“Selman Stërmasi”, 1 stadium dhe 5 kulla

Projekti fitues për rijetësimin e stadiumit “Selman Stërmasi” parashikon ndërtimin e 5 kullave përreth tij. Miratimi i këtij projekti vjen pas heqjes së pronësisë së tij nga Klubi Sportiv Tirana, tek Koorporata e Investimeve Shqiptare.

490
Stadime dhe Kulla
Credits: shteg.org

Stadiumi “Selman Stërmasi” do të rrethohet nga 5 kulla, 2 prej të cilave janë pjesë përbërëse e tij. Ndonëse juria sugjeroi rikonceptimin e stilit të kullave në formë obelisku ose sahati gjatë ditës së premte, imazhi se si zona përreth stadiumit do të duket në të ardhmen u shpërnda nga Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale gjatë mëngjesit të sotëm, 8 prill.

Propozimi dhe miratimi i projektit, që kthen stadiumin “Selman Stërmasi” në të njëjtin stil si “Air Albania” vjen pasi në dhjetor të 2024-s, Këshilli i Ministrave vendosi për ndryshimin e pronësisë së stadiumit, duke e kaluar atë nga objekt në pronësi të klubit të Tiranës, në pronësi të Koorporatës së Investimeve Shqiptare (KISH).

Gjatë një hulumtimi të realizuar në shtator të vitit 2024, “shteg.org” zbuloi se si Bashkia Tiranë kërkonte autorizimin e Këshillit Bashkiak për të realizuar projektin me Koorporatën e Investimeve Shqiptare, çka do t’i hapte rrugë miratimit të projekt-idesë të së premtes, çka përfshin rrethimin e stadiumit nga 5 kulla.

Në shtator Kryebashkiaku Erion Veliaj arriti të merrte votat e anëtarëve të Këshillit Bashkiak për të mundësuar bashkëpunimin me KISH, ndonëse anëtarët jo-socialistë të Këshillit braktisën mbledhjen në shenjë jodakordësie.

Stadium me kulla

Pallati i Sportit Asllan Rusi
Credits: shteg.org – Pallati i Sportit Asllan Rusi

Faza finale e garës së projekt-idesë për rijetësimin e stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë zgjati 1 orë e 55 minuta ditën e premte, 4 prill. Përpara se 5 skuadrat, të përbëra nga 20 kompani, të prezantonin projektet e tyre, kryeministri Edi Rama deklaroi se stadiumi do të jetë një bërthamë e qendrës urbane.

“[…]Tani i vjen radha stadiumit Selman Stërmasi, edhe ky sipas kërkesës së bërë për studiot është një tjetër bërthamë për një qendër të re urbane, që jam i bindur që duke pasur parasysh konkurrentët, do të jemi në kushtet ku do të bëjmë një zgjedhje të mirë”, – deklaroi Kryeministri, ndërkohë që skuadra fituese, e cila përbëhej nga dy shoqëri shqiptare dhe dy të huaja, arriti të fitonte garën për rijetësimin e stadiumit me propozimin që parashikon ndërtimin e 5 kullave, të cilësuara si një “kulm” (The Peak), që do të jetë kullë banimi, dy kulla të cilësuara si “grykë” (The Gorge) dhe dy të tjera të quajtura “pirg” (The Cairn).

Projekti i shpallur fitues u mbështet dhe u realizua nga skuadra e përbërë prej kompanisë Office for Metropolitan Architecture (OMA), LOLA Landscape Architects dhe dy shoqëritë shqiptare: Diagonal Projektim & Zbatim dhe Albanian Investment Construction (AIC).

Sipas urbanistes, Doriana Musai ndërtimi i kullave në truallin e stadiumeve ndikon në krijimin e disa shërbimeve përreth tij, të tipit kafe, që e kthejnë fushën e futbollit jashtë parametrave urbane.

“Por absurdi që këto ndërtime bartin, është mungesa e kërkesës për hapësira të reja ku disa milion metra katror janë tashmë bosh, dhe mbi 40% e njësive të banimit, të pabanuara. Nga ana tjetër fusha e futbollit brenda lagjes, me vënien në funksion, paralizon të gjithë qytetin, siç ndodh sot kur luhet një ndeshje tek Arena,” – thotë urbanistja Musai, ndërkohë që shton se për kryeqytetin mbetet domosdoshmëri shtimi i mjediseve të gjelbërta.

Propozimi i projekteve u realizua pasi Këshilli i Ministrave miratoi kalimin e pronësisë së stadiumit nga Klubi i futbollit të Tiranës tek Koorporata e Investimeve Shqiptare (KISH), duke lënë të paqartë rolin e klubit në administrimin e stadiumit.

Gjatë intervistës që presidenti i klubit të Tiranës, Refik Halili, dha për “shteg.org” në dhjetor të vitit të kaluar, 2024 u shpreh se qytetit i duhej një stadium më i mirë se ai aktual, por nuk dha asnjë deklaratë rreth paqartësisë së pozicionit të Klubit të Futbollit të Tiranës duke u shprehur: “Nuk ka lidhje me mua ajo punë. S’e bëj unë garën, e bën shteti”.

Ndërkohë, që gjatë një hulumtimi të realizuar nga “shteg.org” gjatë viti 2024 rezultoi se në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës më 9 shtator të këtij viti, Kryebashkiaku Erjon Veliaj bëri të ditur se ishin planifikuar investimet për stadiumin “Selman Stermasi” dhe për pallatin e sportit “Asllan Rusi”, ndërkohë që anëtarja e Këshillit Bashkiak, Ilda Zhulali, tha asokohe për “shteg.org”, se procesi që i hapte rrugë vendimmarjes për ndërtimin në zonat sportive ishte zhvilluar në kushtet e mungesës së transparencës dhe llogaridhënies.

Megjithatë, në Këshillin Bashkiak ishte mundësuar marrja e votave të nevojshme nga anatarët për t’i hapur rrugë këtij projekti, ndonëse në mungesë së anëtarëve jo-socialistë të Këshillit.

Përpara miratimit të projektit të rijetësimit të stadiumit “Selman Stërmasi” më 4 prill, sipas të dhënave publike të Open Procurement Albania, Klubi Sportiv Tirana kishte prokuruar vetëm dy tendera në vitin 2017 për rikonstruksion të minifushave pranë stadiumit dhe për rehabilitim të fushës sportive të stadiumit. Tenderi për rehabilitimin e fushën sportive është cilësuar me “flamur të kuq” çka sipas shënimit mbi, mund të tregojë shqetësim për afera joligjore gjatë përzgjedhjes së fituesit. Gara për 4 kompanitë fituese ka zgjatur vetëm 11 ditë, nga 17 gushti i vitit 2017, deri më 28 gusht 2017, ndërkohë që nga 4 kompani në garë, vetëm 1 prej tyre u shpall fituese, “FYBEK”.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.