Gjetjet kryesore
Më shumë se një shekull më parë, qyteti i Vlorës në brigjet e Adriatikut ngriti flamurin e Shqipërisë për herë të parë dhe deklaroi pavarësinë e tij nga Perandoria Osmane. Kryeministri Edi Rama duket se e shijon ironinë që në të njëjtën datë të vitit 2021 ai do të hapte themelet e një aeroporti që do të ndërtohet nga një kompani Turke jashtë qytetit në fjalë.
Marrëveshja qe një putch politik për Ramën që më së pari kishte premtuar ndërtimin e aeroportit në brigjet e jugut ndërsa bënte fushatë gjashtë vjet më parë. Mes shkëlqimit të dritave ai pa nënshkrimin e një kontrate ndërtimi me vlerë 104 mln euro për të ndërtuar dhe operuar aeroportin e Vlorës, aeroporti qe shpallur bashkë me fituesin pak ditë përpara se forca e tij politike të shkonte në zgjedhjet e përgjithshme të Prillit të vitit të shkuar, një lëvizje kjo që opozita e konsideroi në kundërshtim me ligjin elektoral..
Në ceremoninë e çeljes, mbajtur në 28 Nëntor në një zonë ku do të nisë ndërtimi, Rama përgëzoi bashkëpunimin ndërkombëtar që do të niste punën sa më shpejt.
“Aeroportet janë në një farë mënyre si klanet familjare” u shpreh ai “Nuk mjafton vetëm të ndërtosh një infrastrukturë të bukur apo një….rrugë….duhet të kesh gjithashtu dhe aleancat dhe sinergjitë me aeroportet e tjera.”
Vlora International Airport me shumë mundësi do të çimentojë aleancën ndërkombëtare për Ramën.
Ndërtimi i konsorciumit që përfshin një konglomerat Turk si “YDA Construction Industry and Trade”, drejtuesi i të cilit ka lidhje të afërta me partinë e presidentit Erdogan, AKP, dhe gjithashtu kontraktori tjetër Mabetex Group që zotërohet nga një prej miqve të Ramës, biznesmeni pasanik kosovar Behgjet Pacolli. Kompania e tretë e përfshirë 2A Group sh.p.k, është në pronësi të Valon Ademit, i cili deri në Korrik 2019 ka qenë Konsull Nderi i Shqipërisë në Kosovë.
Vlora International Airport do të jetë gjithashtu dhe baza për një linjë ajrore kombëtare si ajo e Air Albanias e cila është pjesërisht e zotëruar nga kompania ajrore e Turkish Airlines. Rama pohon që aeroporti do të rrisë punësimin me 27 mijë vende të reja pune, ndërsa resorte të mëdha turistike po ndërtohet aty pranë duke sjellë më shumë investime për zonën.
Por jo të gjithë janë duke festuar këtë projekt. Ambientalistët paralajmërojnë se zhvillimi do të sjellë nëj dëm të pariparueshëm në një nga lagunat më të mëdha në Mesdhe dhe që është shtëpia e qindra specieve të shpendëve. Në Dhjetor 2019 dy muaj përpara se të shpallej tenderi për aeroportin, autoritetet e lëvizën zonën e mbrojtur me ligj pikërisht në copën e tokës ku do të ndërtohej aeroporti, një vendim që Komisioni Europian e konsideroi joligjor.

Tani një investigim nga OCCRP ka ngritur më shumë pikëpyetje se si një konsorcium me lidhje politike ka fituar një tender për të ndërtuar dhe operuar aeroportin ndërkombëtar të Vlorës për 35 vite.
Një padi civile e dorëzuar në gjykatë nga një ofertues tjetër me bazë në Mbretërinë e Bashkuar pretendon se qeveria shqiptare ka manipuluar një tender në favor të një konsorciumi Turko-Kosovar, duke futur në garë një kompani tjetër që madje as nuk ka bërë ofertë për të dhënë idenë e një gare. Ofertuesi në fjalë ka dërguar gjithashtu një kallëzim penal në SPAK duke akuzuar qeverinë se ka fabrikuar dokumente që nuk janë dorëzuar në garë.
Kryeministri Rama ka ndërhyrë personalisht në mënyrë shqetësuese në këtë çështje. Javë përpara se tenderi të hapje, fill pas takimit të Ramës me presidentit Turk Rexhep Tajip Erdogan në Stamboll, drejtori YDA deklaroi se ai do të ndërtonte një spital falas afër vendit ku sot do të ndërtojë një aeroport dhe kjo pasi presidenti i Turqisë ia ka kërkuar.
Ndonëse kështu ende nuk është e qartë nëse aeroporti është eficent pasi dokumentet e qeverisë paralajmërojnë se nuk mund të tërheqë kaq shumë vizitorë aq sa për të qenë përfitues në një të ardhme të afërt. Gjithsesi, termat e kontratës nënkuptojnë që nëse projekti nuk arrin tragetin financiar atëherë qeveria shqiptare do të duhet të paguajë konsorciumin deri në 138.2 mln euro apo një shumë që është më shumë se 1/3 e kostos së ndërtimit.
Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkimin Ekonomik, u shpreh se marrëveshja i jep konsorciumit “një llokmë të mirë të buxhetit të shtetit për dekadën në vijim.”
“Ata do të marrin taksat e shqiptarëve në formën më të lehtë….të siguruar përmes lobimit politik,” u shpreh ai.
Valon Lluka, përfaqësuesi i konsorciumit fitues, i mohoi akuzat e OCCRP duke i quajtur “thashetheme dhe spekulime”. “Ju nuk posedoni asnjë informacion real dhe asnjë fakt në lidhje me projektin e Aeroportit të Vlorës” shkroi ai në përgjigje të një emaili me pyetje që i dërguam.
Ndërkohë që as zyra e Ramës dhe as ajo e Erdogan nuk iu përgjigjën kërkesës sonë për koment.
Konsorciumi tjetër Turk
Konsorciumi YDA-Mabtex-2A nuk është grupi i parë i mbështetur nga Turqia i zgjedhur për të ndërtuar Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Qeveria e Shqipërisë hapi për herë të parë një tender për ndërtimin e aeroportit në vitin 2017. Atë shkurt, Rama postoi se kishte mbajtur një drekë pune me presidentin turk Erdogan për të diskutuar “projektin e aeroportit të Vlorës, një linjë ajrore tërësisht shqiptare dhe investime të tjera strategjike”.
Një vit më vonë, Rama tha se qeveria kishte marrë një propozim nga një konsorcium i tre prej kompanive më të mëdha turke: Cengiz Holding , Kalyon Holding dhe Kolin Construction. Ata janë pjesë e një grupi konglomeratësh që opozita turke i ka quajtur “pesë mashtruesit”, duke i akuzuar ata se kanë marrë favore nga qeveria e Erdoganit.
Këto kompani drejtohen nga një grup biznesmenësh që kanë fituar pasuri dhe pushtet pas ngritjes së Partisë AKP të Erdoganit në fillim të viteve 2000. Përzgjedhja e tyre për të ndërtuar aeroportin e ri të Stambollit tregon se si presidenti ka përdorur kontratat shtetërore për të krijuar rrjete të fuqishme patronazhi midis bizneseve turke, shkroi në Washington Post specialisti i Turqisë me qendër në SHBA, A. Kadir Yildirim .
Qeveria e Shqipërisë hartoi një ligj në 2018 për të përshpejtuar negociatat dhe ra dakord t’i jepte konsorciumit një kontratë 60-vjeçare operimi. Masa ngriti flamuj të kuq në Bruksel, me komisionerin e atëhershëm të Bashkimit Evropian për zgjerimin Johannes Hahn duke thënë se Komisioni do të hetonte.
Në fund të vitit 2019, Shqipëria hoqi dorë nga marrëveshja me konsorciumin turk. Nuk dha asnjë shpjegim se pse. Jo shumë kohë më pas, qeveria hapi një tender të ri për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Pas muajsh përpjekjesh për të marrë dokumentet e tenderit përmes kërkesave për lirinë e informacionit, OCCRP aplikoi për t’i marrë ato përmes gjykatës. Në fund të vitit 2021, një gjykatës vendosi që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duhet të dorëzojë dokumentet, por ajo ende refuzon ta bëjë këtë.
Ministria nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Një luftë e vetmuar
Në një ditë të nxehtë korriku, profesori i biologjisë Niko Dumani po djersinte nën një tendë të sajuar në pyllin e Nartës, në juglindje të Shqipërisë. Dumani kishte ardhur për t’i shpjeguar vendalinjve se përse ambientalistët dhe ruajtësit e ambientit po kundërshtonin Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, por sapo ai u ngrit për të folur turma nisi ta fyente.
“Çfarë kërkon këtu? Ne jetojmë këtu dhe është zgjedhja jonë kjo” klithte administratori i njësisë administrative “Ti kërkon që të merremi me zogjtë ne? Shporru nga Vlora!”
Duke folur për OCCRP pasi e larguan me forcë nga takimi, Dumani tha se ndërsa aeroporti dhe rezortet turistike janë “në shkelje flagrante të ligjit” ai priste që këto të fundit të ndërtoheshin.
Aeroporti do të ndërtohet disa kilometra tutje lagunës Vjosë-Narta, pjesë e një delte bregdetare që është goja e një prej lumenjve më të egër të Europës. Ligatinat janë shtëpia e 200 lloje shpendësh, përfshirë dhe flamengot dhe specien e rrezikuar të Pelikanit Kaçurrel dhe janë pjesë kyçe e korridorit migrues për shumë nga shpendët që kanë rrugëtimin e tyre vjetor nga Europa Qendrore në Afrikën e Veriut.
Laguna, që është gjithashtu e mbrojtur nga disa konventa ndërkombëtare, është zgjedhur për t’u bashkuar në Rrjetin e Artë të Zonave të Ruajtura nga Këshilli Europës. Komisioni Europian në Tiranë u shpreh se aprovimi i ndërtimit të Aeroportit të Vlorës bie ndesh me ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare.
Zhvillimi i saj “është në kundërshti me ligjet vendase për zonat e mbrojtura dhe gjithashtu edhe me konventat ndërkombëtare që mbrojnë biodiversitetin që Shqipëria i ka ratifikuar” u shpreh në një deklaratë delegacioni i BE në Shqipëri.
Por përtej kësaj, OCCRP ka zbuluar se qeveria shqiptare ka lëvizur deri dhe malet që të mundësojë ndërtimin e këtij aeroporti aty.

Hartat tregojnë se autoritetet kanë ridizenjuar kufijtë për të përjashtuar zonat e mbrojtura dhe për të përjashtuar pjesë të caktuara në ligatinë, bashkë me këtë përjashtim kanë shkuar më shumë se sa çereku, apo 26.7%, e ekosistemit bregdetar të SHqipërisë. E gjithë kjo jo shumë larg çastit kur kryeministri Rama po negocionte me presidentin Turk Erdogan. Ndryshimi i kufijve është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit të cilin e drejton po Rama dy muaj pasi fituesi i tenderit të aeroportit të Vlorës u shpall.
Avokate Irena Dule u shpreh se ndryshimet e bëra duke lënë jashtë zonat e mbrojtura ishin ilegale. “Nisja e punimeve për këtë aeroport është kundërshtuar duke u bazuar në ligj” u shpreh ajo duke shtuar se nisja e kësaj pune është shpallur pa pasur një leje mjedisore dhe atë të punimeve.
Një grup tjetër kanë kundërshtuar vlerësimin e ndikimit mjedisor të aeroportit, pasi sipas tyre ai është porositur nga pronarët e tokës në atë zonë, duke përfshirë edhe anëtarë të konsorciumit YDA Group dhe Mabetex Group. Akademikët që janë marrë me studimin e kësaj zone kanë ngritur disa shqetësime në lidhje me impaktin e aeroportit duke propozuar dhe plane për të devijuar aeroplanët që të mos përplasen me zogjtë.
Njezetë grupe ambientalistësh kanë denoncuar studimin si “jo profesional dhe jo shkencor” dhe “qartësisht një analizë klienteliste”
Ministria e Turizmit në Shqipëri u shpreh se kufijtë e rezervave natyrore kanë ndryshuar si pjesë e një rishikimi kombëtar të zonave të mbrojtura “për të reflektuar gabimet dhe për të propozuar zona të reja, bazuar në të dhënat e studimeve dhe kërkimeve të fundit” dhe gjithashtu si pasojë e një kornize të re ligjore të ideuar nga qeveria.
Në një deklaratë, ministria u shpreh se planifikon që të studiojë impaktin e aeroportit duke përdorur një plan menaxhimi, përfshirë edhe monitorimin shkencor dhe ruajtjen e habitatit që do të mundësohet nga konsorciumi. Ajo gjithashtu rekomandon mjete të tjera, si ndalimi i punimeve afër zonave sensitive apo gjatë sezonit të çiftimit apo dhe ri përcaktimin e udhëtimeve gjatë sezoneve të migrimit.
Lluka u shpreh se konsorciumi ka “mundësuar” një studim se çfarë impakti mund të ketë në mjedis dhe në shoqëri ndërtimi i aeroportit dhe ka arritur në konkluzionin se nuk do të ketë ndonjë efekt të madh negativ.
“Jemi tejet të lumtur për të konfirmuar se rezultati i studimit na ka nxjerrë në dritë, pa asnjë dyshim se ndërtimi dhe operimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës nuk do të prodhojë degradimin mjedisor apo ndonjë impakt tjetër të dëmshëm,” u shpreh ai.

Miqtë me Përfitime
Në 11 Janar 2021, drejtori i YDA Group, Hüseyin Arslan, zbriti në tokën shqiptare. Ndonëse i panjohur në këtë vend, ai menjëherë bëri bujë në media kur deklaroi se kompania e tij do të ndërtojë një spital jo shumë larg Vlorës.
“Ne….jemi urdhëruar nga presidenti ynë z. Rexhep Tajip Erdogan, që javën e shkuar ka takuar kryeministrin e nderuar të Shqipërisë në një vizitë të tij në Turqi,” Arslan u shpreh në një video të postuar në faqen e Ramës në Facebook. “Ne jemi instruktuar se duhet të finalizojmë, përmbushim ndërtimin e këtij spitali në tre muaj. Ky është basti i madh për ne.”
Menjëherë nisi puna për ndërtimin e spitalit, ndërsa Rama postonte në mënyrë të vazhdueshme zhvillimin e punimeve të spitalit në faqen e tij në Facebook. Ndërkohë që zyra e tij e përshkruante punën e YDA si një “bamirësi” që shteti Turk po bënte për Shqipërinë, duke mos dhënë asnjë indicie për synimin fundor të konglomeratit Turk.
Ndërkohë që në Turqi, YDA Group është shumë i mirënjohur për lidhjen e tij të ngushtë me qeverinë e Erdogan. Arslan ka një lidhje të gjatë dhe të fortë me partinë AKP përmes motrës së tij, e cila është martuar me xhaxhain e njeriut që bashkë themeloi këtë parti me Erdogan në vitin 2001.
Arslan publikisht lëvdoi Erdogan pas një grusht shteti të dështuar në 2016 që nuk e largoi nga zyra, ai e përshkroi atë që asokohe ishte kryeministër i Turqisë si “mbarëvajtësin e demokracisë sonë, të ardhmes sonë dhe vullnetit tonë kombëtar”. Nga ana tjetër Erdogan i dhuroi Arslan një pllakë falënderuese dy vjet më vonë.
Vetëm pasi spitali qe inauguruar me praninë virtuale të Erdogan, që Rama deklaroi se konsorciumi i drejtuar prej Arslan dhe Pacollit do të ndërtonin dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës

Shtëpia e Air Albania
Idea për të krijuar Air Albania morri formë në në Shkurt 2017. Disa muaj më tej Rama deklaroi se ai ka pasur disa biseda me asokohe drejtuesin e linjës ajrore turke, Mehmet İlker Ayci.
“Ne kemi diskutuar me Z. Ayci projektin….për të krijuar një linjë ajrore shqiptare, që ka nisur të ndërtohet falë suportit special të presidentit Erdogan dhe asistencës teknike të ekipit të Turkish Airlines,” u shpreh Rama pas takimit të tij.
Më shumë se një vit më pas kësaj deklarate, e pas disa takimeve mes Ayci dhe qeverisë shqiptare u krijua Air Albania.
Kompania e re ajrore është në pronësi të Turkish Airlines dhe Albcontrol sha si dhe nga MDN Investment shpk që është një kompani private e themeluar thuajse 9 ditë përpara se qeveria të bënte publike shpalljen. MDN u krijua nga Sinan Idrizi, një biznesmen shqiptar që ka punuar për shumë vite në Turqi përpara se të rikthehej në 2014 dhe të shndërrohej në bashkë-ortak i klubit të Futbollit Flamurtari, ekipi i qytetit ku Rama ishte deputet.
Idrizi, që pretendon se ka “njohje e miqësi me Erdogan prej 25 vitesh por edhe me disa politikanë të tjerë turq, i tha OCCRP se e krijoi MDN me kërkesën e qeverisë shqiptare në vend të kompanisë Turke Atlas Global që kishte probleme asokohe dhe që në 2020 falimentoi.
“Atlas Global mund t’i ndërpriste udhëtimet dhe ne si Air Albania nuk mund ta merrnim këtë rrezik. Unë doja që të nisja një kompani familjare me emrin tim” u shpreh Idrizi.
Por javë pas krijimit të Air Albania, Idrizi nisi që të kalonte aksione e kompanisë së tij tek e shoqja dhe e bija. Idrizi u shpreh se vendosi të bënte kalimin e aksioneve tek ato pasi mori kritika të forta në shtypin shqiptar. “Ata nisën të thonë se nuk jam qytetar shqiptar, erdhën të më pyesin se sa pasaporta kisha” u shpreh ai duke e përshrkuar transferimin e aksioneve tek gruaja dhe e bija si një “marrëveshje brenda familjes.” Zyra a Ramës nuk u shpreh për asnjë kërkesë për koment.
Pronari i Mabetex Group, Pacolli, ishte një fytyrë më e njohur në Shqipëri se Arslan. Manjati i ndërtimit është një nga njerëzit më të pasur në Kosovën fqinje, me një pasuri afër 800 milionë euro. Gjatë viteve ai ka qenë zëvendëskryeministër i Kosovës, ministër i Jashtëm dhe, për një periudhë të shkurtër në vitin 2011, president i saj.
Mabetex u përfshi në një skandal të madh korrupsioni në fund të viteve 1990 mbi akuzat se drejtuesit e kompanisë kishin paguar ryshfet për të fituar një kontratë për të punuar në Kremlin. Një hetim rus u hoq më vonë pasi hetuesi kryesor u pushua nga puna për një skandal të çuditshëm me kasetë seksuale. Një hetim i lidhur për pastrim parash dhe ryshfet u hodh poshtë edhe në Zvicër, ku Pacolli tani është shtetas.
Pacolli dihet se ka lidhje me figura të dyshuara të krimit të organizuar , duke përfshirë Milan Radoiçiç, një gangster i dyshuar dhe figurë e fuqishme në partinë më të madhe serbe të Kosovës, dhe Jose Enrique Rais nga El Salvador.
Rais u padit për mashtrim në vendin e tij në vitin 2013 dhe u akuzua për “korrupsion të konsiderueshëm” për ryshfet për zyrtarët publikë nga SHBA Pas vitesh apelimesh, çështja përfundimisht u hodh poshtë. Autoritetet në Zvicër, ku Rais është gjithashtu një shtetas, e hetuan atë për një akuzë lidhur me pastrim parash, por hetimi u pushua më vonë dhe një gjykatë vendosi që atij t’i paguhej dëmshpërblim.
Në vitin 2016, dy avionë të Rais u kapën për trafik të dyshuar droge në Florida. Një peticion në gjykatë nga një sherif vendas tha se Rais ishte një “objektiv prioritar” i Agjencisë Amerikane të Zbatimit të Drogës dhe kompania e tij ishte “subjekt i hetimit ndërkombëtar” për lidhje me grupet e krimit të organizuar, kartelet dhe politikanë të korruptuar.
Sherifi më vonë e tërhoqi ankesën, megjithatë, dhe nuk u ngrit asnjë akuzë. Rais mohoi se ai ishte i përfshirë në ndonjë aktivitet kriminal.
Të dhënat e korporatës tregojnë se Pacolli ishte menaxher i Rais Group që nga fundi i vitit 2011, ndërsa kompania ishte duke u hetuar.
Pacolli mohoi çdo përfshirje në korrupsion, duke theksuar se ai “asnjëherë nuk ka qenë subjekt i asnjë lloj aktakuze apo gjykimi” as në Rusi, as në Zvicër.
Pacolli pranoi se e njihte Raisin, por mohoi të ketë qenë menaxher i Rais Group. “Unë e njoh Jose Enrique Rais si një biznesmen që ka operuar në botën e aviacionit dhe si një qytetar zviceran,” tha ai. “Kam marrë me qira një avion nga kompania që ai zotëronte për disa muaj, por nuk dija që ai ishte trafikant droge”.

Pavarësisht shoqatave të turbullta të Pacollit, Rama e llogarit si mik të ngushtë. Kryeministri ka folur publikisht për “dashurinë dhe respektin” e tij për Pacollin, të cilit i referohet si “Baca” Behgjet, një term i dashur që përdoret shpesh për anëtarët e moshuar meshkuj të familjes në veri të Shqipërisë.
Një vit pasi një tërmet i madh goditi Shqipërinë në nëntor 2019, duke vrarë 51 persona dhe duke shkaktuar shkatërrime të shumta, Fondacioni Behgjet Pacolli nënshkroi një marrëveshje për të rindërtuar një lagje të tërë në qytetin e Fushë-Krujës për rreth 1 milion euro. Pak muaj më vonë, në janar 2021, qeveria hapi tenderin për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Pacolli tha se kur e ka bërë donacionin nuk ka pasur dijeni se tenderi do të bëhet kaq shpejt, apo kompania e tij do të ofrojë për kontratën.
Bashkëpunëtor i Pacollit është edhe përfaqësuesi i konsorciumit fitues, Lluka. Prokuroria e Kosovës për Krime të Rënda e ka hetuar dy herë, për shpërdorim detyre dhe mashtrim, të dyja lidhur me rolin e tij si ekzekutiv i Bankës Ekonomike në Prishtinë, e cila është në pronësi të familjes Pacolli.
Çështja e parë, për shpërdorim të pozitës zyrtare, u pushua në vitin 2019 pasi një gjyqtar vendosi se kishte tejkaluar parashkrimin. Lluka u shpall i pafajshëm në rastin e dytë vitin e kaluar për mungesë provash.
Lluka tha se ai kurrë nuk ishte shpallur fajtor për ndonjë krim. “Në jetën time nuk kam qenë kurrë i dënuar nga asnjë gjykatë. Nuk kam as dënime për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, për të mos përmendur ndonjë vepër tjetër penale”, tha ai në një deklaratë dërguar OCCRP.
Dhe fituesi është…
Sot, problemet ligjore vazhdojnë të vërtiten rreth konsorciumit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Vendimi për t’i dhënë koncesion konsorciumit YDA-Mabetex-2A po kundërshtohet nga një ofertues rival me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, AL-DE Corporation Ltd, e cila u skualifikua nga tenderi për mos dorëzimin e dokumenteve të duhura. AL-DE ka paditur ministrin shqiptar të Infrastrukturës dhe Energjisë për shpifje, duke thënë se pretendimi i dokumentacionit ishte vetëm një justifikim për të favorizuar konsorciumin rival.
AL-DE ka denoncuar edhe në Prokurorinë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke akuzuar Agjencinë e Prokurimit Publik për vendimmarrje të paligjshme dhe fabrikim dokumentesh. Zyra e Prokurorisë Speciale konfirmoi se kishte hapur një hetim, por nuk pranoi të komentojë më tej.
Dokumentet e tenderit të parë nga OCCRP tregojnë se, pas vonesave të përsëritura, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ndryshoi papritur kriteret e ofertave vetëm katër ditë para afatit përfundimtar të dhjetorit 2020. Ndryshimet reduktuan sasinë e përvojës dhe ekspertizës teknike të kërkuar, duke lejuar konsorciumin turko-kosovar të kualifikohej.
Fillimisht, kompanitë duhej të tregonin se kishin projektuar, ndërtuar dhe operuar një aeroport me një kapacitet vjetor prej më shumë se 10 milion pasagjerë, duke përfshirë dy kulla kontrolli, në dekadën e kaluar. Atyre iu kërkua gjithashtu të vërtetonin se kishin projektuar, ndërtuar dhe menaxhuar një tjetër me një kapacitet prej më shumë se 5 milionë në pesë vitet e fundit.
Kriteret e ndryshuara ulën pragun për të vërtetuar se ofertuesi kishte përvojë në ndërtimin dhe menaxhimin e një aeroporti me kapacitet për 2 milionë pasagjerë dhe një kullë kontrolli.

Në vend që të duhej të certifikoheshin nga Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit dhe Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, rregullat e reja gjithashtu kërkonin që ofertuesit të certifikoheshin vetëm nga Autoriteti i tyre Kombëtar i Aviacionit Civil.
Preçi i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike tha se ndryshimet e minutës së fundit tregojnë se qeveria kishte “përshtatur termat e referencës” për të lejuar kompanitë e favorizuara të “fitonin tenderin edhe para se të ishte zhvilluar”.
“Shpallja publike e ofertës ishte vetëm një formalitet,” tha ai pas shqyrtimit të ndryshimeve në dokumentet e tenderit.
Zyra e Ramës dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Lluka, përfaqësuesi i konsorciumit, mohoi se kishte fituar kontratën për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të Vlorës përmes manipulimit të procesit të tenderit.
“Kompania jonë nuk ka lidhje me kushtet e tenderit dhe i ka pranuar që në fillim”, tha ai. “Ne kemi respektuar, pa asnjë ndërhyrje, të gjitha kushtet.
Pacolli gjithashtu hodhi poshtë akuzat, duke pretenduar se “nuk kishte dëshmi për ndonjë devijim, ndryshim të kushteve të tenderit apo aspekte të tjera.[of the process] kjo do ta vendoste konsorciumin e kompanive fituese të udhëhequra nga Mabco Construction SA në një pozicion të favorshëm.”
Njëmbëdhjetë ditë pas shpalljes së kritereve të reja, një tjetër ofertues rival, kompania shqiptare Global Technical Mechanics, kërkoi sqarime për detajet e reja. Qeveria pranoi, duke shtyrë afatin për dorëzimet deri në shkurt 2021. Në garë hyri konsorciumi turko-kosovarë dhe AL-DE u skualifikua.
AL-DE pretendoi në dorëzimin e saj në Prokurorinë Speciale se Global Technical Mechanics ishte një kalë trojan i përdorur për të manipuluar procesin e tenderit, duke theksuar se kompania nuk ka paraqitur kurrë një ofertë për aeroportin.
“Komisioni i Prokurimit Publik duhet të kishte refuzuar shqyrtimin e ‘kërkesës për sqarim’. tha AL-DE në një dokument ligjor të dorëzuar në Prokurorinë Speciale.
Të dhënat e qeverisë tregojnë se konsorciumi turko-kosovar ka dorëzuar ofertën e tyre më 1 mars 2021. Ata u shpallën fitues katër ditë më vonë. Rama mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës me konsorciumin muajin pasardhës.
Pavarësisht se një vendim gjykate thoshte se kontrata e nënshkruar duhet të bëhej publike, qeveria ka refuzuar ta bëjë këtë, duke thënë se ishte një sekret tregtar. OCCRP e ka kundërshtuar këtë vendim në gjykatë.

Një investim ‘me rrezik të lartë
Që nga muaji ceremonisë së hapjes, duket se ka pasur shumë pak progres në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Kur OCCRP vizitoi vendin në maj 2022, reporterja jonë vërejti shumë pak aktivitete.
Ndërtimi është projektuar se do të marrë disa vite, pas dy viteve të operimit, aeroporti pritet që të ketë një kapacitet prej 600 mijë pasagjerësh. Me sa duket qeveria pret që ta marrë në dorëzim kur ajo të ketë afro 1.2 mln udhëtarë në vit.
Por sërishmi qeveria pranon që shifrat e saj janë të fryra dhe të pabesueshme. Dokumentet e prokurimit tregojnë se projekti është me “risk të lartë”, duke vënë në dukje se do të ndërtohet në një “zonë të gjelbër” me shumë pak të dhëna që tregojnë se sa pasagjerë pritet që të vijnë. Aty shprehet qartë se “është e pamundur që të parashikojmë trafikun”.
Përtej paqartësisë, qeveria shqiptare ka garantuar se konsorciumi do të ketë të ardhura. Nëse në vitin e katërt të operimit të tij ky konsorcium nuk do të sigurojë 9.6 mln euro nga trafiku si e ardhur, atëherë qeveria do të paguajë diferencë. Kjo do të rritet në vitin e 13 në shumën e 18.7 mln euro, sipas të dhënave të kontratës duket se qeveria do të sigurojë deri në 138.2 mln euro, pra thuajse më shumë se 1/3 e kostos së ndërtimit.
Sinan Idrizi, që është biznesmeni shqiptar pjesë e negociatave fillestare për ndërtimin e Aeroprotit të Vlorës në 2017, u shpreh se konsorciumi i parë turk që fitoi këtë kontratë u step duke parë se ishte tejet e kushtueshme pasi përfshinte edhe ndërtimin e rrugës.
“Të dhënat e tyre treguan se zona ishte kënetore, kjo do të krijonte probleme teknike për ndërtimin e aeroportit” i tha ai OCCRP “Numrat e pasagjerëve duhet të arrijnë në një milion, përndryshe aeroporti do ta ketë jetën e vështirë.”
Një studim nga OJF ambientaliste Green Group arriti në të njëjtin përfundimt duke u shprehur se kostoja e ambientit nga Aeroporti i Vlorës ishte më e lartë se sa përfitimi ekonomik. “Ky aeroport do të sjellë dëme sociale dhe mjedisore më shumë se sa të ardhura,” shkruhet në raport.
Taulant Bino, kryetari i Shoqërisë Orntilogjike të Shqipërisë, u shpreh se kundërshtarët e aeroportit do ta vijojnë luftën kundër ndërtimit të këtij aeroporti, madje edhe përmes gjykatave nëse është e nevojshme.
“Ne besojmë se drejtësia funksionon ende në këtë vend dhe do të vazhdojmë betejën tonë ligjore deri në fund,” u shpreh ai.
Besnik Poletini dhe Aidan Iusubova kontribuan në raportim.
KORRIGJIM: Ky tregim u ndryshua për të sqaruar kohëzgjatjen e kohës që Behgjet Pacolli shërbeu si president i Kosovës, dhe u ndryshua për të treguar se familja e Pacollit zotëron Bankën Ekonomike në Prishtinë. U shtuan gjithashtu detaje të mëtejshme të rezultatit të hetimeve ndaj Jose Enrique Rais.
Kontrolli i fakteve u sigurua nga Zyra e Kontrollit të Fakteve OCCRP. Ky shkrim u publikua me 21 Qershor 2022
https://www.occrp.org/en/investigations/new-albanian-airport-raises-cronyism-environment-concerns
Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.