Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) paraqiti sot në Gjykatë kërkesat për dënimin e tetë të pandehurve të përfshirë në dosjen e koncesionit të sterilizimit, një çështje që ka përfshirë ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe biznesmenë.
Hetimi SPAK është kryer për koncesionin “shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, në kohën kur Beqaj drejtonte ministrinë e Shëndetësisë.
Pjesë e këtij procesi është dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, mirëpo gjykimi vijon i ndarë pasi ai ka kërkuar shqyrtimin e çështjes me gjykimin të zakonshëm.
Ndërkohë, SPAK ka kërkuar 10 vite burg për ish-zv.ministrin Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj. Falë përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi për ta zbret në 6 vite e 8 muaj burgim.
Prokurorët Edvin Kondili e Ened Nakuçi e akuzuan dhe kërkuan gjykimin e ish-zv/ministrit Rrjepaj për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre; biznesmenin Ilir Rrapaj për mashtrim; ndërsa gjashtë të pandehurit e tjerë u akuzuan për falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.
Edhe Marsela Serjani dhe Saimir Kadiu janë përballur me kërkesa për dënime me nga 3 vite e 6 muaj burg, të cilat shkurtohen në 2 vite e 4 muaj për shkak të procedurës së shkurtuar. Ndërsa për Petref Mersinin, është kërkuar dënim me 2 vite e 6 muaj, i cili pritet të konvertohet në shërbim prove për një periudhë 4-vjeçare.
Listës së të pandehurve i janë shtuar edhe emra të njohur nga bota akademike, përfshirë rektorin e Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, si dhe Genc Burazerin e Naile Ajazin. Për secilin prej tyre është kërkuar nga 2 vite burg, të konvertuara në 1 vit e 4 muaj dhe me ekzekutim përmes shërbimit prove për 2 vite.
Përveç kërkesave për dënime penale, SPAK ka kërkuar edhe konfiskimin e 40% të aksioneve të kompanisë “Sani Service” dhe të shoqërisë “Globalsher” sh.p.k, të dyja nën administrimin ose pronësinë e Ilir Rrapajt.
Hetimet për këtë aferë kanë hedhur dritë mbi mënyrën se si është trajtuar koncesioni për ofrimin e instrumenteve kirurgjikale sterile dhe menaxhimin e mbetjeve mjekësore, një kontratë me kosto të lartë për buxhetin e shtetit, por me përfitime të dyshimta për një rreth të ngushtë zyrtarësh dhe biznesmenësh.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.