Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) me akuzën e korrupsionit zgjedhor. Hetimi lidhet me dyshimet se gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 ai ka blerë vota në favor të Partisë Socialdemokrate (PSD) të Tom Doshit.
Shkreli u thirr sot në ambientet e SPAK, ku iu komunikua zyrtarisht akuza. Përveç tij, edhe tre persona të tjerë janë nën hetim. Gjatë procesit, hetuesit sekuestruan celularin e tij dhe ushtruan kontrolle, ndërsa u morën edhe aparatet telefonike të disa eksponentëve të PSD-së, të dyshuar për përfshirje në shit-blerjen e votës në qarkun Shkodër.
Vetë Shkreli mohon akuzat dhe këmbëngul në pafajësi. I kontaktuar nga “shteg.org”, ai deklaroi se veprimet e tij nuk lidhen me korrupsion elektoral, por me përpjekjen për të ndihmuar banorët e fshatit Stajkë me furnizim me energji elektrike.
“Unë thjesht u interesova për të siguruar dritë për banorët. Nuk e di pse e quajnë krim zgjedhor,” tha Shkreli.
Në zgjedhjet e majit, zona e Vaut të Dejës shënoi mbështetje të lartë për PSD-në, gjë që solli edhe kritika nga kryeministri ndaj Shkrelit, i cili e paralajmëroi të mos “luante me dy porta”.
Megjithatë, Shkreli thekson se mbetet anëtar i Partisë Socialiste dhe se me Tom Doshin ka vetëm marrëdhënie miqësore.
“Unë jam anëtar i Partisë Socialiste, me Tom Doshin ruajmë një marrëdhënie të mirë, e kam mik” u shpreh kryebashkiaku i Vaut të Dejës.
Në zgjedhjet e 11 majit 2025, ku të drejtën e votës e kishin mbi 3.7 milion qytetarë, Partia Socialdemokrate e drejtuar nga Tom Doshi arriti të sigurojë 3 mandate deputetësh nga 140 vendet në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas raporteve zyrtare, zgjedhjet u shoqëruan me shkelje të kodit zgjedhor dhe manipulime, ndërsa opozita vazhdon të denoncojë përfshirjen e grupeve kriminale në shit-blerjen e votave, edhe gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Nga ana tjetër, SPAK, në bashkëpunim me KQZ-në, evidentoi dhjetëra raste të mundshme të krimeve zgjedhore. Kreu i SPAK, Altin Dumani, bëri me dije se u mblodhën 193 materiale nga policia dhe qytetarët, prej të cilave u regjistruan 43 procedime penale.
Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.