Prezantimi në Kuvend i raportit vjetor të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) në seancën parlamentare të 15 korrikut 2024 nisi si proces rutinë, por përfundoi në përballje të kryeprokurorit Altin Dumani me opozitën për më shumë se 3 orë.
Nëpërmjet pyetjeve të ardhura nga 16 deputetët, opozita pretendoi për ndikim politik të veprimtarisë së SPAK-ut në çështjet që lidhen me kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, dhe kreun e opozitës Sali Berisha.
Deputetët e djathtë pretenduan se prokurorët nuk mund të arrestonin zyrtarët e lartë dhe njerëzit e tyre të lidhur për shkak të kontrollit nga pushteti ekzekutiv apok si dhe e quajtën ata, vendosjen e vijës së kuqe.
Por, për kreun e SPAK-ut, faktet tregojnë krejt të kundërtën.
“Shyqyr që erdhi kjo ditë që të arrestosh një ish-ministër, ish-kryeministër, gjyqtar, prokuror apo deputet. Falë hetimit profesional të SPAK-ut jemi këtu ku jemi dhe hetimet vazhdojnë të kryhen. Kërkon kohë hetimi, nuk është kaq i thjeshtë,” tha Dumani, sipas të cilit ka një ndryshim të madh mes akuzave dhe hetimit profesional të strukturave ligjzbatuese.
“Nuk kemi vijë të kuqe nga askush, as unë, as ndonjë prokuror tjetër. Vetë Kushtetuta dhe ligji na e garanton këtë pavarësi. Ka vetëm një vijë të kuqe: provat dhe ligji,” deklaroi Dumani.
Duke iu referuar shifrave, Dumani tha se gjatë vitit 2023 janë regjistruar 299 procedime penale dhe 212 persona janë vendosur nën hetim apo dhe arrestuar si të dyshuar për përfshirjen e tyre në vepra penale të korrupsionit.
Raporti vjetor i SPAK-ut tregon se përgjatë për tre vite janë regjistruar 708 procedime me 575 persona nën hetim “në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Nga këto, 447 çështje me 212 persona nën hetim janë regjistruar për veprën penale të “korrupsionit”.
Por, amnistia penale e miratuar prej Kuvendit më 3 prill 2024, duket se ka “shpëtuar” gjysmën e të arrestuarve apo të të hetuarve nga prokurorët e SPAK-ut.
Përkundër garancisë së dhënë nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, se “nuk do të përfitojë asnjë zyrtar i dënuar nga Gjykata e Posaçme”, shifrat e deklaruara nga Dumani tregojnë krejt të kundërtën.
“Nga ky ligj përfituan subjekte që ishin dënuar nga Gjykata e Posaçme, për shembull 40 persona kanë përfituar përjashtim nga dënimi, 65 persona kanë përfituar nga zbritja e dënimit, 12 persona kanë përfituar nga ndjekja penale,” u shpreh Dumani, duke ftuar parlamentin të bëjë vetëvlerësimin se sa kjo amnisti ka ndikuar apo dhe do të ndikojë në rezultatet e punës së SPAK-ut.
“Kjo kompetencë i takon Kuvendit dhe vetëm ai mund ta vlerësojë”, tha kryeprokurori.
Kreu i SPAK-ut u pyet nga deputetët e opozitës për çështje konkrete si hetimet për koncesionet në shëndetësi, inceneratorin e Tiranës, skemat me mikrokreditë, korruptimin e zyrtarit të CIA-s McGonigal, bllokimin e fondeve të IPARD-it, dhe sidomos për procesin hetimor ndaj kryetarit të opozitës, Sali Berisha.
Dumani refuzoi të përgjigjej duke argumentuar se këto çështje “janë nën hetim”.
“Unë jam drejtues i Prokurorisë së Posaçme, kam ardhur të raportoj për veprimtarinë e institucionit që drejtoj gjatë vitit 2023, nuk mund të jap përgjigje për çështje konkrete, për më tepër ato që janë në fazë hetimi paraprak,” këmbënguli Dumani.
Shembja e Teatrit Kombëtar, tjetërsimi i pronave në Rrugën e Kavajës, krimet zgjedhore, rrjedhjen e të dhënave personale me skandalin e patronazhistëve ishin çështje të tjera për të cilat kreu i SPAK-ut u pyet nga deputetët e opizitës.
Dumani siguroi se SPAK-u po punon për një strategji me plan masash për të bashkërenduar burimet njerëzore dhe logjistike në hetimin e tyre, kjo në bashkëpunim me institucionet e tjera, strategji kjo që pritet të bëhet publike janarin e vitit 2025.
Lidhjet e forta të grupeve kriminale
Gjatë prezantimit të raportit të vitit 2023 kreu i SPAK-ut ka folur dhe për strukturën dhe lidhjet e forta të grupeve kriminale shqiptare.
Duke iu referuar vlerësimeve të hetuesve dhe partnerëve ndërkombëtarë, Dumani i përshkroi “grupet kriminale shqiptare si ndër më të rrezikshmet në rrafshin e trafikut ndërkombëtar të kokainës ku, në disa vende, zënë pozicion dominues”.
“Krimi shqiptar është një ndër më të sofistikuarit, hetimet tona kanë treguar lidhje të forta dhe kontakte të drejtpërdrejta me kartelet e Amerikës Latine, ku prodhohet kokaina. Portet e preferuara nuk janë portet shqiptare, janë ato të Belgjikës, Gjermanisë, Holandës, Italisë, tashmë dhe portet nordike. Grupet shqiptare synojnë trafikimin drejtpërdrejt nga vendet e Amerikës Latine në vendet evropiane ku konsumi është më i lartë,” deklaroi kryeprokurori.
Grupet kriminale shqiptare u profilizuan nga Dumani si të dhunshme, të afta të organizojnë vrasje të sofistikuara dhe forma të koduara komunikimi, bashkëpunues me grupet e tjera, si dhe me një strukturë organizimi me mesatarisht 15-25 anëtarë. Karakteristikë është dhe angazhimi i femrave dhe i përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë apo punonjësve të policisë në këto organizata.
Kreu i SPAK-ut i vlerësoi këto karakteristika jo vetëm si fakt i rritjes së pushtetit të grupeve kriminale, por dhe si një shqetësim për forcat ligjzbatuese.
Për sa i përket implikimit në organizata kriminale të efektivëve të policisë, Dumani tha se “janë 69 punonjës të përfshirë në krime”, por që sipas tij këto raste nuk e kanë dëmtuar tërësisht bashkëpunimin mes institucioneve, pasi policia mbetet ndër raportueset kryesore të rasteve për hetim në SPAK.
Dumani përmendi edhe “mashtrimin kompjuterik me miliona euro ndaj shtetasve evropianë” si një nga aktivitetet me vëmendje kryesore nga SPAK-u teksa tha se në bashkëpunim me strukturat e tjera gjatë vitit 2023 është mundur të bllokohen me masa sekuestrosh apo konfiskimi 41 milionë euro asete nga krimi.
SPAK-u u krijua si pjesë e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, të cilat i dhanë nisje të ashtuquajturës “Reformë në Drejtësi”. Zyrtarisht SPAK-u nisi punën më 25 nëntor 2019, edhe pse jo me staf të kompletuar plotësisht.
Rreth pesë vite më vonë, Dumani përmendi si problematika shqetësuese për punën e SPAK-ut mungesën e këshilltarëve ligjorë, pamjaftueshmërinë e prokurorëve, prirjen në ulje të institucioneve për të raportuar për korrupsionin në SPAK – vetëm 12 raste gjatë vitit 2023, – mungesën e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave të autoriteteve të huaja për njohje dhe ekzekutim vendimesh penale të huaja ndaj shqiptarëve në Shqipëri, si dhe mosekstradimi i të dyshuarve shqiptarë të lokalizuar apo ndaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Erblin Vukaj është gazetar i Rrjetit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri. Ai ka përfunduar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës. Vukaj ka punuar që nga viti 2012 në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion, ku ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ai ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.