Avokati Radovan Çela, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare, ka vendosur të dorëzohet më 5 mars 2025 në policinë e Tiranës.
Sipas Gjykatës së Posaçme, avokati Çela dyshohet se ka ofruar përfitime të paligjshme për të ndikuar në vendimmarrjen e funksionarëve të drejtësisë mbi të janë ngarkuar veprat penale të përsëritura: “korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” e kryer dy herë, një herë në bashkëpunim, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ndaj avokatit Radovan Çela janë ngritur akuzat për të paktën dy herë për korrupsion aktiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pesë herë për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, katër herë në bashkëpunim me persona të tjerë.
Çela është i përfshirë në dosjen e ish-Kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka ku janë përfshirë gjithashtu ish-oficerja e policisë gjyqësore, Erjona Daupaj dhe Astrit Vladi.
SPAK ka dorëzuar më 30 dhjetor 2024 dosjen penale ku ka rezultuar se të katërt dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndërhyrë në 8 dosje penale duke ofruar dhe premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim tek funksionarët e drejtësisë për të lehtësuar rrethanat.
Më 20 shkurt 2025 gjykata vendosi veçimin e çështjes për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka nga të pandehurit e tjerë që ndodhen në kërkim, dhe pranoi kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të tij. Zarka është marrë i pandehur për korrupsion dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm, ndërsa emri i tij doli pas zbërthimeve të aplikacionit Sky Ecc.
Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal si edhe nga burimet e provave të mbledhura dhe të administruara gjatë hetimeve paraprake është provuar fakti se të pandehurit Astrit Vladi, Radovan Çela, Eriona Daupaj dhe Aurel Zarka në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë.
Ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka u arrestua më 29 korrik 2024 me kërkesë të SPAK dhe firmosur nga GJKKO. Sipas SPAK, të dyshuarit kanë ndërhyrë, marrë ryshfet dhe dhënë ryshfet funksionarëve të drejtësisë në 8 çështje penal, 4 nga të cilat të lidhura për dosjen “Toyota Yaris” që kur dosja ishte te Prokuroria e Krimeve të Rënda e më pas kur ajo shkoi në Gjykatën e Tiranës në hetimet paraprake e deri te hetimet pasurore ndaj personave të akuzuar.
Gjithçka është zbuluar nga komunikimet në SKY ECC dhe Enchro Chat, ku mësohet se vetëm prokurori Aurel Zarka ka pasur 4 kode, ku komunikonte me Dautajn, edhe kjo me llogari të saj në platforma komunikimi. Mes çështjeve të tjera ku ka ndikuar prokurori është edhe ajo për hetimin pasuror ndaj Suel Çelës, i nisur nga operacioni “Forca e Ligjit”. Këtu kryeprokurori i Vlorës ka tentuar të ndikojë tek prokurorët në Prokurorinë e Posaçme.
Dyshohet se ata kanë ndërhyrë në çështjen penale në ngarkim të shtetases Xhoi Mansaku, e akuzuar për veprën penale “Vjedhje” e mbetur në tentativë dhe mosfillimin e procedimit penal për referimin penal nr.669 datë 26.03.2020 të dërguar nga Komisariati i Policisë Himarë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë si dhe një çështje në ngarkim të Altin Veizaj etj, të akuzuar për veprën penale “Kultivimi i narkotikëve”.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.