Kryetari i Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai, merret zyrtarisht i pandehur së bashku me disa zyrtarë të tjerë lokalë të bashkisë që ai drejton prej vitit 2019.
Sipas burimeve zyrtare të SPAK, Kryebashkiaku i Kolonjës është marrë i pandehur, nën akuzat e veprave penale “shkelje e barazisë në tendera dhe ankande” dhe “shpërdorim detyre”.
Sipas prokurorisë, ai dyshohet se bashkë me punonjës të tjerë të bashkisë kanë favorizuar operatorë ekonomikë të caktuar gjatë procedurave të tenderave.
Sipas informacioneve të bëra publike në media, Isai dyshohet të jetë implikuar në çështjet për tenderin e rrugës Korçë-Ersekë dhe për Ujësjellësin e Kolonjës.
Isai nuk ishte i arritshëm nga “shteg.org” për të komentuar akuzat e ngritura ndaj tij, por gjatë dy viteve të fundit, ai është paraqitur disa herë në SPAK për t’u dhënë shpjegime përballë prokurorëve.
Pas një ore deklarimi në Prokurori, Isai tha se kishte dhënë sqarime shtesë për të njëjtën çështje që ishte trajtuar edhe në vitin 2023, duke shtuar se ishte në pozicionin e deklaruesit.
Sipas prokurorisë, kryebashkiaku dhe disa punonjës të Bashkisë dyshohet se kanë favorizuar operatorë ekonomikë të caktuar gjatë procedurave të tenderave. Mediave u bë e ditur se dy nga çështjet kryesore që po hetohen lidhen me tenderin e rrugës Korçë–Ersekë dhe projektin e Ujësjellësit të Kolonjës.
Rruga Korçë–Ersekë pati shembje më 17 shkurt 2024, teksa punimet ishin ende në proces, në zonën e quajtur “Qafa e Qarrit – Mollas”. Punimet i kishte kryer kompania “A.N.K.”, ndërsa prokurues ishte Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Avokati Esmerald Xhafa depozitoi kallëzim në SPAK ndaj ARRSH-së, Bashkisë Kolonjë dhe kompanive përgjegjëse, për “shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh” dhe “korrupsion”. Në kallëzim u paraqitën edhe pamje filmike që evidentonin cilësinë e dobët të punimeve dhe devijimet nga projekti origjinal.
Prokuroria e Posaçme ka marrë nën hetim një numër të lartë zyrtarësh të pushtetit lokal, ndaj të cilëve ka ngritur akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Duke nisur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, ish-kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi, ish-kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu dhe pasuesi i tij Rakip Suli, ish-kryebashkiaku i Dibrës Muharrem Rama, ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi, ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ish-kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi, si dhe nënkryetari Abedin Kerrnaja gjenden në listën e zyrtarëve të pushtetit lokal, që e kanë pasur të pashmangshme thirrjen nga prokurorët e posaçëm.
Gjithashtu kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa, Armando Subashi i Fierit, kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi, Leonard Hida i Libohovës dhe Erion Isai i Ersekës kanë qëndruar për orë të tëra në ambientet e SPAK. Ky i fundit tashmë zyrtarisht i pandehur.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.