Akuzohet për korrupsion, lihet në “arrest me burg” ish-gjyqtarja e Elbasanit

Nuk ndryshohet masa e sigurisë për Pajtime Fetahu, e akuzuar nga SPAK për lidhje me dy organizata kriminale, të vëllezërve Çopja dhe të Suel Çelës.

408
Pajtime Fetahu dhe Suel Çela
Credits: shteg.org

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Pajtime Fetahut për ndryshimin e masës së sigurimit të caktuar ndaj saj. Kërkesa, e paraqitur më 27 janar 2025, kishte për qëllim zëvendësimin e masës “arrest me burg” ndaj ish-magjistrates, e cila akuzohet për “korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Ajo dyshohet se ka ndikuar në vendime gjyqësore në favor të organizatës kriminale të drejtuar nga Suel Çela.

Megjithatë, gjykata ka refuzuar kërkesën e Fetahut dhe ka vendosur të mbajë në fuqi masën “arrest me burg”. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela, ka arsyetuar këtë vendim në përputhje me nenet e Kodit të Procedurës Penale, duke iu referuar posaçërisht neneve 238 dhe 260.

Sipas Nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale, vendimi i arrestit në burg urdhëron që i pandehuri të dërgohet menjëherë në një institut paraburgimi dhe të mbetet në dispozicion të autoriteteve proceduese. Ky nen u konsiderua i rëndësishëm për të garantuar vijimin e hetimeve dhe shmangien e çdo ndërhyrjeje në procesin penal.

Gjithashtu, referuar Nenit 260, i cili lejon ndryshimin e masës së sigurisë kur rrethanat e saj e justifikojnë, gjykata arriti në përfundimin se nevojat e sigurimit nuk janë zbutur dhe rëndësia e fakteve për të cilat akuzohet Fetahu e justifikon vijimin e paraburgimit.

Bashkëpunimi me grupet kriminale

Fuad Verzivolli, një biznesmen në qytetin e Elbasanit, i shpëtoi për mrekulli një atentati të organizuar ndaj tij më 6 maj të 2017. Makinës së tij i ishte vendosur një sasi prej 1 kg tritol të llojit C4, dhe si autor të kësaj ngjarjeje policia arrestoi Astrit Sinanajn. Në vitin 2020, me vendim të gjykatëses së Elbasanit Pajtime Fetahu, autori i kësaj ngjarjeje u dënua me 25 vjet heqje lirie.

Shtatë vite më vonë, hetimet e Prokurorisë zbardhën aktivitetin kriminal të organizatës së drejtuar nga Suel Çela, duke treguar ndikimin e kësaj bande në drejtësi. Hetimet e kryera në bisedat midis Klaus Metishit dhe Suel Çelës kanë hedhur dyshime se nëpërmjet korruptimit të ish-gjyqtares Pajtime Fetahu, Çela ka ndikuar në marrjen e vendimit për dënim maksimal të Astrit Sinanaj. Në këmbim të kësaj ndërhyrjeje, dyshohet se ish-gjyqtarja ka marrë shpërblime monetare.

Ky nuk është rasti i vetëm ku gjyqtarja dyshohet të jetë vendosur në shërbim të kësaj organizate kriminale. Dyshohet se Çela ka kontaktuar privatisht mbi 13 herë me gjyqtaren Pajtime Fetahu për të ndikuar në gjykimin e anëtarëve të grupit të tij në Gjykatën e Elbasanit.

Komunikimet realizoheshin me ndërmjetësimin e vajzës së saj, Megi Fetahu, e cila sipas hetimeve të bëra nga SPAK rezulton të jetë në lidhje me Klaus Matishin, anëtar i grupit.

Gjatë shkurtit dhe marsit 2020, komunikimet e zbuluara tregojnë përpjekje për të ndikuar në procesin gjyqësor ndaj Brikin Rustës. Përmes së bijës së gjyqtares Fetahu, Sueli u informua për masat gjyqësore dhe këshillohej të vepronte me kujdes, duke u paralajmëruar për përgjime të mundshme.

Gjyqtarja Fetahu ka udhëzuar Çelën të ndikojë në deklaratën e dëshmitarit të çështjes. Ajo i ka thënë Çelës se dëshmitari duhej të ndryshonte qëndrimin e tij duke thënë se nuk e njeh Rustën.

Vendimi për këtë çështje u mor më 6 mars të vitit 2020, ku gjyqtare e çështjes ishte vetë Pajtime Fetahu, e cila caktoi masën me “detyrim paraqitje” në policinë gjyqësore për Brikin Rustën.

Përveç kësaj, Çela dhe Fetahu kanë bashkëpunuar për të ndikuar në përzgjedhjen e gjyqtares së çështjes Enkeleda Kapedani, duke i ofruar ryshfet për të siguruar një vendim të favorshëm për anëtarët e bandës së tij.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, rrjeti kriminal i Suel Çelës synonte kontrollin e territorit në Shqipërinë e Mesme përmes dhunës dhe ndikimit në sistemin e drejtësisë. Gjatë hetimeve janë dokumentuar tentativa për vrasje, trafikim droge dhe korrupsion në nivele të larta të sistemit gjyqësor dhe policor.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.