Ahmetajt i shtohen procedimet penale ndonëse është në arrati

GjKKO dërgon për gjykim ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj për aferën “Buka”, i akuzuar për shpërdorim detyre duke shkaktuar shtetit shqiptar dëm ekonomik prej 7 miliardë lekësh.

51
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj
Credits: shteg.org - Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur të çojë për gjykim në themel çështjen penale “Buka”, ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. Ky vendim erdhi pas dy herëve zgjatje të hetimeve ndaj tij duke zgjatur 6 muaj.

Në seancën e kësaj të premte, trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela miratoi kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme rreth 1 vit e gjysmë më parë, dhjetor 2023, duke pranuar dërgimin për gjykim.

Sipas hetimeve, Ahmetaj akuzohet nga SPAK për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, pasi dyshohet se i ka shkaktuar shtetit shqiptar dëm ekonomik në vlerën 7 miliardë lekëve.

Prokuroria e Posaçme ka ndarë çështjen për biznesmenin Lirim Fezollari dhe për katër persona të tjerë, përfaqësues të Ministrisë së Financave, dhe ka sjellë në gjyq vetëm ish-zëvëndës Kryeministrin  Ahmetaj.

Sipas hetimeve, biznesmeni Fezollari dyshohet se ka përfituar nga privatizimi në kohën kur Arben Ahmetaj ishte ministër i Financave. Ekzistojnë dyshimet se Ahmetaj-Fezollari, kishin marrëdhënie përtej komunikimit institucional, nga e cila ka arritur të privatizojë aksionet e shoqërisë “Buka sh.a”.

Shoqëria “Buka sh.a” sipas të dhënave të OpenCorporate.al rezulton se ushtron veprimtarinë e saj të biznesit në: administrimin dhe dhënien me qira të pasurive, tregtinë me shumicë e pakicë, import-eksportin e mallrave, ndërtimin e objekteve të ndryshme, si dhe ofrimin e konsulencës në pasuri të paluajtshme dhe inxhinieri.

Ajo operon gjithashtu në fushën e gastronomisë, prodhimin dhe tregtimin e ushqimeve e pijeve, si dhe në organizimin e aktiviteteve zbavitëse dhe kulturore.

Zotërues kryesorë të saj rezultojnë, Lirim Fezollari me 89.48% dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë me 4.73%.

Arben Ahmetaj u shpall në kërkim në muajin korrik të vitit 2023, pas hetimeve për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, ku rezultoi se kishte përfituar shuma të ndryshme parash nga pronarët e inceneratorëve.

SPAK shpalli në kërkim Ahmetajn për kryerjen e 3 veprave penale, “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ish-zv.kryeministri ndodhet në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dy procedimeve të mëparshme të bashkuar në një të vetëm, për “Fshehje të pasurisë”, “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”, e së fundmi u shtua dhe një çështje tjetër gjyqësore në ngarkim të tij.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.