Më 21 tetor 2023, Sali Berisha po qëndronte në banesë teksa u njoh zyrtarisht me vendimin e Prokurorisë së Posaçme SPAK, se ndaj tij ishte vendosur masa “detyrim paraqitje” dhe “bllokim i pasaportës për të mos dalë jashtë vendit”. Paralelisht me leximin e masës shtrënguese, u njoh me lajmin se në Aeroportin e Rinasit u arrestua për të njëjtën çështje edhe dhëndri Jamarbër Malltezi. Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv i kryer në bashkëpunim”. SPAK i ka ngritur akuzat për dosjen e privatizimit dhe më pas zhvillimit me kompleks pallatesh dhe njësi shërbimesh të ish-kompleksit sportiv Partizani, ku përfitoi dhëndri e tij dhe më pas ai vetë.
Berisha dhe Malltezi i kanë mohuar akuzat, duke e konsideruar prokurorinë speciale si të kapur nga kryeministri Edi Rama dhe çështjen e tyre e cilësojnë si sulm politik ndaj opozitës edhe me ndikimin e multimiliarderit Xhorxh Soros.
Përballë përplasjeve politike, tashmë është një proces i hapur me drejtësinë e cila ka folur mbi bazën e fakteve, që sipas saj e përfshijnë Berishën, dhëndrin e tij, ndërtuesin Fatmir Bektashi dhe një nga ish-bashkëpronarët e truallit ku u ngrit ish-kompleksi Partizani në aferë korrutive dhe përfitime në vlera të mëdha që kapin shifrën e rreth 5 milionë eurove. Nga privatizimi deri tek zhvillimi dhe fitimi është një proces i gjatë, por SPAK pretendon se ndikimi i Berishës duke ndryshuar ligje specifike në favor të dhëndrit, apo vënë në shërbim institucionet shtetërore kur ishte kryeministër janë të dukshme dhe të bazuara në prova.
Me duar të pastra
Java që pasoi 3 korrikun e vitit 2005, Luan Saliaga ishte shpresëplotë. Qeveria e Fatos Nanos sapo ishte refuzuar me votë dhe në vend të saj, ishte zgjedhur koalicioni qeverisës i kryesuar nga Partia Demokratike. Kjo e fundit drejtohej nga lideri i saj i kahershëm, Sali Berisha, dhe me moton “Me duart të pastra!” premtonte luftën e pakompromis ndaj korrupsionit. Një tjetër premtim fushate i fitimtarëve kishte qënë përshpejtimi i kthimit të pronave ish-pronarëve legjitim, të cilët votonin në masë djathtas.
Ndikuar nga frymë e re optimizmi, ai vendosi të interesohet edhe një herë – pas disa letrave të dërguara dekadën e fundit sa te Ministria e Mbrojtjes, sa tek Ministria e Kulturës e Sporteve, – për truallin e njohur të familjes së tij nga Komisioni për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave në 1995.
Më 8 korrik 2005, Saliaga bëri kërkesë pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për t’u njohur me objektet e ndërtuara në Klubin Shumësportësh Partizani. Pasi mori përgjigje se objektet nuk ishin inventarizuar formalisht, për shkak se pjesa më e madhe e tyre ishin të zëna, ai u interesua sërish në fund të nëntorit për inventarin fizik të objekteve. Kësaj radhe, veç listës së objekteve, iu konfirmua se trualli ku shtrihej Klubi Shumësporteësh Partizani ende nuk ishte privatizuar.
Megjithatë, mes korrikut dhe nëntorit, një sërë zhvillimesh të tjera kishin ndodhur. Më e rëndësishmja ishte se trashëgimtarët e pesë familjeve ish-pronare (Alimehmeti, Begeja, Llagami, Saliaga e Vaqarri), – të pasuksesshëm në përpjekjet individuale ndër vite, – ishin vetdijësuar se bashkimi bënte fuqinë dhe kishin vendosur të vepronin bashkarisht për rimarrjen e zotërimeve të tyre.
Idea e bashkëpunimit duket se ka zanafillën nga familja Vaqarri, trashëgimtarët e së cilës në 2002 ishin mbledhur rreth njeriut të tyre, Fatmir Bektashit, që kishte një biznes ndërtimi, me qëllim zhvillimin e ngastrës që iu ishte kthyer në 1996.
Luani ishte mes përfaqësuesve nga secila familje që filluan të mblidheshin rregullisht në restorantin Begeja 1900, që zotërohej nga një pinjoll i familjes Begeja, Xhimi Begeja. Xhimi në fakt ishte i vetmi nga fisi i vet që merrte pjesë në mbledhje, paçka se ata kishin zgjedhur të përfaqësoheshin ligjërisht nga djali më i shkolluar mes tyre, Jamarbër Malltezi. Xhimi dhe Fatmiri ishin ata që kishin marr përsipër para të tjerëve të interesoheshin për kthimin e privatizimin e pronave.
Dhe kështu, më 14 tetor 2005, trashëgimtarët e njohur të Klubit Shumësportësh Partizani, i bëjnë kërkesë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, duke parashtruar se “me formimin e qeverisë së re” kërkonin privatizimin e tij.
Ndërsa dy ditë më parë, më 12 tetor 2005, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i kishte propozuar Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës privatizimin e SportKlubit të Futbollit Partizani, duke parashtruar se, bazuar në Planin e Zgjerimit të Forcave të Armatosura, ky objekt do të lihej jashtë planit të zgjerimit.
Ndoshta nisur nga shpresa se në pushtet kishte ardhur një qeveri që favorizonte ish-pronarët, apo se kishte gjetur një nyje lidhëse në personin e dhëndrrit të kryeministrit të vendit, plani i Bektashit ishte bërë më ambicioz.
Ai është gjurmuar nga SPAK përmes sistemit TIMS teksa udhëton bashkë me Sali Berishën, në fund të nëntorit 2005.
Malltezi sapo ishte kthyer në Shqipëri bashkë me të shoqen Argitën, pas një karriere disa vjeçare më UNMIK-un në Kosovë, punë që u siguronte të dyve të ardhura të kënaqshme për kohën dhe përfitime shtesë.
Të gjitha këto ngjarje që mund ose mund të mos jenë plotësisht të lidhura me njera-tjetrën, por Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit sheh në to veprimet e koncertuara në kuadër të një plani të paramenduar, që po vihej në jetë.
Ky plan do të çonte në kthimin e pronave të pesta familjeve ish-pronare, ndryshimin e destinacionit të fushave sportive, privatizimin e objekteve të ndërtuara mbi dy klubet, duke i hapur rrugën ndërtimeve dhe projekteve zhvillimore private fitimprurëse.
20 vite më vonë, pikërisht këto zhvillime do të shërbenin si prova në ngritjen e akuzave për korrupsion ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Sipas dosjes hetimore, akuzat përfshijnë kalimin e vendimeve dhe ligjeve të posaçme që kanë eliminuar barrierat ligjore për kthimin dhe privatizimin e kompleksit. I akuzuar në bashkëpunim është edhe dhëndrri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili ka siguruar përfitime financiare të konsiderueshme nga zhvillimet në zonë. Përmes kompanisë Homeplan, ai akuzohet se ka përfituar rreth 5.9 milion euro pa bërë investime reale dhe se është përpjekur të fsheh burimin e këtyre të ardhurave.
Pala që ka kryer korrupsionin aktiv, sipas organit të akuzës, është pikërisht Fatmir Bektashi, biznesmeni i ndërtimeve dhe ortak në shoqërinë e investimit “Homeplan”.
Ndërsa Xhimi Begeja, identifikuar gjithashtu si ortak me Malltezin e Bektashin në kompaninë “Homeplan”, akuzohet se e ka ndihmuar të afërmin e tij në fshehjen e origjinës së përfitimeve të paligjshme. Hetimet sugjerojnë se ata kanë realizuar transaksione financiare për pastrimin e parave, duke përdorur kontrata shkëmbimi pronash dhe procedura dhurimi të dyshimta.
Megjithatë, në fillimet e qeverisjes Berisha, ish-familjet të organizuara nën emërtesën “Bashkësia Kroi i Shëngjinit”, kërkonin thjesht të drejtën e tyre për të marr mbrapsht pronën që iu ishte “vjedhur” nga regjimi komunist. Për këtë qëllim, ato shpreheshin të përballonin faturën e blerjes së objekteve të ngritura mbi to e madje, edhe të ruanin karakterin sportiv të fushave.
Nga një firmë në një vendim qeverie, deri te një projekt ndërtimi shumëkatësh

Në nëntor të vitit 2005, një vendim i Këshillit të Ministrave do të shënonte pikën e nisjes për atë që sot Prokuroria e Posaçme e quan një skemë të mirëorkestruar për kthimin dhe përfitimin e një prone strategjike në zemër të Tiranës.
Vendimi nr. 723, datë 23.11.2005, i firmosur nga Kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha, ndryshonte një sërë dispozitash në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës. Ndër të tjera, hiqeshin kufizimet për kthimin e pronave që kishin shërbyer për interes publik, për mbrojtje kombëtare apo për të cilat ishin kryer investime. Ky ndryshim legjislativ, sipas SPAK, nuk ishte rastësor.
Vetëm pak muaj më vonë, më 20 janar 2006, një sipërfaqe prej 11,740 m² i kthehet familjes Begeja një vendim që, sipas dosjes hetimore, përfiton nga interpretimi më liberal i ligjit të modifikuar. Dokumentet tregojnë se pikërisht në këtë moment shfaqet edhe Jamarbër Malltezi, dhëndri i Kryeministrit Berisha, i cili merr përfaqësimin e familjes Begeja në procesin e privatizimit.
Kontratat e nënshkruara më 31 janar 2006, para noterit, flasin për përfaqësim të Malltezit në të gjitha procedurat pranë Agjencisë së Privatizimit dhe institucioneve të tjera shtetërore. Por ajo që ngre më shumë dyshime është një klauzolë financiare: secili trashëgimtar bie dakord të vërë në dispozicion 3 deri në 5% të pasurisë së paluajtshme për “shpenzime të papërcaktuara”.
SPAK e lexon këtë klauzolë si një formë të koduar të ryshfetit, një fond që, sipas akuzës, ishte caktuar për t’i “hapur rrugën” kthimit të pronës, privatizimit të saj dhe më pas, ndryshimit të destinacionit në zonë ndërtimi.
Prokuroria argumenton se akti i tij i parë ishte firmosja e VKM nr.723 e datës 23.11.2005 “Per disa ndryshime dhe shtesa mbi ligjin nr. 9235, date 29.07.2004 “Per kthimin dhe kompensimin e pronës”, me anë të të cilit u hoqën disa dispozita që ndalonin kthimin e pronave, siç ishte rasti kur pronat i shërbenin një interesi publik, kur i shërbenin mbrojtjes kombëtare dhe kur mbi to ishte bërë një nivel i caktuar investimesh.
Më 17 korrik 2006, ndryshimet e VKM-së miratohen zyrtarisht si ligj amendues. Një ndër nenet më të rëndësishme të tij ishte ai që sanksiononte: “në rast se objektet në pronësi shtetërore nuk kryejnë më funksion publik, ato i kthehen subjektit të shpronësuar”.
Një tjetër amendament kritik, sipas hetuesve erdhi nga Partia Republikane, në atë kohë në koalicion qeverisës, dhe konkretisht nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Ai propozoi një dispozitë që i hapte rrugë kthimit të pronave të Ministrisë së Mbrojtjes, përfshirë edhe ish-kompleksin Sportiv Partizani, nëse këto prona ishin jashtë strukturës së miratuar të Forcave të Armatosura nga Presidenti.
Një detaj thelbësor për këtë pikë gjendet në një dokument të vitit 2004, i titulluar Plani i Zgjerimit të FA-së 2004–2010. Në të, kompleksi “Partizani” nuk figuron si pjesë e planifikimeve të ushtrisë, përveç një objekti të quajtur “Orkestra Frymore”.
Si u krijua “Kompleksi Partizani“
Lexo më shumë …
Para se ish-Kompleksi Sportiv Partizani të inagurohej më 10 korrik 1963, në vigjilje të 20 vjetorit të krijimit të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, ai ishte uzurpuar nga qeveria e Italisë Fashiste, me synimin për të zgjeruar aeroportin që gjendej aty afër.
Për këtë qëllim ajo kishte nisur proçedurat e shpronësimit të familjeve që zotëronin tokën, mes të cilave edhe dy vëllezërit Begeja. Por, në njëfar pike, pronarët nuk bien dakord mbi vlerën e shpronësimit dhe çështja shkon në gjykatë më 1943. Prej aty, gjurmët arkivore humbasin dhe është e paqartë nëse shpronësimi i kësaj familje ka ndodhur në një kohë të mëvonshme.
Në vijim, ndonëse nuk ekzistojnë dokumente që të provojnë se regjimi komunist konfiskoi pronën prej Begejave, prona i kaloi në përdorim ushtrisë së kohës.
Sipas gazetarit të vjetër sportiv dhe publicistit Uvil Zajmi, ndërtimi i Kompleksit Sportiv erdhi si pasojë e mungesës në kryeqytetin e pasluftës të objekteve e terreneve sportive me standarde, ku mund të zhvilloheshin kampionate e gara ndërkombëtare.
Një ndërtim modern për kohën, që ushtria i kushtonte rinisë, në tre dekada aty do të zhvilloheshin jo vetëm aktivitete sportive kombëtare e ndërkombëtare, por edhe aktivitete artistike, spektakle, mitingjet me kinezët dhe kongrese të partisë.
Me rënien e regjimit komunist, Kompleksi Sportiv vijoi të ishte nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, i ndarë në dy Klube: Klubi Shumësportësh Partizani dhe SportKlubi i Futbollit Partizani.
Me ndryshimet demokratike, me ligjin e vitit 1991, atyre iu kërkohej të shndërroheshin nga ndërrmarrje shtetërore në shoqëri tregëtare. Prej të dyve vetëm njëri, SportKlubi i Futbollit Partizani ishte themeluar si shoqatë e ishte “privatizuar”, por siç do të rezultonte më vonë, ligjërisht asnjë prej këtyre akteve nuk njihej. Klubet vijuan veprimtarinë sportive dhe kishin në përdorim disa prej objekteve sportive, nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo zgjati deri në momentin që qeveria Nano vendosi t’a kalonte Klubin Shumësportësh nën administrimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitin 2003.
Parimisht, mes viteve 1996-1999 Kompleksi Sportiv Partizani ishte njohur nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si zotërim i 5 familjeve: Alimehmeti, Begeja, Llagami, Saliaga, Vaqarri. Në praktikë, ato kishin marr vetëm disa ngastra toke, pasi ligji vendoste kufizime në sasinë e tokës që kthehej dhe ndalonte kthimin fizik të truallit mbi të cilën ishin ngritur objekte që kryenin interes publik. Disa nga këto kufizime u hoqën me amendimet e ligjit në prill të vitit 2004.
Gjatë kësaj kohe një pjesë e ambienteve të klubeve ishin zënë nga familje të ish-të burgosurve politikë, një pjesë ishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe një pjesë shfrytëzohej mbi baza ligjore të dyshimta për aktivitete ekonomike.
Por akuzat nuk ndalen me ligjin. Një tjetër hallkë e skemës që SPAK kërkon të ndriçojë është krijimi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), me ligjin e ri, në nenin 15. Forma dhe funksionimi i saj do të caktohej me VKM, dhe kështu ndodhi: me vendimin nr. 566, datë 27.07.2006, Kryeministri merr kompetenca të drejtpërdrejta për emërimin e drejtorit dhe miratimin e strukturës.
Në krye të agjencisë u emërua Dhurata Hoxha, një emër i njohur në radhët e Partisë Demokratike. Në pozicionin e këshilltarit ligjor u vendos Tetis Lubonja, një njohje e vjetër e Malltezit, e cila më vonë, sipas të dhënave të siguruara nga “Shteg”, rezulton e punësuar në kompaninë Kontakt shpk, që më vonë zhvillon ndërtimin në truallin e kthyer.
Sipas dosjes hetimore ka pasur një sërë vendimesh të shpejta dhe procese të përshpejtuara të administratës shtetërore.
Mes marsit dhe majit të vitit 2007, AKKP jep disa vendime që përfitojnë trashëgimtarët e familjes Begeja, të cilët deri në atë moment kishin marrë vetëm një pjesë të pronës në formë ngastër. Sipas hetimit, këto ishin disa nga dosjet e para që trajtoi agjencia, me një ritëm që SPAK e përshkruan si të pazakontë: shkresat nisnin dhe përfundonin brenda një dite, shpesh pa u kthyer as përgjigjet nga institucionet e kontaktuara.
Ligji nuk parashikonte afate ditore për këto procedura, përveç një limiti prej 3 muajsh nga depozitimi i kërkesës deri në vendim. Dhe megjithëse kërkesat datojnë që nga dhjetori 2005, ritmi i trajtimit bie në sy. Në grupin e punës që ka shqyrtuar dosjet figurojnë emra si Tetis Lubonja dhe Petrit Kullolli, një topograf që më vonë harton planin e rilevimit për truallin ku do të ndërtojë bashkëshorti i Argita Malltezit.
Ndërkohë, vetë procedurat e verifikimit në terren nuk janë zbatuar siç kërkohet nga ligji. Raportet rezultojnë në kontradikta mes gjendjes faktike dhe asaj në dokumente. Disa prona shtetërore nuk janë evidentuar fare, dhe dokumentacioni administruar përmban shkresa pa numër protokolli, pa datë ose me data që nuk përkojnë me realitetin.
I pyetur nga “Shteg”, ish-Kryeministri Berisha mohon çdo lidhje me favorizime, duke deklaruar se ligji i vitit 2006 nuk lehtësoi procesin, por përkundrazi e bëri më të rreptë: “Filtrat e kontrollit u forcuan dhe afatet për vendimmarrje u zgjatën nga 2 në 3 muaj”, shprehet ai, duke theksuar se ndryshimet ligjore kishin si qëllim përmbushjen e një premtimi elektoral për kthimin e pronave.
Megjithatë, Prokuroria ngul këmbë se rasti “Partizani” nuk ishte thjesht një zbatim ligji, por një iniciativë e mirëmenduar për t’i dhënë pronën një grupi të caktuar përfituesish, që më pas e zhvilluan atë në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit.
Si u shkëmbyen fushat sportive për interesa të ndërsjella

Në fillim të viteve 2000, ndërsa Tirana përjetonte një bum ndërtimi të paparë më parë, bashkë me të lindën edhe dyshimet për mënyrën se si jepeshin lejet. Këto nuk ishin thjesht ndjesi publike. Më 2003, Partia Demokratike kërkoi zyrtarisht ngritjen e një komisioni hetimor për Bashkinë e Tiranës dhe kryetarin e saj të atëhershëm, Edi Rama. Në një akt simbolik rezistence, Rama refuzoi të përgjigjej para komisionit, duke u paraqitur me megafon dhe duke denoncuar çështjen si një farsë politike. Raporti përfundimtar nuk u miratua, duke u rrëzuar nga shumica parlamentare e kohës.
Pas marrjes së pushtetit nga Partia Demokratike në vitin 2005, tensionet mes qeverisë qendrore dhe Bashkisë së Tiranës u intensifikuan. Një nga kulmet ishte ndërhyrja në projektin e mbikalimit në “Zogu i Zi”, ku, sipas dosjes së SPAK, “në vitin 2006 qeveria urdhëroi prishjen e këtij ndërtimi duke pretenduar shkelje ligjore”. Po atë vit, PD paraqiti një kërkesë të re për komision hetimor, që do të konkretizohej vetëm tre vite më vonë.
Në vitin 2006, Edi Rama i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me një padi për konflikt kompetencash mes KRRT-së së Bashkisë dhe asaj të Republikës. Argumenti ishte që “anëtarët e KRRT-së së bashkisë përbëheshin kryesisht nga përfaqësues të qeverisë qendrore”, çka sipas paditësit cenonte autonominë vendore.
Ndërkohë që Tirana vazhdonte të zhvillohej sipas një plani urbanistik të hartuar në vitin 1989, “funksionalizimi i territoreve për zhvillim” bëhej përmes planeve të pjesshme rregulluese, një praktikë e përsëritur edhe pse ligjërisht e diskutueshme.
Në këtë klimë, më 21 nëntor 2006, Këshilli për Rregullimin e Territorit të Republikës (KRRTRSH), i drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha, miratoi vendimin nr. 4, i cili parashikonte “ndryshimin e destinacionit për një sipërfaqe prej 0.7 ha në rrugën ‘Frosina Plaku’, nga zonë sportive në zonë për ndërtime”.
“Wshtë e vërtetë që KRRT shqyrtonte vetëm dosjet që i dërgoheshin nga këshilli teknik i bashkisë, i përbërë nga drejtorët e BT, të emëruar ekskluzivisht nga Edi Rama. Askush nuk mund të vendoste mbi një çështje që nuk miratohej paraprakisht nga këshilli teknik dhe nuk kishte asnjë mekanizëm që t’a detyronte këshillin teknik të dërgonte një projekt për miratim në KRRT. Pra ky ishte një proces kryekëput i kontrolluar nga Edi Rama”-thotë Berisha në intervistën për Shteg.org.
Sipas SPAK, kjo pjesë i përkiste “ish-Kompleksit Sportiv Partizani, e përfshirë në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave”, dhe ndryshimi i destinacionit bie ndesh me nenin 62 të ligjit për urbanistikën që ndalon transformimin e destinacionit të tokës pa një Plan të Përgjithshëm Vendor dhe miratim nga KRRT e Republikës.
Në të njëjtin vendim përfshihen edhe dy sipërfaqe të tjera, 5 ha dhe 3.9 ha, të propozuara nga Bashkia e Tiranës, për të cilat SPAK thekson: “Asnjëra nga këto sipërfaqe nuk ishte pjesë e një plani të përgjithshëm rregullues, siç e kërkon ligji.”
Hetimi i SPAK ka evidentuar lidhje të mundshme mes anëtarëve të Këshillit Teknik të Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë zhvilluese Homeplan. “Enton Punavija dhe Kozeta Gëdeshi kanë përfituar apartamente nga kjo kompani, ndërsa Met Kruja dhe Fatmir Bektashi kanë pasur kontakte profesionale me të,” citohet në dokument.
Për më tepër, në dosje përmendet edhe Marin Biçoku, ish-sekretar i KRRT-së së Republikës, që sipas SPAK, “ka pasur marrëdhënie të ngushta me familjen Berisha, përfshi udhëtime të përbashkëta dhe lidhje kontraktore me Jamarbër Malltezin”.
Më 29 dhjetor 2007, Bashkia Tiranë miraton vendimin nr. 136 për ndryshimin e destinacionit të truallit të trashëgimtarëve Begeja.
Bashkia Tiranë e drejtuar nga Edi Rama miratoi vendimin i cili miratonte kërkesën për ndryshim destinacioni për këtë truall ndërsa në shkurt 2008 miratohet leja paraprake për ndërtim në zonë.
“KRRT-ja e Tiranës e miratoi në parim këtë leje në një mbledhje të drejtuar nga Arben Biçoku”, shkruhet në dosje.
Kur bashkia vonon zbardhjen e lejes, kompania e ndërtimit e padit në gjykatë dhe fiton. Sipas SPAK, “kjo leje ka kaluar me të gjitha votat në KRRT e Tiranës, përfshi përfaqësues të qeverisë”.
Pas vitit 2011, kur Lulzim Basha mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës, administrata urbane pësoi ndryshime. Në pozita drejtuese u emëruan persona të afërt me rrethin e familjes Berisha–Malltezi. Florian Pustina u emërua drejtor i Planifikimit dhe më pas drejtues i Këshillit Teknik në vitin 2013. Sekretare e këtij këshilli ishte Irida Hasa, “nëna e së cilës ka blerë një apartament nga kompania Homeplan”, sipas SPAK.
Po ashtu, nëna e Fetah Hasanajt – drejtues në ZRPP që ka regjistruar pronësinë e truallit për Malltezin – rezulton gjithashtu si përfituese nga e njëjta kompani.
Në vitin 2015, leja përfundimtare e ndërtimit u lëshua nën administratën e kryebashkiakut Erion Veliaj. Sipas SPAK, “nuk rezultojnë pengesa procedurale apo shkelje të drejtpërdrejta gjatë këtij hapi të fundit.”
Privatizimi që kërkonte ligjin “e duhur”

Në janar të vitit 2008, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shpallte sërish privatizimin e Klubit Shumësportësh “Partizani”. Ishte një përpjekje e dytë, pas një përplasjeje me ligjin ekzistues, i cili, për ironi, ishte amenduar vetëm pak muaj më parë, në tetor të vitit 2007.
Sipas prokurorisë, këto përpjekje për privatizim binin ndesh me Ligjin për Sportin në fuqi, konkretisht me nenin 31, pika 2, i cili lejonte vetëm dhënien me koncesion të objekteve sportive dhe vetëm nëse ato nuk ndryshonin destinacionin. Ky ndryshim, i miratuar në tetor 2007, kishte hequr mundësinë e privatizimit që ligji më parë e përmendte si alternativë.
Në dosjen hetimore SPAK shpjegon se: “Amendimi i tetorit 2007 kishte eliminuar privatizimin si formë transferimi të pronësisë mbi objektet sportive. Nga përmbajtja e ligjit rezulton se subjektet e interesuara për privatizim nuk e kishin konstatuar këtë ndryshim në kohë.”
Por, çështja nuk mbeti në heshtje. Brenda pak muajsh, më 18 qershor 2008, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha, miraton Vendimin nr. 906 që i hap rrugën një tjetër ndryshimi në Ligjin për Sportin. Vetëm një muaj më pas, më 21 korrik 2008, Kuvendi miraton me urgjencë ligjin nr. 9963, i cili riformulon nenin 31, pika 2, duke rikthyer mundësinë e privatizimit nga ish-pronarët e truallit.
“Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka të tillë, në të kundërt jepen me koncesion […], me kusht që të mos u ndryshojë destinacion,” përcaktonte formulimi i ri, i cili sipas SPAK krijonte avantazh të qartë për përfituesit konkretë të procesit të privatizimit të Partizanit.
Sipas SPAK, ky ndryshim ligjor i kryer me ritme të përshpejtuara nuk ishte i rastësishëm.
Diskutimet në Këshillin e Ministrave, sipas dosjes hetimore, zbulojnë edhe tensione brenda vetë kabinetit. Kryeministri Berisha kritikonte ministrin e Kulturës Ylli Pango për atë që e quajti një “lobim të turpshëm” nga presidentë klubesh, me shumë gjasë duke iu referuar Albert Xhanit, president i shoqatës “Partizani sh.a.”, që në atë kohë pretendonte privatizimin e klubit.
“Prona nuk do t’u mohohet pronarëve për t’iu dhënë presidentëve që donin të bënin miliona me baste,” thuhet të ketë deklaruar Berisha në mbledhje. Pango, ndonëse autor i propozimit ligjor, nuk ishte i pranishëm për të reaguar ndaj akuzave.
Në Parlament, ndërkohë, opozita e ngriti zërin për pasojat që mund të sillte ky ndryshim. Deputetët pyetën nëse mund të garantohej që pas miratimit të ligjit, terrenet sportive nuk do të ktheheshin në pallate. Berisha shmangu përgjigjen, duke ia kaluar përgjegjësinë Bashkisë së Tiranës. “Qeveria e Tiranës jeni ju dhe është kryetari i Bashkisë së Tiranës. Çfarë do të bëjnë pronarët me territorin e tyre, e ka në dorë Bashkia,” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, kreu i LSI, Ilir Meta, lëshon akuza më të drejtpërdrejta, duke e lidhur ndryshimin e Ligjit për Sportin me një marrëveshje politike për Kodin e ri Zgjedhor.
“Ju edhe ato pak vepra sportive që kanë mbijetuar nga koha e diktaturës, tani duket se po i jepni koncesione në marrëveshje të qartë me klanet e ndërtimit, ndoshta edhe në shkëmbim të Kodit të ri Zgjedhor,” është shprehur Meta në seancë.
SPAK e lidh këtë akuzë me dy zhvillime që ndodhin në fund të vitit 2008, të cilat përkojnë saktësisht me afatin kur përfundojnë ndryshimet ligjore.
Më 27 dhjetor 2008, Këshilli i Rregullimit të Territorit i Bashkisë së Tiranës miraton Planin e ri Rregullues të qytetit, ku zona e ish-kompleksit sportiv “Partizani” kategorizohet si zonë për zhvillim të lartë dhe të mesëm – pra, e përshtatshme për ndërtime shumëkatëshe. Ky plan nuk do të merrte fuqi pa miratimin nga KRRT-ja e Republikës, e drejtuar nga vetë Sali Berisha si kryeministër.
Vetëm tre ditë më vonë, më 30 dhjetor 2008, Parlamenti miraton me konsensus të dy partive të mëdha Kodin e ri Zgjedhor – një akt që do të ndryshonte thellësisht sistemin elektoral dhe do të dëmtonte partitë e vogla.
Nga hetimet e SPAK nuk rezulton që ligji i amenduar për sportin të jetë cituar drejtpërdrejt në dokumentet e privatizimit të mëvonshëm të Partizanit. Por fakti që ai përputhet në kohë me procedurat dhe ndihmon objektivisht përfituesit është i dokumentuar.
“Megjithëse në dokumentet e privatizimit nuk ka referenca të drejtpërdrejta për ligjin e ri, përputhja në kohë, struktura e ligjit dhe mënyra si favorizon interesat konkrete, përbëjnë indicie të rëndësishme për natyrën e ndërhyrjes,” thuhet në dosjen e SPAK.
Për “Shteg”, Berisha këmbëngul se e drejta e ish-pronarëve për të privatizuar kishte lindur më herët dhe nuk ndikohej nga asnjë ndryshim i mëvonshëm ligjor:
“Asnjë ndryshim ligjor i mëpasshëm, përfshirë ato që pretendohet për ligjin e sportit, nuk mund të kishin efekt prapaveprues, përveçse kur ligji vetë e parashikonte këtë gjë, gjë që nuk është rasti.”- thotë Ai
Megjithatë, koha e ndryshimeve ligjore dhe e miratimeve urbanistike lë pak vend për dyshime: nëse ligji nuk u bë për privatizimin e një prone të vetme, ai me siguri i hapi rrugën që kjo të ndodhte pa pengesa.
Meseleja me Komandën Mbështetëse

Privatizimi i Klubit Partizani kishte mbetur i pezulluar për më shumë se dy vite për një arsye që në pamje të parë dukej teknike: Ministria e Mbrojtjes nuk kishte mundur ta regjistronte në kadastër, pasi Komanda Mbështetëse Logjistike nuk e kishte marrë dot në dorëzim. Kjo, për shkak se objektet ishin të zëna dhe se Zyra Rajonale e Pasurive të Paluajtshme refuzonte regjistrimin, duke argumentuar se prona ishte objekt i një procesi gjyqësor të hapur dhe të papërfunduar.
“Komanda nuk ka kapacitet ligjor të firmosë për një pronë që nuk e disponon në mënyrë ligjore,” thuhet në dokumentet e brendshme të Komandës, të cituara në dosjen hetimore të SPAK nr. 75/1.
Por sipas SPAK, ky ishte vetëm kulmi i një tensioni të ndërtuar ndër vite, ku linja politike synonte që objekti sportiv t’i kalonte trashëgimtarëve të ish-pronarëve, përfaqësuar në këtë rast nga Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha.
Komanda Mbështetëse Logjistike, në përpjekje për të zbatuar ligjin, kërkoi zgjidhje, por në vend të një zgjidhjeje juridike, përballë pati, sipas SPAK, presione të drejtëpërdrejta nga Ministri i Mbrojtjes i kohës, Gazmend Oketa.
Në dëshminë e tij përballë Prokurorisë së Posaçme, ish-komandanti Vladimir Qiriazi tregon për biseda telefonike dhe takime në zyrë, ku Oketa i kërkonte të firmoste dokumentet për privatizimin.
“Ishte i drejtpërdrejtë. Më tha që duhej ta firmosja, sepse kështu i ishte kërkuar edhe atij,” dëshmon Qiriazi, sipas dokumenteve të dosjes hetimore nr. 75/1 të SPAK.
Ndërkohë, vetë Oketa mohon çdo formë presioni.
“Unë vetëm kërkova përshpejtimin e procedurës. Nuk ka patur kurrë presion apo ndërhyrje për të firmosur jashtë ligjit,” ka deklaruar ai në dëshminë e tij para hetuesve.
Më 16 prill 2009, vetëm dy ditë pasi konflikti për dorëzimin e klubit kishte hyrë në një fazë të nxehtë, kryeministri i kohës Sali Berisha nxori një urdhër për një “kontroll tematik” mbi procedurat e shitjes dhe dorëzimit të pronës n.11, që përfshinte terrenet sportive të “Partizanit”.
Paralelisht, Zyra Anti-Korrupsion e Kryeministrisë nisi hartimin e një raporti të veçantë, bazuar në një letër të dorëzuar nga pesë familje ish-pronare, që ankoheshin për bllokimin e procedurës. Letra, sipas burimeve brenda hetimit, mendohet se është dorëzuar personalisht në Kryeministri nga Jamarbër Malltezi.
Raporti që pason akuzon Komandën Mbështetëse për “pengesa artificiale” dhe e akuzon për “favorizim të një subjekti privat që ka uzurpuar pronën në mënyrë të paligjshme”. Ndërkohë, rekomandon jo vetëm përfundimin e menjëhershëm të procedurës së shitjes, por edhe shkarkimin e Qiriazit.
Më 16 tetor 2009, komandanti i ri, Shemet Gjunkshi, firmosi marrjen në dorëzim të pronës dhe autorizoi shitjen e saj te trashëgimtarët e familjes Begeja, përfaqësuar nga Jamarbër Malltezi dhe Bashkim Bekteshi. SPAK ka ngritur dyshime se kjo marrje në dorëzim është bërë “në mënyrë formale dhe jo në respekt të ligjit”.
Privatizimi i objekteve të klubit nuk u mbyll aty.
Një tjetër element që SPAK e sheh si thelbësor në skemën favorizuese është vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 1638, datë 17 dhjetor 2008. Me këtë akt normativ, ish-pronarëve iu dha mundësia të shlyenin 80% të çmimit të privatizimit me bono privatizimi dhe vetëm 20% me para në dorë.
“Vendimi është përdorur për të zgjidhur vështirësitë financiare të familjeve përfituese,” thotë SPAK, duke theksuar se përballë mungesës së likuiditetit, disa nga ta kishin marrë kredi bankare ose hua personale, përfshirë një hua që Xhimi Begeja i kishte dhënë Fatmir Bekteshit për të paguar pjesën e tyre të detyrimit.
Ndërkohë, vetëm 7 muaj më vonë, me vendimin nr. 738, datë 1 korrik 2009, kjo lehtësi u anulua. Por sipas analizës së dosjes hetimore, ndryshimi nuk kishte efekt prapaveprues dhe nuk prekte më përfituesit e VKM-së së mëparshme.
“Ky është një nga elementët që tregon qartë se akti është hartuar me synimin për të favorizuar vetëm një grup të caktuar përfituesish dhe është tërhequr posaçërisht pas përfitimit,” përfundon SPAK në analizën për këtë episod.