Prokuroria e Fierit ka kërkuar dënimin e ish-kryeinspektorit të Inspektoratit të Ndërtimit në Lushnje, Gjergj Mëhilli, i akuzuar për “shpërdorim detyre” në lidhje me një leje ndërtimi të dhënë në lagjen “Kongresi”. Hetimet kanë zbuluar se objekti i miratuar është ndërtuar mbi dyfishin e sipërfaqes së lejuar, duke shtuar 276 m² përtej lejes së bashkisë në vitin 2021.
Mëhilli u pezullua nga detyra në tetor 2022, pasi ndaj tij rëndonin akuzat për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Prokuroria e Fierit, pas katër vitesh hetime, ka dërguar për gjykim tre të pandehur: ndërtuesin, ekspertin dhe ish-kryeinspektorin e IKMT-së së Lushnjes, nën akuzat “ndërtim pa leje”, “ekspertim i rremë” dhe “shpërdorim detyre”.
Sipas prokurorisë, ndërtuesi Quka ka realizuar 77% më shumë punime nga sipërfaqja e miratuar, ndërsa eksperti E.S. ka paraqitur të dhëna të manipuluara për të fshehur ndërtimin e paligjshëm.
Ky proces i ri gjyqësor vjen pas një serie procedimesh të ngjashme. Vetëm në tetor 2022, Gjykata e Shkallës së Parë në Lushnje dënoi 12 persona të tjerë të implikuar në ndërtime pa leje, mes tyre dy ish-kryeinspektorë, inspektorë, punonjës policie dhe të pandehur të tjerë.
Sipas statistikave të Prokurorisë së Përgjithshme, në vitin 2021 u regjistruan 1,757 procedime penale për “ndërtim pa leje” në Shqipëri.
Tirana kryesoi listën me numrin më të lartë të rasteve, e ndjekur nga Saranda me 284 dhe Vlora me 235.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama në gusht 2013, pak muaj pas ardhjes në pushtet, premtoi se ndërtimet pa leje do të ishin një “kapitull i mbyllur”, por ndërhyrjet për prishjen e tyre vijojnë ende sot, pas 12 vitesh. “Çdo karabina e ndërtuar deri tani duhet shembur. Në aspektin afatgjatë, duhet një ndërhyrje në ligj qoftë në mënyrën si do menaxhohen hapësirat publike, qoftë si do garantohet që cikli i ndërtimeve pa leje të jetë një cikël i mbyllur” shprehej Rama në gushtin e 2013, viti kur fitoi mandatin e parë.
Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.