“Boll ma, tokë e xanun, aksioni kombëtar i IKMT, Policisë së Shtetit dhe strukturave shtetërore i mbështetur edhe nga Policia Bashkiake mbërrin në Theth. T’i japim fund paligjshmërisë”, – ky ishte postimi i Kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci më 7 korrik 2025, kur në Theth, një nga pikat më të rëndësishme turistike të Shqipërisë, nisën aksionet për shembjen e objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimi.
Aksioni i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Mjedisit (IKMT) nisi pas deklarimeve të Kryeministrit Rama për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin, ndërkohë që brenda një jave u shembën, sipas tij, të gjitha ndërtesat e ndërtuara në mënyrë të jashtëligjshme.
Në një deklaratë për mediat Kryeministri tha se në bazë të denoncimeve të kryera, më 15 korrik në Theth u shembën me dhjetëra objekte të jashtëligjshme.
“[…]dua të them që në Theth janë goditur 40 subjekte, të cilat në një sërë rastesh kanë pasur më shumë sesa një ngrehinë, edhe nga dy dhe nga tre, dhe policia e shtetit, ka një numër të konsiderueshëm denoncimesh të bëra në prokurori, dhe s’ka marrë asnjë veprim”, -deklaroi ai ndërkohë që sipas një përgjigjeje zyrtare që Bashkia Shkodër i dha “shteg.org” rezulton se gjatë viteve 2022-2025 në zonën e Thethit janë ndërtuar 105 objekte pa lejen e ndërtimit, megjithatë, ndonëse janë identifikuar në kohë “mungesa e logjistikës specifike” dhe territori i thyer në atë zonë kanë bërë, sipas përgjigjes së bashkisë, të mos realizohen aksionet e shembjeve deri në momentin kur me 4 korrik 2025 IKMT-ja e Shkodrës I ka kërkuar mbështetje zyrës së Tiranës.
Konkretisht, në vitin 2022 janë evidentuar dhe konstatuar nga IKMT-ja e Shkodrës 13 raste ndërtimesh të paligjshme, 26 të tjera janë konstatuar në vitin 2023, ndërkohë në vitin 2024 janë konstatuar 16 të tilla dhe gjatë përiudhës janar-korrik 2025 janë konstatuar 50 raste ndërtimesh.
Rama kundra funksionarëve të Drejtësisë
Në të gjitha rastet bashkia përgjigjet se janë marrë masat administrative dhe janë referuar rastet pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ndërkohë që më 7 korrik, gjatë një videoje të publikuar në rrjetin social “Facebook” Kryeministri deklaroi nëpërmjet një rasti se “hedhja e betonit” në Theth është një krim i shumëfishtë për të cilën prokuroria Elsa Gjeli ka refuzuar të hapë çështjen duke mosrespektuar denoncimin e Policisë së Shtetit.
“Kjo është fusha e mrekullueshme e Thethit, ku një kriminel, që as nuk ka kurajon të shfaqet ndërkohë që IKMT po zbaton ligjin, ka hedhur betonin e dynjasë për të ndërtuar “fshatin e tij turistik” pa asnjë leje, një krim i shumëfishtë për të cilën një prokurore e quajtur Elsa Gjeli, ka refuzuar të hapë çështjen duke hedhur në kosh denoncimin e Policisë së Shtetit”, – deklaroi ai, ndërkohë që përmes një letre të drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), prokurorja e Shodrës kërkon një reagim nga ky intitucion pasi sipas saj deklaratat e Kryeministrit kanë ndikuar në përceptimin publik duke e ekspozuar atë ndaj një sulmi të pashembullt mediatik.
“Këto deklarata janë bërë në kapacitetin e tij si Kryeministër, duke ndikuar në perceptimin publik, duke më ekspozuar ndaj një lincimi të pashembullt mediatik dhe duke minuar çdo kuptim të drejtësisë si një sistem i ndarë nga pushteti ekzekutiv”, – ka shkruar ajo, duke shtuar se gjatë kohës kur ka hetuar çështjen në zonë nuk kishte beton, por vetëm kontanierë të vendosur mbi pllaka guri, sipas referimeve të kryera nga Policia Gjyqësore.
Por pavarësisht kërkesës së bërë nga prokuroria Gjeli, KLP ka shmangur në dy mbledhjet plenare, konkretisht në ato të datës 11 dhe 16 korrik, shqyrtimin e kërkesës së prokurores për t’u mbrojtur nga sulmet e Ramës.
Por, Gjeli nuk është i vetmi funksionar nga sistemi i Drejtësisë, të cilin Kryeministri e ka sulmuar publikisht në rrjetet sociale për çështjet e lidhura me ligjishëmrinë e objekteve të ndërtimit.
Gjatë ditës së sotme, 1 gusht 2025, në platformën e rrjetit sociale “Facebook” ai cilëson një rast të ngjashëm dhe konsiderimin si pronë legjitime dhe vendimin e gjyqëtarit Hazbi Balliu për një nga pallatet në të cilën ushtron fuksionin Agjencia Kombëtare e Kadastrës.
“[…] dje u shfaq në të njëjtën llogore gjykatësi Balliu, i cili një pallat të tërë pa leje të konfiskuar nga shteti në mes të Tiranës dhe të vendosur në funksion të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, e konsideroi si pronë legjitime të ndërtimtarëve të paligjshëm, duke vendosur masë sigurie në favor të tyre”, – shkruan Rama, i cili ngre pikëpyetje rreth rolit të institucioneve të qeverisjes së gjyqësorit për kontrollin “e shpërdoruesve të pavarësisë së Drejtësisë”.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.