SPAK shtyn sërish hetimet ndaj Arben Ahmetajt

Çështja e inceneratorëve dhe procedimi “Buka” do të vazhdojnë të hetohet deri në dhjetor, ndërsa ish-zv.kryeministri mbetet në kërkim ndërkombëtar.

12
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj
Credits: shteg.org - Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj

Prokuroria e Posaçme ka vendosur sërish të shtyjë hetimet ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj me tre muaj, në kuadër të dosjes së inceneratorëve të Elbasanit.

Ky vendim iu komunikua avokatëve mbrojtës, pasi Ahmetaj po hetohet në mungesë.

Pas shtyrjes së fundit, hetimet pritet të zgjasin deri më 23 dhjetor. SPAK sqaron se një nga pengesat kryesore është mosmbërritja e të gjitha përgjigjeve nga letërporositë e dërguara në Zvicër.

Ahmetaj hetohet me masë sigurie në mungesë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Në këtë çështje janë përfshirë edhe ish-bashkëshortja dhe bashkëjetuesja e tij, të cilat akuzohen për pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej 24 korrikut 2023, nën akuzat për mosdeklarim dhe deklarim të rremë të pasurisë, fshehje të pasurisë, korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Dosja voluminoze përfshin dyshimet se Ahmetaj ka favorizuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri për të fituar kontratat për inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit. Megjithatë, vetë Ahmetaj nga foltorja e Kuvendit të Shqipërsië i ka mohuar këto akuza tre vite më parë.

Asokohe Ahmetaj i cilësoi të pavërteta të mëdha publike akuzat e opozitës për zhdukjen e 430 milionë nga 3 inceneratorët, ai i Tiranës, i Elbasanit dhe i Fierit.

Në qershor 2025, Gjykata e Apelit la në fuqi sekuestrimin e pasurive të tij, duke përfshirë një apartament, një depozitë dhe një llogari bankare, pavarësisht ankimit të avokatëve të tij.

Një tjetër procedim penal ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj kaloi për gjykim në korrik të këtij viti. Gjykata e Posaçme vendosi të çojë për gjykim në themel çështjen penale të quajtur “Buka”. Ky vendim erdhi pas dy shtyrjeve të hetimeve, të cilat e zgjatën procesin për rreth 6 muaj.

Afera e inceneratorëve në Tiranë, Fier dhe Elbasan ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 150 milionë euro.

Një numër i madh zyrtarësh janë nën akuzë ose janë shpallur fajtorë për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Mes të dënuarve janë ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-deputeti socialist Alqi Bllako dhe administratorët e kompanive të inceneratorëve: Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe Lora Dusha. Inceneratori i Fierit dhe kompania koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” u sekuestruan nga SPAK në mars 2022 dhe administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Konfiskuara dhe Sekuestruara (AAPKS).

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.