Të pandehurit e “Partizanit” sfidojnë provat e prokurorisë në aferën “Partizani”

Avokatët kërkojnë pavlefshmërinë e akteve dhe sekuestrimeve gjatë seancës së dytë në Gjykatën e Posaçme për çështjen në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

38
Jamarbër Malltezi në Gjykatë
Credits: Sabina Nika - Jamarbër Malltezi në Gjykatë

Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca e dytë në themel në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, dy biznesmenëve Xhimi Begeja dhe Fatmir Bektashi, noteres Andia Pustina, si dhe dy shoqërive “HomePlan” dhe “Studio Pustina”.

Gjatë seancës së sotme, avokati mbrojtës i studios “HomePlan” dhe Fatmir Bektashit, ndoqi të njëjtën logjikë si seancat paraardhëse të këtij procesi, duke i kërkuar gjykatës pavlefshmërinë e akteve dhe provave të hetimit të prokurorisë për çështjen “Partizani”.

Për kompaninë “HomePlan”, avokati kërkoi pavlefshmëri të akteve, ndërsa pretendoi se nuk është bërë identifikimi i provave të Bektashit, ndryshe nga “HomePlan”, dhe për rrjedhojë tha se nuk mund të çmohen si prova.

“Si mund të quhen prova të gjitha materialet e marra dhe të pavendosura në subjekt të secilit?”, iu drejtua gjykatës Sokol Hazizaj. Sipas tij, nëse gjykata i pranon këto dokumenta, atëherë i bie që të gjithë ata që kanë blerë në “HomePlan” të jenë të pandehur.

“Kërkoj konstatimin e provave të pavlefshme, pavlefshmërinë e procesverbalëve të marra nga kompjuteri në studion Pustina. Kërkoj nga gjykata të merret një vendim për aktet e ekspertimit, pavlefshmëri të kryerjes së ekspertimit”, kërkoi avokati Hazizaj.

Edhe avokatja e Andia Pustinës, Klodjana Gjyzdari, kërkoi pavlefshmërinë e sekuestrimit të disa sendeve në zyrën e studios “Pustina”, duke shtuar se kontrolli është ushtruar pa vendim gjykate.

Kërkesat e ngjashme kanë bërë në seancat gjyqësore edhe të pandehurit e tjerë të kësaj dosjeje, duke bërë që deri më tani procesi i hetimit gjyqësor të jetë përqendruar tek kërkesat e avokatëve që rrëzojnë thuajse tërësisht hetimet e Prokurorisë së Posaçme.

Në fillim të nisjes së seancës Malltezit iu bë me dije refuzimi i një ndër kërkesave të seancës së shkuar, për lejimin e regjistrimit të seancës. Sipas tij do të tregonte transparencë e do të kuptohej që Gjykata dhe Prokuroria janë bërë leqe-peqe. Kujtojmë që Malltezi në deklarata përpara gazetarve e ka konsideruar këtë gjykim të bazuar në hetime të falsifikuara.

“Kam bërë kërkesë që të regjistrohet e gjithë seanca, për të patur një proces sa më transparent dhe të dëgjohen qëndrimet e të gjitha palëve. Por gjykata e ka rrëzuar këtë kërkesë duke vendosur që mund të lejohet vetëm regjistrimi i fillimit të seancës. Unë nuk mund ta lejoj këtë që të regjistrohen pamje sa për show. Po të jepej e gjitha do ta kuptonit që gjykata dhe prokuroria janë bërë leqe-peqe”, u tha Malltezi gazetarëve.

Në përfundim të kërkesave të paraqitura nga mbrojtësit, prokurori Arben Kraja kërkoi kohë për të përgatitur qëndrimin ndaj kërkesave paraprake të paraqitura nga mbrojtja. Seanca e rradhës do të zhvillohet pas dy javëve, më 13 tetor 2025.

Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe të pandehurit e tjerë akuzohen për “korrupsion pasiv i kryer në bashkëpunim”, në lidhje me privatizimin dhe ndërtimin e 17 pallateve në ish-kompleksin sportiv “Partizani”, një aferë për të cilën SPAK pretendon se i ka sjellë përfitime mbi 5.4 milionë euro dhëndrit të ish-kryeministrit.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.