Boomi i ndërtimeve, 51 mijë banesa në kryeqytet janë të pabanuara

Edhe pse popullsia është tkurrur në të gjithë vendin me 420 mijë banorë, ndërtimi si aktivitet ekonomik është zgjeruar, i mbështetur kryesisht nga investimi në rezidenca banimi.

1906
Pallat duke u ndërtuar në Lagjen 5 Maj, Tiranë
Credit: SHTEG

Instituti i Statistikave Shqiptare (INSTAT) publikoi më 28 qershor rezultatet e Censit 2023, të dhënat e të cilit sugjerojnë shifra kontradiktore për sa i takon kërkesës reale për blerje banesash në raport me numrin e apartamenteve që ndërtohen çdo vit. 

Popullsia në Shqipëri në vitin 2011 ishte 2.82 milionë banorë, të përshtatur në 722 mijë njësi ekonomike familjare të cilat akomodoheshin në 706 mijë banesa. Numri mesatar i anëtarëve të një familje në këtë periudhë ishte 3.9. 

Sipas Raporti të Vlerësimit Kombëtar të Riskut të vitit 2023 i përditësuar nga Agjencia e Inteligjencës Financiare, ndërtimi është sektori kryesor ku pastrohen paratë e pista. 

 “Sektorët ekonomikë më të ndjeshëm ndaj pastrimit të parave janë sektori i pasurive të paluajtshme, ndërtimi, tregtia, sektori i shërbimeve telefonike (Call Center) dhe konsulenca në fushën ekonomike dhe ligjore”, thuhet në raport.

Të dhënat e përpunuara nga Agjencia e Inteligjencës Financiare të 3-vjeçarit të fundit evidentojnë se shumica e parave të pista kanë si burim paratë kriminale të gjeneruara jashtë Shqipërisë.

 “Nga kryqëzimi i të dhënave të institucioneve përkatëse, rezulton se krimi i kryer jashtë vendit mbizotëron ndaj atij vendas për sa i përket krijimit të pasurive kriminale. Rezulton se shtatë grupveprat kryesore të gjenerimit të të ardhurave kriminale janë: prodhimi, kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike, vepra penale në fushën e tatimeve dhe doganave, krimi i organizuar, korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës, falsifikimi, mashtrimi dhe vjedhja e pasurisë.”

Nga të dhënat e raportuara për vitin 2023 në raportin vjetor të Agjencisë së Inteligjencës Financiare rezulton se kompanitë e ndërtimit dhe agjentët imobiliarë kanë raportuar vetëm një rast të dyshimtë në fushën e pastrimit të parave.

VitiNumri gjithsejTë banuaraTë pabanuara
2011 1 008 243 706 046218 514
20231 082 529726 325356 204
TË DHENAT E BANESAVE

Banesat ‘stok’, mbizotërojnë pallatet

Modeli i ndërtimit të pallateve me densitet të lartë përfaqësohet më së miri nga kryeqyteti. Edhe pse numri i banorëve për Bashkinë Tiranë është rritur mesatarisht me 3.400 banorë në vit, ose rreth 40 mijë më shumë gjatë 12 viteve të fundit, të dhënat sugjerojnë se në Tiranë janë dhënë leje për të ndërtuar afërisht 75 mijë apartamente më shumë se nevoja reale për akomodimin e familjeve.

VitiPopullsia
2011557 422
2023598 176
Rritja40 754
Mesatarisht3.396 banorë të rinj në vit në nivel bashkie
POPULLSIA NË BASHKINË TIRANË

Sipas të dhënave që rrjedhin si rezultat i Censit, numri më i lartë i tipologjisë së shtëpive të pabanuara është e llojit pallat me 170 mijë ambiente bosh, të ndjekura nga banesat individuale me 148 mijë dhe 37 mjë shtëpi të veçuara. 

Sipas përllogaritjeve të tërthorta të kombinuara me të dhënat e Censit dhe ato të konsumit të energjisë elektrike, rreth 51 mijë shtëpi në kryeqytet janë të pabanuara, ndërsa sipërfaqet për ndërtim vazhdojnë të shtohen. 

Sipas projeksioneve, nëse banorët e kryeqytetit do të kenë trendin normal të shtimit të popullsisë, shtëpitë e pabanuara do të kërkonin të paktën 45 vjet për të zeruar stokun.

Ndërtimi, promotori kryesor i ekonomisë

Leje ndërimi e miratuar nga Bashkia Tiranë
Credit: SHTEG

Gjatë vitit të shkuar sektori i ndërtimit bashkë me atë të tregut të pasurive të patundshme kishin peshën kryesore në rritjen ekonomike, duke zënë afro gjysmën e kontributit përballë pjesës tjetër që dhanë 9 degë të tjera të ekonomisë.

Në terma realë ekonomia prodhoi vitin e shkuar 21.32 miliardë euro prej të cilave aktiviteti i ndërtimit bashkë me atë të shitjeve të pasurive të patundshme prodhuan 3.72 miliardë euro, ose 17.5% të PBB-së së vendit.

Sipas të dhënave zyrtare, volumi i ndërtimit gjatë 12 viteve të fundit në bazë të lejeve të dhëna arrin në 12.3 milionë metra katrorë, nga ku 9.2 milionë ose 75% e tyre janë përfituar nga qarku i Tiranës. Të dhënat historike të INSTAT-it nxjerrin në pah se pas vitit 2017 sipërfaqja e lejeve të dhëna për ndërtim në Tiranë është dyfishuar duke u trefishuar gjatë vitit 2022 dhe 2023.

201220132014201520162017201820192020202120222023
32049566641413957061049948143818081242
SIPËRFAQJA E LEJEVE TË NDËRTIMIT NË VITE PËR QARKUN TIRANË (mijë m2)

Në bazë të volumit të dhënë për ndërtim gjatë dy viteve të fundit, numri i hapësirave të banimit në kryeqytet projektohet të shtohet me të paktën 30 mijë njësi të tjera, të cilat do të kenë një vlerë në tregun imobiliar të paktën 3.6 miliardë euro. 

Vetëm 40% e sektorit të ndërtimit u financua nga bankat

Statistikat zyrtare që raportojnë bankat  tregojnë se vetëm 38% e ndërtimit dhe shitblerjeve të pasurive të patundshme një vit më parë u mundësuan nga kreditë bankare. 

Kredia për të mbështetur tregun e blerjes së shtëpive  për vitin 2023 ishte 1 miliard euro, e ndarë në 517 milionë euro për bizneset që kanë blerë pasuri të patundshme dhe 483 milionë euro për individët. Në total aktiviteti imobiliar prodhoi vitin e shkuar 1.36 miliardë euro vlerë në ekonomi, ku 360 milionë euro e saj nuk shpjegohen me financimin e bankave. 

Diferencën më të madhe e ka ndërtimi, ku rezulton se kompanitë në këtë sektor janë financuar në total me 394 milionë euro, ndërsa kanë prodhuar një vlerë në masën 2.36 miliardë euro. Afërisht 2 miliardë euro të prodhuara nga ky sektor nuk kanë si financim bankat dhe, nëse u zbresim dhe vlerën 1.3 miliardë  euro të investimeve në infrastrukturë të qeverisë, në total janë 1 miliard euro të investuara në këtë sektor, të cilët nuk justifikojnë burimin e origjinës.

Sipas ekspertëve, në llogaritë kombëtare nuk pasqyrohet ekonomia informale, ndaj dhe diferencat mund të lidhen me para që nuk u shpjegohet origjina, por që kalojnë lirshëm në kanale formale, siç janë bankat apo kompani që deklarojnë të ardhura të pajustifikuara. Megjithatë, faktorët e rritjes ekonomike reale që nuk justifikohen nga fondamentet, sugjerojnë se ekonomia informale është dhe më e lartë, në vlerat e një të tretës të prodhimit kombëtar, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, shifër që do të përbënte një vlerë prej 7 miliardë eurosh.

Ola Xama, Gazetare
Gazetare |  + posts

Ola Xama është gazetare në fushën e ekonomisë prej 15 vitesh, e fokusuar së fundi në zhanrin e analizave dhe investigimeve. Është autore e emisionit investigativ ‘Kronos’ në MCN Tv, dhe më parë ka punuar si gazetare në fushën e ekonomisë në televizionet Euronews Albania, Klan Tv dhe Vizion Plus. Është autore e dhjetra investigimeve që lidhen me financat, pastrimin e parave dhe abuzimet e autoriteve publike me qytetarët. Është diplomuar pranë Universitetit të Tiranës në degën Gazetari dhe ka përfunduar studimet master në të njëjtën degë.