Shkarkohet Veliaj, votë unanime dhe duartrokitje në Këshillin Bashkiak

Vendimi i Këshillit Bashkiak vjen pas kërkesës së kryeministrit Rama, ndërsa Ogerta Manastirliu shpallet si kandidatura për kryeqytetin.

60
Votimi në Këshillin Bashkiak
Credits: LSA - Votimi në Këshillin Bashkiak

Me votat unanime të këshilltarëve socialistë dhe demokratë, Erion Veliaj u shkarkua nga posti i Kryetarit të Bashkisë Tiranë, detyrë të cilën ai e mbante prej 10 vitesh.

Këshilltarët socialistë dhe demokratë bashkuan votat për ta shkarkuar kryebashkiakun Veliaj nga detyra, i cili qëndron në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, kur dhe u arrestua me vendim të GJKKO pas kërkesës së SPAK.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak u zhvillua pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku ai shpalli Ogerta Manastirliun si kandidaturën për drejtimin e kryeqytetit.

Në nisje të mbledhjes, kryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Megi Fino, vlerësoi punën e kryebashkiakut Veliaj, por tha se vendimi është i detyrueshëm për shkak të rrethanave.

“Dua të nënvizoj me forcë që ky hap po imponohet nga nevoja urgjente për të ecur përpara. Sot ne po kryejmë detyrimin politik dhe moral për të zgjidhur ngërçin politik të Tiranës”, u shpreh ajo.

Vendimi i Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Veliajt në fakt është propozim. Ky propozim i dërgohet Prefektit të Qarkut, dhe Prefekti ja dërgon propozimin për shkarkimin e Veliajt Qeverisë. Vendimin përfundimtar do ta marrë Këshilli i Ministrave, që do të certifikojë shkarkimin e Erion Veliajt ose jo.

I vetmi këshilltar opozitar që kundërshtoi mënyrën e votimit ishte Fabian Topollaj, i cili kërkoi që votimi për shkarkimin të ishte i fshehtë:

“Aktet individuale, siç është edhe ky, duhet të bëhen me votim të fshehtë. Çdo vendim për një individ bëhet me votim të fshehtë,” tha Topollaj.

Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025 pas një vendimi të GJKKO mbi kërkesën e SPAK, nuk mori pjesë në mbledhje, sipas kërkesës së tij për të dëgjuar procedurën në mënyrë të drejtë.

Kryetarja Fino siguroi se: “Nuk ka vendim për ndalim të prezencës tuaj në këtë mbledhje,” duke iu drejtuar Veliajt.

Tre anëtarë të Këshillit Bashkiak, Joleza Koka, Aldo Merkoçi dhe Gazment Paja, munguan në votim, ashtu si edhe kryetarja në detyrë Anuela Ristani.

Kërkesa për shkarkimin e Veliajt u mbështet nga Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe këshilltari Endri Shabani, të cilët i votuan si një e vetme.

Vendimi i Këshillit Bashkiak u parapri nga vendimarrje të qeverisë, por dhe të institucioneve ligjzbatuese. Më 10 shtator, SPAK dërgoi dosjen “Veliaj” në gjykatë, duke ngritur 13 akuza ndaj tij, mes të cilave korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje e sendeve të paligjshme në burg.

Një ditë më pas, kryeministri Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste deklaroi emergjencën për drejtimin e kryeqytetit:

“Duhet të adresojmë këtu edhe emergjencën e krijuar në drejtimin e Tiranës për arsyen e ditur botërisht,” tha Rama, duke paralajmëruar veprime të jashtëzakonshme dhe duke shpallur kandidaturën e Ogerta Manastirliut.

Me vlerësim për punën në 7 muaj të të deleguarës Anula Ristani dhe me kritika mbi kuadrin ligjor që lë për të dëshiruar sipas tij në rastin kur kryetari pengohet të vijë në punë jo nga dëshira e tij, por nga paraburgosja, kreu i qeverisë i kërkoi Këshillit Bashkiak shkarkimin e Veliajt.

Erion Veliaj duke dalë nga SPAK
Credit: LSA – Erion Veliaj duke dalë nga SPAK

“Sot ne duhet të marrim vendim politik për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar bashkie të ri në Tiranë. Përfaqësuesit tanë në Këshillin Bashkiak duhet të vënë në punë mekanizmin e shkarkimit të kryetarit të zgjedhur. Nuk është një propozim që unë e bëj me zemër të lehtë, prandaj i kuptoj të gjithë ata që mund të mos ndihen mirë nga një vendim i tillë,” iu drejtua kryeministri socialistëve.

Dhjetë ditë pas këtyre deklaratave, këshilltarët kryebashkiak gjetën si motiv për shkarkimin e Veliajt mosparaqitjen në detyrë që prej më shumë se 3 muajsh.

Këshilltarët socialistë bazuan kërkesën e tyre për shkarkimin e Veliajt tek nenit 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, që parashikon shkarkimin e kryetarit të bashkisë për mosparaqitje në detyrë për një periudhë tre mujore të pandërprerë.

Kuadri ligjor dhe shkeljet e kryera nga kryebashkiaku ishin dhe arsyet e debateve mes këshilltarëve të cilët moratuan me duartrokitje dhe vota thuajse unanime shkarkimin e kryebashkiakut.

Pas përfundimit të seancës, ku në unanimitet u votua për shkarkimin e Veliajt, Ilir Alimehmeti deklaroi për mediat se “Veliaj u mbrojt deri në momentin e fundit nga Këshilli Bashkiak”, i cili, siç theksoi ai, “ka miratuar çdo propozim të tij”.

Ai e cilësoi këtë votim si “kurorëzimin me sukses të luftës për të shkarkuar Erion Veliajn”, duke nënvizuar se procesi nuk duhet të ndalet me kaq.

“Vënia para përgjegjësisë së tij duhet të vazhdojë. Ai nuk ka kryer këto veprime i vetëm, por në bashkëpunim me qeverinë dhe Këshillin Bashkiak, që ka votuar çdo gjë që ai ka propozuar,” shtoi Alimehmeti.

Sipas tij, përgjegjësia për situatën në bashki nuk qëndron vetëm te një individ, por tek një sistem i tërë që ka bashkëpunuar për të mbuluar keqmenaxhimin.

“Tiranë u krye, Erion Veliaj sot shkarkohet, dhe propozohet shkarkimi për të gjithë ata që kanë kontribuar në keqmenaxhimin e bashkisë, pavarësisht nga urdhri politik i Edi Ramës. Ai u mbrojt deri në momentin e fundit nga po ky këshill bashkiak, që sot e shkarkoi duke bashkuar votat me ne. Vënia para përgjegjësisë duhet të vazhdojë. Sot ishte kurorëzimi me sukses i luftës për të shkarkuar Erion Veliajn.” – tha Alimehmeti.

Edhe pse i shkarkuar, Veliaj ka të drejtën të ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh, çka do të pezullojë efektet e tij deri në shqyrtim.

Vendimi i Këshillit Bashkiak do t’i dërgohet Këshillit të Ministrave për miratim përfundimtar, duke hapur rrugën për zgjedhje të reja në kryeqytet dhe një kapitull të ri në drejtimin e Tiranës.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.