Vrasja e gjyqtarit Kalaja ngre shqetësime për sigurinë e magjistratëve

Krerët e shtetit, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor dënojnë aktin dhe ngrenë shqetësimin për sigurinë e magjistratëve në vend.

9
Këshilli i Drejtësisë
Credits: exit.al - Këshilli i Drejtësisë

Ekzekutimi i gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e Gjykatës së Apelit mesditën e së hënës ka shkaktuar reagimet e institucioneve të drejtësisë, por edhe të krerëve të shtetit, të cilët kanë dënuar ngjarjen, por dhe kanë ngritur pikëpyetjen mbi sistemin e sigurisë së magjistratëve në vend.

Prezenca e OSBE-së dënoi aktin duke theksuar: “Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike”.

Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë, në një deklaratë për shtyp, përveç ngushëllimeve që dha për familjen Kalaja, thekson rëndësinë e sigurisë së magjistratëve:

“Në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar në ushtrimin e detyrës së tij, jo vetëm nga pikëpamja fizike e infrastrukturore, por edhe përmes një klime publike të respektit dhe përmbajtjes në gjuhën që përdoret ndaj figurës së tij. Çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor” – thuhet në deklaratë.

Në të njëjtën linjë ishte edhe deklarata e Këshillit të Lartë Gjyqësor:

“Ky akt i rëndë cënon themelet e shtetit të së drejtës, sigurinë e institucioneve të drejtësisë dhe besimin e publikut te gjykatat. Dënojmë me forcë aktin kriminal të vrasjes së kolegut tonë, si edhe theksojmë se çdo akt që sulmon apo cenon integritetin e gjykatave, dëmton gjithçka që ndërtojmë me punë dhe përkushtim”.

Këshilli nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së integritetit dhe sigurisë së magjistratëve:

“Cënimi i integritetit fizik të gjyqtarëve përbën sulm të drejtpërdrejtë, jo vetëm ndaj magjistratëve, por edhe ndaj shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike, si dhe interesit dhe besimit të publikut”.

Ndërsa për Gjykatën e Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ekzekutimi i gjyqtarit në sallën e gjyqit është tregues i mungesës së sigurisë në vend:

“Ngjarja e sotme është një alarm për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin magjistratët në Republikën e Shqipërisë. Gjyqtarët janë shtylla të sistemit të drejtësisë dhe garantues të shtetit të së drejtës, ndaj siguria e tyre personale është jo vetëm një detyrim institucional, por një domosdoshmëri për funksionimin normal të sistemit demokratik dhe sundimit të ligjit” – thuhet në deklaratën e Gjykatës së Posaçme.

Ndërsa Presidenti Bajram Begaj e cilësoi aktin si “të patolerueshëm dhe sulm ndaj vetë sistemit të drejtësisë”:

“Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë” – thuhet në reagimin e Presidentit Begaj.

Ndërsa Kryeministri i vendit, duke dënuar aktin dhe shprehur ngushëllime familjes, shfrytëzoi ngjarjen për të paralajmëruar ashpërsimin e Kodit Penal në vend:

“Kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit! Ndërkohë, kjo ngjarje tragjike besoj se është argumenti më i pakundërshtueshëm për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme! Lutem gjithashtu që ky moment kaq tronditës të nxisë edhe një reflektim për lehtësinë me të cilën trajtohet rëndom armëmbajtja pa leje në proceset gjyqësore” – thuhet në reagimin e Kryeministrit Rama.

Reagimet politike nuk vonuan po ashtu menjëherë pas ngjarjes.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi ngjarjen “akt kriminal të shëmtuar dhe dëshmi të pasigurisë në vend”, duke nënvizuar se është e domosdoshme të adresohen jo vetëm aktet kriminale, por edhe pasiguritë që rrezikojnë magjistratët.

Deputeti Ervin Salianji e konsideroi ngjarjen “më shumë se një krim të rëndë” dhe një “dështim të thellë të sistemit të sigurisë në vend”:

“Dhuna brenda një institucioni të drejtësisë është një goditje ndaj themeleve të shtetit ligjor. Sulmet ndaj magjistratëve janë jo vetëm tragjedi për familjet dhe kolegët, por edhe sinjal i qartë që institucionet tona po dështojnë në detyrën më themelore”.

Ai i dha kështu një zë shqetësimeve të shprehura nga Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor për sigurinë dhe respektin ndaj magjistratëve.

Reagimet e njëpasnjëshme, nga Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, deputetë, Presidenti, Kryeministri, partitë politike dhe organizatat ndërkombëtare, tregojnë një konsensus të qartë. Mbrojtja e gjyqtarëve dhe ruajtja e integritetit të drejtësisë janë thelbësore për besimin e qytetarëve dhe stabilitetin e shtetit ligjor.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.