Informaliteti, pasiguria në punë dhe mosfunksionimi i sindikatave janë vetëm disa prej problematikave kryesore me të cilat përballen gjatë ushtrimit të profesionit punëmarrësit shqiptarë.
Sipas raportit të Inspektoriatit të Punës, gjatë vitit të kaluar, 2024, në mbi 9800 subjektje mbi 2000 punonjës ushtronin punën e tyre në mënyrë informale, ndërkohë që ende punëdhënësit deklarojnë punonjësit me pagë minimale dhe pjesën tjetër të pagesës ua kryejnë në dorë.
Aktivistë të të drejtave të punëtorëve thonë për “shteg.org” se një problematikë madhore në Shqipëri është mosfunksionimi i sindikatave, ç’ka ndikon në heshtjen e punëmarrësve.
Ankesat në rrugë zyrtare
“1 Maji”, njohur ndryshe dhe si “Dita e punëtorëve” zë vend në ditët e festave zyrtare në Shqipëri, megjithatë data që përkujton luftrat historike të punëtorëve në të gjithë botën, në vendin tonë, më shumë se sa një ditë pushimi i ngjason një dite ku sfidat e punëtorëve përsëriten.
Problematikat e përditshme që shoqërojnë punëmarrësit shqiptarë janë të shumta në të gjithë sektorët ekonomikë, duke nisur nga mosdeklarimi i tyre si të punësuar (informaliteti), mungesa e kushteve të sigurisë fizike dhe higjeno-sanitare, mospagesa e pagave të prapambetura, etj.
Sipas raportit të publikuar nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Sociale (ISHPSHS), gjatë vitin të kaluar, 2024, janë 920 punonjës në të gjithë vendin të cilët i janë drejtuar këtij institucioni për të ankimuar problematikat në vendin e tyre të punës. Thënë ndryshe, në mënyrë zyrtare gjatë vitit 2024 kanë ngritur zërin e tyre 120 punonjës më shumë se në vitin 2023.
Kryesisht punonjësit janë ankuar për mospagesën nga ana e punëdhënësit të pagave të prapambetura dhe sigurimeve shoqërore, për punësimin e paligjshëm, ndërprerje në mënyrë të padrejtë të marrëdhënies së punës dhe për trajtim jo të barabartë në vendin e punës.
Konkretisht, 71.3% , ose 122 prej tyre janë ankuar pranë Inspektoriatit të Punës për cënim të marrëdhënieve të punës, 191 të tjerë kanë ankuar për mospagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe 142 për ndërprerje të marrëdhënieve të punës.
Edison Hoxha, Drejtor ekzekutiv i organizatës “Qendra për të Drejtat në Punë” thotë gjatë intervistës për “shteg.org” se problematikat ndryshojnë në çdo vend punë, por disa sektore janë më problematike se të tjerat.
“Ndërtimi është sektori më problematik sa i përket sigurisë në punë, aksidentet më të rënda ndodhin në këtë sektor, ashtu edhe sa i përket shkallës së lartë të informalitetit”, – thotë Hoxha, ndërkohë që në vitin 2024 numri i punëtorëve që kanë gjetur vdekjen pas aksidentimit në vendin e punës janë është 33.
“Tjetër sektor problematik është sektori punonjësve të sektorit fason të cilët vuajnë nga pagat e ulta dhe orët e gjata të punës”, – shton Hoxha, ndërkohë që shton se organizimi kolektiv i punonjësve për të ngritur zërin e tyre ndaj shkeljes së të drejtave në vendin e punës mbetet formal.
“Pothuajse s’ka asnjë ndikim në praktikë për të drejtat e punëtorëve”, – thoë Hoxha.
Informaliteti në vendin e punës

Nga inspektimet e kryera gjatë vitin 2024 nga ISHPSHS-ja rezulton se në 9860 subjekte të ndryshme të punësimit 2600 punonjës kanë rezultuar të punësuar në mënyrë informale. Pra, të punësuar në mënyrë të paligjshme për të cilët subjektet ekonomike nuk kanë paguar as taksat, as siguracionet shëndetësore.
Numri i punonjësve informalë të identifikuar vitin e kaluar ka qenë 32% më i lartë se në vitin paraardhës, 2023, kur numri i punonjësve informalë shkonte në 1965 persona të punësuar në 9938 subjekte të ndryshme.
Ndërkohë, një tjetër problematikë për punëtorët mbetet mungesa e një kontrate individuale.
“Janë konstatuar të punojnë 3952 punëmarrës pa kontrata individuale ose 58 % më shumë se konstatimi i vitit 2023”, – thuhet në raport ndërkohë që 74% e punëmarrësve janë të paguar me pagën minimale.
Sipas raportit, punonjësit e paguar me pagën minimale, vlera e së cilës shkon 40 mijë lekë, gjatë 2024-s kanë qenë pjesë e një inspektimi të planifikuar. Megjithatë, jo çdo deklarim me këtë pagesë.
Manushaqja* është njëra prej punonjësve të një qendre kursesh në Tiranë. Ajo thotë për “shteg.org” se pavarësisht se prej 2024-s është e deklaruar me pagën minimale, ajo paguhet më shumë për punën e saj, por në mënyrë informale.
“Në llogarinë bankare rroga ime mujore është rreth 40 mijë lekë, ndërkohë që një ditë më pas marr 30 mijë lekë shtesë. Problemi nuk qëndron vetëm tek mënyra se si merret pagesa, por dhe te fakti se ndonjëherë pagesa vonohet me 2-3 muaj”, – thotë ajo për “shteg.org” teksa shton se për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike, ka preferuar të dypunsohet dhe jo t’i drejtohet me anë të ankimimit Inspektoriatit të Punës.
Emiljando Kita, aktivist për të drejtat e punëtorëve thotë për “shteg.org” se një ndër arsyet përse punëtorët mund të heshtin për të drejtat e tyre është edhe mungesa e sinditakave, të cilat parësore duhet të kenë mbrojtjen e interesave të punëtorëve.
“Pa sindikata nuk ka demokraci në vendin e punës, prandaj mungesa e sindikalizimit, për shkak të presionit nga punëdhënësit apo frikës nga pushimi nga puna në rast të nisjes së organizimit të punëtorëve, është një nga faktorët kryesor që tregon gjendjen e keqe në të cilën gjenden punëtorët në Shqipëri”, – thotë Kita.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.