Për të katërmbëdhjetin vit radhazi të afërmit e 4 viktimave të demostratës së 21 janarit të 2011-s, Ziver Veizit, Faik Myftarajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nika, kryen homazhet për të afërmit e tyre së bashku me përfaqësuesit e Partisë Socialiste.
Por ndryshe nga vitet e tjera, në ceremoninë e homazheve mungoi Kryeministri Edi Rama, i cili arriti të komunikonte online me ndjekësit e tij nga Zvicra.
Gjatë komunikimit të tij Rama u shpreh se kritikat e drejtuara ndaj Qeverisë për mosdhënien e Drejtësisë janë adresuar gabim.
“Nga ana tjetër unë dhe ne nuk kemi qëndruar duarkryq por kemi bërë betejë epokale për drejtësinë për pavarësimin e saj nga pushteti politik dhe krijimin e kushteve që drejtësia të bëjë drejësi për të gjithë. Pa PS e mua në krye nuk do të kishte as reformë në drejtësi, as SPAK” – tha Kryeministri Rama, ndërkohë që vitin e kaluar Rama u shpreh se 21 janari i 2024-s ishte i veçantë edhe prej vullnetit të SPAK “për të goditur drejt dhe lart”, megjithatë SPAK ende ndodhet në fazën hetimore të çështjes.
Sot, në homazhin e 4 viktimave që më 2021 u shpallën “Dëshmorë”, në Tiranë të pranishëm në homazhe ishin Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ministrja e Arsimit Olgerta Manastirliu e figura të tjera të Partisë Socialiste.
Demostrata që u përgjak

14 vite më parë mbështetësit e Partisë Socialiste, asokohe në opozitë, nisën rreth orës 14:00 demonstratën e tyre përballë godinës së Kryeministrisë. Ata ishin thirrur të protestonin nga Kryeministri Rama pas transmetimit të një afere korruptive prej 700 mijë eurove të ndodhur midis ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta dhe Ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti.
Gjatë përplasjes me forcat e rendit, demonstruesit filluan të hidhnin mjete të forta drejt godinës së Kryeministrisë dhe situata u tensionua kur ata hynë në oborrin e institucionit.
Në pikën kulmore të demonstratës ndaj protestuesve filluan të shtënat e armëve drejt protestuesve, çfarë i shkaktoi vdekjen Ziver Veizit, Faik Myftarajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nika. Ky i fundit u mjekua paraprakisht në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe në pas u dërgua për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku humbi dhe jetën pas disa ditësh.
Prokuroria e Tiranës akuzoi në vitin 2011 Ndrea Prendin, atëherë komandant i Gardës së Republikës, dhe gardianin Agim Llupo për vrasjen e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit duke kërkuar 23 deri në 25 vite burg.
Megjithatë, Gjykata e Apelit të Tiranës dënoi më 18 shtator të vitit 2013 ish-komandantin e Gardës, Prendin me 1 vit burg dhe gardistin Llopo me 3 vite burg pas konkludimeve se vdekja e viktimave kisha ardhur si rrjedhojë e pakujdesisë, ndërkohë që nuk u ngrit asnjë çështje për dy viktimat e tjerë të 21 janarit, Aleks Nika dhe Hekuran Deda.
Moszbardhja e vrasjes bëri që familjarët e Aleks Nikës të ngrinin padi për vrasjen e tij në Gjykatën Evropiane për Të Drejtat e Njeriut në Strasburg, e cila më 2023-shin konkludoi se për këtë çështje gjeti në mënyrë unanime fajtor shtetin Shqiptar për “shkelje të të drejtës së jetës” dhe “moszbardhjen e vrasjes”.
Po në të njëjtin vit, 2023, familjarët e Nikës bënë një kallëzim penal ku akuzuan për urdhërimin e shtimit me armë ndaj protestuesve ish-Kryeministrin Berisha, Lulëzim Bashën, ish-ministër i Brendshëm, dhe ish-komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi.
Më 12 mars të vitit të kaluar, 2024 Gjykata e Lartë vendosi të urdhërojë Prokurorinë e Posaçme për të marrë përsipër procedimin penal.
Gjatë një bisede me gazetarët larg kamerave, Dumani zgjodhi të mos i përgjigjej pyetjes së cilët janë ish-zyrtarët që do të merren në pyetje për këtë çështje, ndërkohë që shtoi: “Po bëhen veprime të shumta hetimore. Unë personalisht, preferoj që dëshmitarët t’i thërras të fundit, pasi të grumbulloj prova, më pëlqen t’i ballafaqoj”.
SPAK vijon hetimet për dosjen e “21 janarit” prej korrikut të 2024 në zbatim të një vendimit të Gjykatës së Lartë, që urdhëronte Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit, zyrtarë nën juridiksionin e SPAK.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.