Pas pesë vitesh hetime, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Europol dhe autoritetet europiane, ka zbardhur vrasjen e Klevis Lleshit. Katër urdhër-arreste janë lëshuar, dy prej tyre ekzekutuar dhe dy persona të tjerë janë ende në kërkim. Hetimet zbulojnë një skemë kriminale që përfshin vrasje me pagesë, fshehje kufomash dhe përfitime financiare nga aktiviteti kriminal, duke vënë në pah përshkallëzimin e një hakmarrjeje mes familjeve Lleshi dhe Hoxha.
Prokuroria lëshoi katër urdhër-arreste lidhur me vrasjen e Klevis Lleshit, ngjarje e regjistruar nga policia në vitin 2023. Dy nga urdhër-arrestet janë ekzekutuar, ndërsa dy persona të tjerë janë ende në kërkim.
Në pranga ranë Sabah Nuzi dhe Samet Loka, të cilët akuzohen për “vrasje për gjakmarrje”, “fshehje dhe asgjësim kufome”, “pastrim të produkteve të veprës penale” dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal. Ndërsa në kërkim janë shpallur Aurel Hoxha dhe Sajmir Kolaveri për të njëjtat akuza.
Hetimet e SPAK zbulojnë se porositësi i vrasjes mund të jetë biznesmeni Aurel Hoxha, pronar i lokalit “Monopol” në zonën e Myslym Shyrit, Tiranë.
Dyshohet se Hoxha ka urdhëruar vrasjen për hakmarrje ndaj familjes Lleshi, pas vrasjes së vëllait të tij, Agim Hoxha, nga kushëriri i Klevisit, Arben Lleshi, në vitin 2012.
Hetimet e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, kanë dokumentuar se disa shtetas shqiptarë kanë organizuar vrasje kundrejt përfitimeve monetare dhe kanë përdorur paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal për investime të dyshimta.
SPAK raporton se grupi ka krijuar të ardhura të paligjshme nga trafikimi i narkotikëve nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Këto të ardhura janë përdorur për investime në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme.
Hakmarja mes fiseve
Në dimrin e vitit 2023, rrëshqitja e dheut në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit nxori mbi dhe disa mbetje kockore. Banorët e zonës njoftuan policinë dhe analizat e ADN-së konfirmuan se mbetjet i përkisnin Klevis Lleshi, 21 vjeç, i zhdukur tre vite më parë.
“Ne kemi hasëm Ali Hoxhën… Policia asnjëherë nuk më ka kërkuar, e kam kërkuar vetë unë … Për 6 vjet, 2 persona janë të vrarë dhe 2 të zhdukur. Arsyeja është hasmëria.” – deklaronte e ëma, Fatbardha Lleshi.
Konflikti mes familjeve nisi në Angli, ku Arben Lleshi, 25 vjeç, vrau Agim Hoxhën, 29 vjeç, pas një përplasjeje në biznesin e drogës.
Trupi i Agimit u gjet i djegur në makinën e tij për të fshehur gjurmët. Më 30 tetor 2013, Xhavit Lleshi, babai i Klevisit, u vra në fshatin Pujk të Matit. Ai u qëllua me 15 plumba nga një armë automatike, pas disa atentateve të dështuara.
Tre vjet më vonë, Hajredin Lleshi u vra në derë të shtëpisë së tij nga dy atentatorë me pagesë, duke treguar përshkallëzimin e konfliktit dhe paralajmërimet e familjes Hoxha për shuarjen e fisit Lleshi.
Në dhjetorë të 2023, Arben Lleshi, i dënuar për vrasjen e Agim Hoxhës vuante dënimin në burgun e Peqinit. Në qeli, ai u qëllua për vdekje nga një i burgosur tjetër, i cili u identifikua si Sokol Mjacaj.
Mediat britanike shkruanin në atë kohë se dyshja kishin pasur konflikte për pazaret e drogës në të cilët ishin përfshirë dhe aktivizuar në Londër. Autoritetet britanike vunë në pranga Arben dhe Afrim Lleshin. Ky i dyti u akuzua për çorientim të autoriteteve pasi deklaronte se në kohën që ishte vrarë Agimi, Arbeni ndodhej me të. Por presioni bëri që Arben Lleshaj të pranonte krimin e kryer, megjithëse refuzoi ta kishte djegur trupin brenda në makinë.
Lleshaj ishte dënuar me 32 vite burg dhe në vitin 2016 u ekstradua drejt Shqipërisë për të shlyer 28 vitet e mbetura. Por, ndërkohë që Lleshaj kishte marrë dënimin nga drejtësia, familja Hoxha s’e fali! Kështu nisi dhe hakmarrja.
Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.