Rreth 1 mijë tonë naftë, e dyshuar si është kontrabanduar nga Tunizia është sekuestruar në Porto Romano të Durrësit, gjatë 24 orëve të fundit.
Nëse kjo sasi karburanti do të hidhej në treg të lirë, shteti shqiptar do të humbte rreth prej 1 milion euro nga mos pa-pagimi i taksës së hidrokarbureve.
Më 13 Janar 2025 policia lokale bëri të ditur se sekuestroi një ngarkesë prej 670 tonësh naftë, e dyshuar si kontrabandë nga Tunizia me anijen “Aya Zanouby”. Një ditë më pas, autoritetet zbuluan një sasi tjetër prej 400 tonësh naftë në anijen “Besart”, e cila gjithashtu kishte mbërritur nga Tunizia.
Sa i përket ngjarjes së parë, Policia e Durrësit bëri me dije se gjatë operacionit u arrestuan Mohammd Kahilah, kapiteni i anijes, Eneo Cano marinar dhe indiani Sushil Vema, oficer i parë, ndërsa ende nuk janë arrestuar 2 organizatorët e identifikuar si Florian Biba, banues në Zvicër dhe Eduart Skora, banues në Durrës.
Gjithashtu, janë sekuestruar anija që mbante flamurin e Tanzanisë, ‘Aya Zanoubya’ me të cilën ishte kontrabanduar nafta, 14 dokumente identifikimi dhe dokumente për lundrim, 10 celularë dhe dokumente të tjera që do të shërbejnë për hetimet mëtejshme të rastit.
Ndërsa për rastin e dytë policia tha se arrestoi 6 shtetas me kombësi siriane, egjiptiane dhe shqiptare, kryesisht ekuipazhi i anies ndërsa ka shpallur në kërkim pronarët e kompanive të dyshuar si të përfshirë në këtë aferë, Juxhin Koka dhe Serxha Sula, banues në Durrës.
Në të dy rastet nafta ishte fshehur në balastrat e anijes, që është pjesa fundore e saj që shërben për të ruajtur ekuilibrin.
“Nga kontrolli në anije, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit, u gjetën 400.000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia”, bëri me dije policia.
Të dy operacionet kundër kontrabandës së sasive të mëdha të naftës nga Tunizia u zbuluan dhe u finalizuan me mbështetjen e Guardia di Finanza Durrës.
Dyshohet se nafta e kontrabanduar është transferuar në det të hapur nga një tjetër mjet lundrues ndërsa personat e dyshuar nga policia si organizatorë të ttjetit të kontrabandës së naftës rezultojnë pronarë të disa subjekteve me veprimtari në transportin detar dhe në tregtimin me pakicë të karburantit.
Madje njëri prej tyre, Eduard Skora rezulton zotërues 50% i aksioneve të subjektit ‘Envi & E.E”. Një prej anijeve të zotëruara nga Skora, 7 vite më parë është bllokuar nga autoritetet libiane pasi në bord u gjetën refugjatë, të cilët dyshohet të ishin transportuar ilegalisht.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.