Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar dënime të ashpra për gjashtë të pandehurit e përfshirë në dosjen e vrasjes së ish-efektivit Santiago Malko, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2019.
Sipas pretencës së paraqitur në gjykatë, SPAK kërkon nga 32 vite burg për Leonard Dukën dhe Fatmir Hysenin, të cilët konsiderohen si figurat kryesore të atentatit. Për Erlis Dukën është kërkuar një dënim prej 25 vitesh, ndërsa për Oltian Logën dhe Dritan Agajn nga 23 vite burg secili. Ndërkohë, për Aleksandër Manxhakun, prokuroria ka kërkuar 22 vite burg.
Në total, SPAK kërkon 157 vite burg për të gjithë të akuzuarit në këtë çështje.
Të pandehurit përballen me akuza serioze, duke përfshirë “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve” dhe “Trafikim të lëndëve narkotike”, të cilat, sipas prokurorisë, janë kryer si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, me hierarki të qartë dhe ndarje detyrash mes anëtarëve.
Më herët, për vrasjen e Malkos, i njohur si krahu i djathtë i Erivs Martinajt, janë dënuar në një proces të ndarë edhe Blendi Teta dhe Ilir Selmani.
Santiago Malko, mik i Ervis Martinajt i zhdukur që nga gushti i vitit 2022, u ekzekutua më 2019 në zonën e Xhamllikut, ndërsa po udhëtonte me një BMW X5.
Sipas hetimeve të SPAK, atentatorët e prisnin në një furgon të bardhë dhe hapën zjarr me breshëri kallashnikovi nga një automjet “Mercedes Benz”.
Malko, përveç lidhjeve me Martinajn, kishte një të kaluar problematike dhe kishte qenë i përfshirë në ngjarje të mëparshme kriminale, përfshirë edhe incidentin e 4 tetorit 2018 në zonën e ish-Bllokut, ku gjatë një përplasjeje të armatosur mbeti i vrarë Fabian Gaxha, ngjarje që lidhej me përplasje midis bandave rivale.
Nga hetimet rezulton se Fatmir Hyseni, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, ishte ekzekutori kryesor i vrasjes, ndërsa akuzohen si organizatorë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka.
Leonard Duka u arrestua më 14 shkurt 2023 në Bruksel nga autoritetet belge, pasi në banesën e tij u gjetën armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme parash, që dyshohet se janë fituar nga aktiviteti kriminal. Pas arrestimit, ai u ekstradua në Shqipëri në gusht 2024, ku vazhdon procesi gjyqësor ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.