Ajola Xoxa apelon vendimet e GJKKO

Gjykata e Apelit refuzon apelin e Xoxës për sekuestrimin e sendeve personale, duke i konsideruar të ligjshme këto veprime.

559
Ajola Xoxa Gjkko
Credits: shteg.org

Ankimimi për mbrojtjen e sendeve personale të Ajola Xoxës është bërë një veprim i përsëritur nga ana e saj pas çdo seance gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Posaçme.

Magjistrati Engert Pëllumbi refuzoi fillimisht apelin e Xoxës, i cili ishte paraqitur kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për sekuestrimin e sendeve të saj më 20 dhjetor 2024.

Sekuestrimi i telefonit të Xoxës ishte pjesë e hetimit për çështjen “Veliaj”, ku Xoxa dyshohej se ishte e përfshirë në një skemë për pastrimin e parave përmes OJQ-ve të saj, duke abuzuar me fondet publike.

Përveç kësaj, Xoxa kundërshtoi kontrollet e BKH-së në zyrën e saj në Sky Tower, të cilën ajo e pretendonte si një hapësirë magazinimi.

Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve të saj, Gjykata e Apelit i cilësoi si të ligjshme sekuestrimin e dokumentave dhe pajisjeve elektronike në bizneset e Ajola Xoxës.

Ndaj bashkëshortes së kryebashkiakut Prokuroria e Posaçme rëndojnë akuzat për: “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Xoxa është lënë në masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”. Fillimisht ndaj saj u vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa pas seancës së vlerësimit të masës, GJKKO vendosi “detyrim paraqitje”.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.