Drejtuesja e Bashkisë së Patosit për 3 mandate, Rajmonda Balilaj, është gjendur fajtore nga gjykata për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.
Akuzat ndaj Balilaj u ngritën pasi hetimet zbuluan se ajo kur ishte në krye të drejtimit të Bashkisë së Patosit i dha në kundërshtim me ligjin dy kontrata një kompanie private me vlerë totale prej 15.3 milionë lekësh.
Bëhej fjalë për tenderin e ndërtimit një muri mbajtës në rrugën Dukas-Breg, me fond 6.7 milionë lekë dhe një tjetër të ngjashëm për rrugën në fshatin Ruzhdie, me fond 8 milionë lekë.
Sipas hetimeve, Kompania “Genti 001” u shpall fituese nga Bashkia Patos para se të zhvillohej tenderi, ndërkohë që kjo kompani për tre vite rresht (2019-2022) është shpallur fituese në 32 procedura prokurimi të organizuara nga Bashkia Patos.
Pas hetimit gjyqësor, Gjykata e Posaçme vendosi të dënojë Balilajn me 2 vite burg për ish-kryetaren, por ky dënim është konvertuar në 2 vite e 8 muaj shërbim prove. Pjesë e dënimit ndaj ish-kryetares është mohimi i së drejtës së saj për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 (pesë) vjet.
Si bashkëpunëtorë të ish-kryetares u dënuan edhe vartësit e saj, Anisa Petani, ish-nënkryetare e Bashkisë, Shkëlqim Beqiraj, ish-sekretar i Përgjithshëm, dhe Enirjada Rizaj, ish-anëtare e komisionit të ofertave.
3 vartësit e ish-kryebashkiakes u dënuan me nga 1 vit burg secili, të konvertuar në 2 vjet shërbim prove, nën të njëjtën akuzë “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258.
GJKKO caktoi për ish-zyrtarët vënien e tyre në provë për një periudhë prej 2 (dy) vjet, me kusht që të pandehurit gjatë periudhës së provës të mos kryejnë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës që mbulon vendbanimin e saj.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.