Çdo ditë, në horizontin e Tiranës lindin silueta të reja kullash. Qyteti, dikur i rrethuar nga kodra të gjelbërta, po mbetet pa frymë mes një pylli betoni që zgjerohet pa ndalim. Pas fasadave prej xhami dhe dizenjove moderne fshihen vendime, marrëveshje dhe interesa që rrallëherë publikohen dhe edhe më rrallë analizohen.
“Shqipëria prodhon më shumë arkitekturë se pjesa tjetër e Evropës,” deklaroi me krenari kryeministri Edi Rama gjatë Festivalit të Arkitekturës, ku mblodhi qindra arkitektë nga e gjithë bota nën moton “Bukë & Zemër”, i zhvilluar në Shqipëri nga 5 deri më 7 qershor 2025.
Të dhënat e mbledhura nga platforma “shteg.org” tregojnë se Shqipëria ka nivelin më të lartë të kontributit të sektorit të ndërtimit në Europë. Ndërkohë që në Bashkimin Europian ndërtimi përfaqëson mesatarisht 5.6% të vlerës së shtuar bruto, në Shqipëri kjo shifër arrin në 14.4%, sipas Eurostat. Vetëm në vitin 2024, sipas të dhënave nga INSTAT, autoritetet shqiptare dhanë leje për ndërtimin e 494 objekteve, një rritje nga 411 në vitin 2023, duke zgjeruar sipërfaqen ndërtimore në gati 2.5 milionë metra katrorë.
Gjatë periudhës 2020–2024, janë miratuar mbi 11 milionë metra katrorë ndërtim i ri, nga të cilat 8 milionë janë realizuar vetëm në Tiranë. Vlera e këtyre investimeve, sipas INSTAT, arrin në 485 miliardë lekë, ose rreth 4.8 miliardë euro. Por pas këtij aktiviteti të vrullshëm, fshihet një anë e errët. Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), në Raportin për Strategjinë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve 2025, paralajmëron se grupe kriminale shqiptare përdorin ekonominë vendase, veçanërisht ndërtimin, për të pastruar para të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Sipas raportit: “Kriminelët pastrojnë të ardhurat përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme, projekteve të ndërtimit, aseteve virtuale dhe zhvillimit të bizneseve.”
Ekspertët vendas po ashtu ngrenë alarmin se sektori i ndërtimit është kthyer në një oaz për pastrimin e parave. Sipas një raporti të Global Initiative (2022), në Shqipëri dyshohet se janë pastruar rreth 666 milionë euro vetëm në sektorin e ndërtimit.
Por përtej bumit të ndërtimit dhe pikëpyetjeve të ngritura nga raportet ndërkombëtare dhe ekspertët, të dhënat e “shteg.org” zbulojnë se një numër i vogël studiosh arkitekturore dominojnë të gjithë sektorin. Mbi 200 objekte të ndërtuara në Tiranë janë projektuar nga një rreth i ngushtë studiosh, çka ngre shqetësime mbi konkurrencën dhe diversitetin në arkitekturë.
Nga “Pylli Vertikal” në “Beton Urban”

Në pranverën e vitit 2016, një grup gazetarësh, të shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, udhëtuan drejt veriut të Italisë për të vizituar “Pyllin Vertikal” në Milano, një projekt i arkitektit të njohur Stefano Boeri. Kjo vizitë nuk ishte rastësore.
Po atë vit, Boeri u kontraktua nga Bashkia e Tiranës për të hartuar Planin e Përgjithshëm Vendor “Tirana 2030”, që përfshinte vizionin e “Pyllit Orbital”, një qytet i mbuluar nga gjelbërimi, i cili do të frenonte ndërtimin e pakontrolluar dhe do të krijonte një ekuilibër mes njeriut dhe natyrës.
Megjithatë, ndonëse ky plan përshkruante kufizime të qarta ndërtimore, vetë Boeri ka projektuar godina që i tejkalojnë këto kufij, si Blloku Cube, Blloku West Residence dhe Pylli Vertikal – të gjitha të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i drejtuar nga Kryeministri.
Boeri u bë aq i kërkuar në tregun shqiptar sa hapi edhe një degë të studios së tij në Tiranë. Zyra, pjesë e kompanisë me qendër në Milano, ofron shërbime në projekte publike dhe private në Shqipëri. Vetëm në vitin 2022, kjo zyrë ka raportuar të ardhura prej 5.7 milionë euro.
Studio Boeri, në bashkëpunim me firma të tjera, ka përfituar mbi 840 mijë euro nga kontrata publike, përfshirë projektimin e lagjes Tirana Riverside, ndërtimin e tre shkollave publike dhe ndërhyrjen në Parkun Arkeologjik të Durrësit.
Tirana Riverside, një lagje model përgjatë lumit, përfitoi statusin e një projekti rindërtimi pas tërmetit të vitit 2019, çka i lejoi autoriteteve të shmangnin procedurat standarde të tenderimit dhe t’ia besonin projektin direkt studios së Boerit.
Në gusht 2023, Studio Boeri fitoi konkursin për projektimin e një kulle pranë Bulevardit të Ri, në bashkëpunim me Son Engineering, ndërsa pak muaj më pas fitoi edhe një tender prej 150 mijë eurosh për projektimin e godinës së Drejtorisë së Transportit Rrugor.
Për arkitektin italian, Shqipëria është kthyer në një “tokë e artë”, ku ka realizuar pjesën më të madhe të projekteve që prej ardhjes në pushtet të socialistëve. Boeri ishte një nga 32 arkitektët që u ftuan në Tiranë në pranverën e vitit 2014, kur Edi Rama, sapo emëruar Kryeministër, nisi nismën për të ndërtuar një qytet të ri, “Tirana e Gjeneratës Tjetër”.
Të ftuarit erdhën me ide, me përvojë dhe me etje për të ndërtuar. Sot, projektet e tyre nuk janë më në letër: ato janë kthyer në realitet. Kulla që prekin qiellin, struktura futuriste dhe ndërtime të shumta kanë ndryshuar jo vetëm fizionominë e Tiranës, por edhe frymën e saj.
Hapësirat publike janë tkurrur, ndërsa godina të reja janë ngritur aty ku dikur qëndronin monumente, ndërtesa historike dhe trashëgimi kulturore. Ndërsa një pjesë e shoqërisë e sheh këtë zhvillim si modernizim, të tjerë e përjetojnë si zhbërje të kujtesës urbane.
Arkitektët nën hetim

“Jam në Tiranë. Kthehem të premten.” Mesazhi i shkurtër u dërgua më 1 mars 2022. Arkitekti italian, Stefano Boeri, njoftonte mikun e tij të vjetër, Paolo Tamburelli, se ndodhej në kryeqytetin shqiptar.
Tamburelli nuk vonoi të kthehej me një kërkesë specifike. Dëshironte ndihmën e Boerit për të përfshirë studion e tij “BAUKUH” në një projekt prej 3.5 milionë euro për ndërtimin e një kampusi universitar në Tiranë.
Një ditë më vonë, telefoni i Boerit tingëlloi sërish. Në anën tjetër ishte përsëri Tamburelli. Pasi përfunduan bisedën, arkitekti italian mori detaje të hollësishme për projektin.
Tamburelli i kërkon Boerit që të takohet me Arbin, ose kryetarin e Bashkisë, dhe t’i theksojë rëndësinë e përfshirjes së BAUKUH si mbikëqyrës për të garantuar cilësinë e projektit.
Në mesazhet që më vonë do të bëheshin pjesë e dosjes së Prokurorisë së Milanos, projekti mund të shtyhej dhe të realizohej “në mënyrë joformale”.
Në sfondin e këtyre bisedave, në Itali zhvillohej një hetim i gjerë nga Prokuroria e Milanos.
Në vitin 2024, Prokuroria e Milanos kërkoi arrest shtëpie për Stefano Boerin dhe kolegun e tij Cino Zucchi, të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre në lidhje me konkursin e Bibliotekës Evropiane të Informacionit dhe Kulturës (BEIC).
Dosja e Prokurorisë përfshinte 70 persona nën hetim, mes tyre: Stefano Boeri, Paolo Tamburelli, Manuela Fantini, Cino Zucchi, Andrea Caputo. Shumica prej tyre kishin marrë pjesë në projekte në Shqipëri. Vetëm dy prej tyre, Floridi dhe Lunati, nuk kishin lidhje me vendin tonë.
Arkitekti italian akuzohet për manipulimin e një prej tenderëve më të rëndësishëm të viteve të fundit: ndërtimi i BEIC, me vlerë mbi 8.6 milionë euro.
Boeri ishte pjesë e komisionit që do të përzgjidhte projektin fitues. Ai dhe kolegu i tij, Cino Zucchi, kishin deklaruar zyrtarisht se nuk ndodheshin në konflikt interesi. Por hetimet zbuluan të kundërtën. Ata kishin kontakte të drejtpërdrejta me njërin nga grupet konkurruese: ONISTESTUDIO BAUKUH SCE, pikërisht aty ku bënte pjesë edhe Paolo Tamburelli.
Projekti ishte supozuar të ishte anonim, por mesazhet dhe takimet e dokumentuara treguan se Boeri dhe Zucchi e dinin mirë se cilin projekt duhej të mbështesnin. Përtej lidhjeve profesionale, ata kishin interesa të përbashkëta akademike, financiare dhe personale me arkitektët që paraqisnin atë projekt.
Më 3 mars, Boeri i shkroi mikut të tij: “Fola me Arbin. Do të të telefonohemi pasdite.”
Në periudhën kur Tamburelli kërkonte ndihmën e Boerit për kampusin universitar, Arbian Mazniku ishte ende nënkryetar i Bashkisë. Ai prezantonte me entuziazëm planet për ndërtimin e kampusit në zonën e “Qytetit Studenti”.

Kampusi Universitar i Tiranës ka qenë përherë pjesë e premtimeve elektorale, nga viti 2015 kur u hodh për herë të parë si ide, e deri në shkurt 2025, kur Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, premtoi se do të nisnin shumë shpejt punimet në një ceremoni inaugurimi të dy godinave të konvikteve në qytetin e nxënësve. Ende sot e kësaj dite nuk ka asgjë të qartë në lidhje me këtë projekt, përveç premtimeve nga ana e institucioneve.
Hetimi dhe përgjimi i Boerit sjell informacione edhe në lidhje me aktivitetin e tij në Shqipëri.
Stefano Boeri, si kreu i komisionit të vlerësimit të ofertave, shpalli fitues grupin e arkitektes Manuela Fantini.
Kjo e fundit, me studion SCE Project, ka bashkëpunuar me Stefano Boerin për projektet Blloku Residence, Blloku Cube, Tirana Riverside dhe Vertical Forest. Palët do të kenë bashkëpunim edhe në ndërtimin e Godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit, ku Boeri, thuhet në dosje, ka paguar 12 mijë euro Fantinit vetëm për bashkëpunimin në këtë projekt.
Prokuroria e Milanos kërkoi arrestin e shtëpisë për Boerin dhe miqtë e tij arkitektë në janar të këtij viti.
Gjykata nuk pranoi pretencën e prokurorisë, duke përjashtuar fillimisht arrestin e shtëpisë, por duke vendosur masa më të buta për 68-vjeçarin në shkurt. Arkitekti nuk lejohet që për një vit të marrë pjesë në konkurse publike apo të jetë pjesë e jurive që japin projekte. “Jam shumë i lumtur që nuk u pranua arresti i shtëpisë dhe mund të vazhdoj punën time si arkitekt dhe projektet që kam”, u shpreh italiani për mediat e vendit të tij pas vendimit nga Gjykata e Milanos.
Pavarësisht akuzave të para, Boeri u shfaq në Tiranë në festivalin e arkitektëve “Bukë dhe Zemër”. Ai mbajti një fjalim të gjatë ku shpjegonte pse e konsideronte Tiranën si një “mrekulli urbane”.
E ndërsa në Tiranë i foli audiencës për “Morfologjinë e një pylli vertikal”, në Milano ai u përfshi në një tjetër hetim të autoriteteve vendase.
Ai u përfshi nën hetim nga Prokuroria e Milanos për ndikim të drejtpërdrejtë dhe presion ndaj komisioneve të dhënies së miratimeve për projektin e tij “Botanical Tower”, pjesë e dosjes “Pirellino”.
Ish-pallati komunal u ble nga sipërmarrësi i ndërtimeve, Manfredi Catella, dhe u projektua të ndryshohej sipas idesë së Boerit në “Botanical Tower”.
Komisioni i Peizazheve në qershor të vitit 2023 kishte refuzuar projektin; sipas tyre ishte shumë i rëndë dhe i papranueshëm.
Pasi komisioni refuzoi projektin, Boeri dhe sipërmarrësi Catella nisën presione të drejtpërdrejta ndaj zyrtarëve vendorë dhe anëtarëve të komisionit.
Prokuroria italiane dokumentoi komunikime të shumta, mes të cilave një mesazh që Boeri i dërgoi kryebashkiakut të Milanos, Giuseppe Sala: “Merre si paralajmërim për nesër.”
Një ditë më vonë, komisioni ndryshoi qëndrim dhe dha miratimin. Prokuroria e Milanos e konsideron këtë si presion të hapur dhe ka pasur një qasje pozitive për ndjekjen penale.
Boeri ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se është i bindur se kompania e tij ka vepruar brenda rregullave.
Prokuroria ka kërkuar arrestimin e 6 personave të cilët dyshohen për korrupsion në dhënien e lejeve për ndërtime në Milano. Mes emrave kryesorë të përfshirë, përveç arkitektit, është edhe kryetari i Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala.
Nuk është vetëm Boeri …

Probleme me drejtësinë italiane ka edhe arkitekti i 10 kullave që kanë kapur qiejt e Tiranës, Marco Casamonti.
Themelues i studios ndërkombëtare Archea Associati, ai është përfshirë në disa hetime penale në Itali që lidhen me korrupsion dhe manipulim tenderash. Në Firence, Casamonti është arrestuar si pjesë e një hetimi për manipulimin e një tenderi të prokuruar nga Komuna e Terranova Bracciolini (Arezzo), për një projekt rinovimi me vlerë 98 mijë euro.
Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi se Casamonti dhe ish-këshilltari komunal Gianni Biagi kanë ndërhyrë për të favorizuar përzgjedhjen e profesionistëve të afërt me grupin Ligresti në projektin e urbanizimit të Kalasë së Firences, një pronë në zotërim të kompanisë Fondiaria-Sai.
Hetimet, të drejtuara nga prokurori Giuseppe Quattrocchi, kanë përfshirë gjithashtu zyrtarë publikë dhe profesionistë të tjerë. Për Casamontin, autoritetet kanë ngritur shqetësime për rrezik të përsëritjes së veprës penale.
Pavarësisht akuzave në vendin e tij, Marco Casamonti ka qenë një figurë qendrore në zhvillimet urbane në Shqipëri gjatë dekadës së fundit.
Ai hyri në tregun shqiptar me projektin e kullës Forever Green, e vendosur përballë Kishës Ortodokse në Tiranë, dhe më pas projektoi stadiumin Air Albania.
Ky i fundit u ndërtua nga kompania Albstar, e cila financoi të gjithë projektin në këmbim të të drejtës për të ndërtuar një kullë shumëkatëshe brenda kompleksit të stadiumit.
Në atë kohë pati një debat të madh në Shqipëri lidhur me shembjen e objektit të vjetër, që ishte pjesë e ansamblit të Bosio-s, arkitektit italian që ka projektuar një sërë ndërtesash në qendrën e qytetit gjatë pushtimit fashist, të shpallur “monument kulture”.
Që nga viti 2016, përmes studios Archea Albania, Casamonti ka hartuar një sërë projektesh të mëdha si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Ai ka përfituar kontrata përmes procedurave me negocim të drejtpërdrejtë, përfshirë përgatitjen e planit të detajuar vendor për zonën e Kombinatit me vlerë 200 mijë euro, si dhe është shpallur fitues i tenderit për masterplanin ajror të aeroportit të Vlorës në bashkëpunim me një firmë shqiptare.
Casamonti është autori i disa prej ndërtesave më të mëdha në Tiranë. Një kullë 25-katëshe në rrugën Liman Kaba, me leje ndërtimi të dhënë më 1 gusht 2023, me investitor firmën Unico Construction, mban firmën e tij. Po ashtu edhe një hotel 12-katësh në zonën e ish-Bllokut dhe një kullë 30-katëshe në lagjen Don Bosko, projekte të biznesmenit Lefter Sota, janë projektuar nga arkitekti italian.
Dy kulla të tjera shumëkatëshe në Tiranë, përkatësisht me 56 dhe 44 kate, në Bulevardin e Ri dhe Bulevardin “Gjergj Fishta”, po ashtu janë projektuar nga studio e tij, ndërsa gjashtë godina në zonën e Liqenit Artificial, pranë hotelit Mak Albania, janë në ndërtim e sipër.
Pjesëmarrja intensive e studios së Casamontit në transformimin urban të Tiranës ka ngjallur debat dhe shqetësim publik, veçanërisht për faktin që projektet e tij kanë ndikuar në ndryshimin e peizazhit historik dhe urbanistik të qytetit.
Pushteti i arkitektëve së huaj

Çdo rrugë e re, çdo bulevard dhe çdo shesh në Tiranë sot shoqërohen me firmat e huaja të arkitekturës që dominojnë skenën urbane.
Qyteti është kthyer në një terren të hapur për studio ndërkombëtare, të cilat në vendet e tyre veprojnë me standarde shumë të rrepta profesionale, por në Shqipëri kanë akses të veçantë dhe shpesh përfshihen në kontrata pa konkurrencë.
Kjo politikë e përfshirjes së arkitektëve të huaj nisi me Edi Ramën si kryetar bashkie. Plani Urbanistik i Tiranës, dy dekada më parë, u përcaktua përmes një konkursi në vitin 2003, nën koordinimin e tij.
Fitues u shpall plani i francezëve të Architecture – Studio, ndërkohë që konkuruan edhe gjermanët e Bolles & Wilson dhe firma belge 51N4E.
Në dy dekadat që pasuan, dy studiot e huaja janë përfshirë në projektet më të rëndësishme ndërtimore në vend.
Firma belge 51N4E ka luajtur rol kryesor në hartimin dhe mbikëqyrjen e Sheshit Skënderbej, Qendrës për Hapje dhe Dialog në Kryeministri, dhe në zhvillimin e disa zonave të Tiranës, duke punuar me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Së fundmi, ajo mori “Masterplanin për kompleksin sportiv të stadiumit Niko Dovana” në Durrës, përmes një procedure negociimi pa garë, me një kontratë prej 440 mijë eurosh.
Gjithashtu, 51N4E ka projektuar më parë Lumin e Lanës, bllokun Noka, kullën TID ku ndodhet hoteli Maritim Plaza, si dhe Godinën Book Building pranë Kullës së Sahatit, monument kulture i kategorisë së parë.
Edhe pse dega e kompanisë në Tiranë u themelua në vitin 2008 dhe në fillim nuk ishte shumë aktive, të ardhurat e saj nisën të rriten ndjeshëm nga viti 2013, duke arritur në 100 mijë euro. Në vitet e fundit, arkëtimet mesatare kapin mbi 500 mijë euro, ndërsa në vitin 2022, 51N4E regjistroi 910 mijë euro të ardhura dhe 330 mijë euro fitim pas taksave.
Në total, gjatë 10 viteve të fundit, firma belge ka realizuar 5.3 milionë euro të ardhura dhe 1.8 milionë euro fitim neto.
Studio gjermane Bolles & Wilson ka ndërhyrë në qytetin e Korçës, duke realizuar projekte si Pazari i Vjetër dhe biblioteka publike. Megjithë vlerësimet pozitive për cilësinë, këto projekte janë rezultuar me kosto të larta dhe pa konkurencë.
Ajo ka fituar gjithashtu projekte nën ombrellën e Rilindjes Urbane, të cilat ishin në portofolin e zëvendëskryeministrit Niko Peleshi gjatë viteve 2015-2017.
Bolles & Wilson ka marrë dy kontrata nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, njëra përmes negociimit pa garë dhe tjetra si fituese, edhe pse ofroi çmimin më të lartë. Studio është autore e shtesës 33-katëshe pranë Hotel Tiranës dhe një godine 27-katëshe në rrugën Gramoz Pashko.
Holandezi MVRDV ka kontribuar në transformimin e Piramidës së Tiranës në bashkëpunim me AADF, ku arkitekti kryesor është Winnie Mass.
Mass vizitoi Shqipërinë për herë të parë në vitet kur Edi Rama nisi ngjyrosjen e fasadave të pallateve si kryebashkiak. Ai hartoi në vitin 2008 planin për Sheshin Skënderbej, projekt i financuar nga bashkia dhe qeveria e Kuvajtit, por që nuk u zbatua për shkak të kundërshtive politike.
Në 2014, Mass u rikthye dhe që nga ajo kohë ka qenë autor i shumë projekteve private dhe i planit për restaurimin e Piramidës, projekt i mbështetur nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit. Në vitin 2018, MVRDV mori kontratë për restaurimin e mauzoleut të ndërtuar në nder të diktatorit Enver Hoxha.
Qëllimi ishte që ndërtesa të ishte e hapur për publikun dhe të shërbente si qendër trajnimi në teknologji dhe inovacion për të rinjtë.
Projekti u realizua nga kompania vendase Fusha, ndërsa punimet iu nënshtruan rregullave të prokurimit publik, pasi pjesë e financimeve erdhën nga buxheti i shtetit.

Studio MVRDV është angazhuar edhe në ndërtimin e Down Town One, një nga godinat më të larta në kryeqytet, për Kastrati Construction. Fillimisht projekti parashikonte një ndërtesë 37-katëshe për rezidenca dhe zyra, por më pas u shtuan kate shtesë për hotel.
Një tjetër projekt i holandezëve është Kulla e Skënderbeut, pranë Hotel Tiranës, e dizajnuar me elemente që nderojnë heroin kombëtar.
Kompania ka punuar më parë për qendrën tregtare Toptani dhe projektin fillestar të kullave te Liqeni Artificial, projekti i fundit që nuk u realizua sipas idesë së tyre.
Në vitin 2010, arkitekti danez Bjarke Ingels, kreu i studios ndërkombëtare BIG, vizitoi Shqipërinë dhe projektoi Muzeun e Tolerancës Fetare, një ide që nuk u realizua për shkak të përplasjeve politike mes bashkisë dhe qeverisë.
Ai u rikthye në 2017 dhe u kontraktua nga kompania Fusha për të projektuar Teatrin Kombëtar. Projekti u kundërshtua nga artistë, aktivistë, organizata ndërkombëtare dhe partitë opozitare, ndërsa procedura e ndërtimit u konsiderua e paracaktuar.
Teatri u shemb më 17 maj 2020, në kulmin e pandemisë Covid-19, dhe bashkia hap një tender për projektimin e tij me të njëjtin dizajn, ku fitues ishin A&E Engineering dhe FM Ingegneria, me kontratë 720 mijë euro.
Shumë prej ndërtesave të mëdha realizohen nga studio të huaja, që krijon probleme në planifikimin urban, pasi nuk përfshijnë mjaftueshëm kulturën dhe terrenin lokal.
Inxhinieria Luljeta Bozo shpreh se nuk është dakord që shumica e projekteve të mëdha t’u jepen vetëm studiove të huaja, pasi ata nuk njohin historinë dhe kontekstin ashtu si shqiptarët.
“Nuk jam dakord që shumica e projekteve të mëdha të realizohen dhe të fitohen nga studio të huaja. Ne kemi projektues, arkitekt dhe inxhinierë shumë të mirë. Patjetër, që për kulla shumë të larta dhe projekte gjigande do të ketë bashkëpunime ndërmjet studiove të huaja dhe shqiptare, por jo të jenë vetëm të huaj. Nuk mund ta njohin historinë, relievin dhe kontekstin siç e njohin shqiptarët“, thotë inxhinieria e ndërtimit, Luljeta Bozo, për “shteg.org”.
Eduart Ndoci, menaxher agjencie pasurish të paluajtshme, thotë se tregu nuk është më optimal, çmimet janë rritur shumë dhe kjo ka krijuar vështirësi për blerësit. Ai nuk përjashton që ndikimi i studiove të huaja arkitekturore mund të jetë një faktor shtesë.
“Tregu nuk është më i miri i mundshëm, ka pasur shumë problematika. Çmimet janë rritur shumë dhe sigurisht që ka pasur vështirësi dhe për njerëzit që të blejnë hyrje. Nuk di të them me siguri nëse kanë ndikuar dhe studiot arkitekturore të huaja, por mendoj se mund të jetë dhe kjo arsye“, thotë Eduart Ndoci.
Gazetar dhe bashkëpunëtor në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.