja e shoqëruar asokohe nga burri i saj e ndaluan të riun teksa ishte në timon, por ky i fundit hezitonte të dilte nga mjeti. 28-vjeçari u detyrua të dilte nga makina e noteres vetëm në momentin kur mbërriti policia.
Ndërsa ish-bashkëshorti i saj, rezulton që prej 2017 të jetë i angazhuar si agjent imobiliar në po në të njëjtën zonë ku ka biznesin noterja si dhe të ketë në pronësi kompaninë “AN& AR” e cila merret me importin dhe eksportin e makinave të përdorura.
Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.