Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka goditur një nga skemat më të sofistikuara kriminale ku ndërthuren vrasjet me pagesë dhe përvetësimi i pronave shtetërore përmes falsifikimeve masive në zonat më përparësi në turizëm, si Rëra e Bardhë dhe Kepi i Rodonit, në Durrës.
Me akuzat që kanë të bëjnë me vepra të rënda penale si vrasje, grup i strukturuar kriminal, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion i zyrtarëve, prokuroria lëshoi 8 urdhër-arreste, prej të cilëve u ekzekutuan nga policia vetëm 4 prej tyre.
Gjatë operacionit policor u arrestua Enea Kume, vëllai i deputetit të PS, Loer Kume, Vullnet Muça dhe Vlash Brahja, ndërsa janë shpallur në kërkim Astrit Avdylaj, një person ky i skeduar për shumë vepra penale.
Përveç masave të sigurisë, janë sekuestruar mbi 254 mijë metra katrorë tokë në zonën bregdetare që dyshohet të jenë përvetësuar në mënyrë të paligjshme.
Qindra hektarë tokë, në zona kryesisht të paprekura, si Kepi i Rodonit dhe fshatrat Shetaj dhe Lalëz, janë tjetërsuar në favor të grupeve kriminale në Durrës.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, tjetërsimi i pronave është realizuar përmes një skeme kriminale, drejtuesi i së cilës është identifikuar shtetasi Pëllumb Muharremi, i njohur si “Rrumi i Shijakut”.
“Ky grup ka kryer falsifikime të shumta të dokumenteve që lëshohen ekskluzivisht nga institucionet zyrtare, si Kadastra, Këshilli i Qarkut Durrës, komisionet e ndarjes së tokës në fshatrat Lalëz, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj, si dhe ish-Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës” – thuhet në njoftimin zyrtar, ku gjithashtu shpjegohen mekanizmat e përdorura nga grupi për tjetërsimin e pronës.
Nga hetimet ka rezultuar se janë bërë falsifikime të plota apo dhe pjesore të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), duke përfshirë shtimin e numrit të parcelave dhe prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
Në një sërë aktesh ka rezultuar se janë vendosur dokumente të falsifikuara në arkivën e ish-ZVRPP Durrës, duke i paraqitur si vendime të Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Këshillit të Qarkut Durrës.
Prokurorët kanë zbuluar edhe ndryshimin e fletëve të regjistrave të kartelave të pasurisë në volum, ku prona të regjistruara më parë si “Pyll” dhe “Pa frut” zëvendësoheshin me fletë të reja që pasqyronin regjistrimin si “Arë”.
“Pasuritë e regjistruara në mënyrë të kundraligjshme janë regjistruar në emrin e fshatarëve të zonave Lalëz, Draç, Bizë dhe Shetaj, shumica e të cilëve nuk kishin dijeni për regjistrimin e pronësive në emrin e tyre. Qëllimi kryesor i këtyre veprimeve ishte përfitimi i paligjshëm financiar përmes shitjes së pasurive tek individë apo kompani të interesuara për investime në zonën bregdetare Lalëz dhe Shetaj, përfshirë zonat e njohura si Rëra e Bardhë dhe Kepi i Rodonit” – thuhet në njoftimin e prokurorisë së posaçme, sipas të cilës prodhimi i dokumenteve të falsifikuara i praktikës së rivlerësimit të pasurisë kishte qëllim përgatitjen e terrenit për transferimin e pronësisë përmes aktit të shitjes apo dhurimit.
Me këtë operacion, SPAK ka zbardhur vrasjen e Edmir Bregut, mikut të ngushtë të Edmond Çekiçit. Porositës i atentatit, sipas SPAK, rezulton të jetë Astrit Avdylaj, i cili e ka porositur vrasjen për hakmarrje pas tentativës së ekzekutimit të nipit të tij, Aldo Avdylit.
Astrit Avdylit i është komunikuar masa e sigurisë në burg, ndërkohë pjesë e këtij grupi rezulton edhe Enea Kume, vëllai i deputetit socialist të Durrësit, Loer Kume, i cili ka marrë pjesë në ekzekutimin e Edmir Bregut, ngjarje kjo e ndodhur në janar të vitit 2021.
Enea Kume, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, u arrestua në orët e para të mëngjesit të 1 tetorit, ndërkohë që prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzat e vrasjes me paramendim, të kryer në formën e bashkëpunimit dhe pjesëmarrjes në grupin e strukturuar kriminal.
Në një intervistë televizive, deputeti Loer Kume, i cili u votua në qarkun e Durrësit në zgjedhjen e 11 Majit 2025 pasi kandidoi për socialistët, kërkoi që i vëllai të konsiderohet i pafajshëm deri sa drejtësia të flasë.
“U vura mbrëmë në dijeni, është arrestuar dhe është i dyshuar, dhe për sa kohë nuk ka një vendim fajësie, do ta konsideroj të pafajshëm deri në momentin që drejtësia të flasë. Por gjithkush është përgjegjës për jetën dhe vendimet që merr në jetën e tij, por të mos flasim para kohe,” tha deputeti Kume.
Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.