Akuzohet se mori 25 mijë euro për të ndikuar tek drejtësia, fillon hetimi gjyqësor për avokatin

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për dërgimin në gjyq të çështjes së avokatit Petraq Semani, i cili akuzohet se ka marrë 25 mijë euro për të ndikuar tek gjyqtarët për të ulur dënimin për një person të dënuar për vrasje.

793
Avokati Petraq Semani SPAK
Credit: shteg.org

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për të dërguar në gjykim çështjen e avokatit Petraq Semani, i cili akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Sipas SPAK, hetimet provojnë se Petraq Semani, si përfaqësues ligjor i shtetasit Llazar Dine, i ka kërkuar këtij të fundit dhe shtetases Sidorela Dine shumën monetare prej 25.000 Euro, duke iu premtuar se do të ushtronte ndikim tek gjyqtarët që po shqyrtonin çështjen e Llazar Dines.

Nëpërmjet aferës korruptive dhe ndikimit te trupa gjyqësore, Semani synonte të favorizonte Dinen gjatë procesit gjyqësor. Ky i fundit, aktualisht po vuan dënimin me 15 vite burg për shkak të një plagosjeje të rëndë që ka pasur pasojë vdekjen.

Korrupsioni i trupave të drejtësisë dënohet me ligj. Sipas kodit penal shqiptar, korruptimi i trupave të gjyqësorit dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 3 vjet.

Që prej datës 20 shkurt të 2024 Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurimit “arrest shtëpie” për avokatin Semani pas akuzave të ngritura nga prokuroria për veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Hetimet e prokurorisë zbuluan se avokati Petraq Semani mori 25 mijë euro nga të afërm të personit të dënuar, të identifikuar si Ll.D. Kësti i parë prej 9,550 euro u dorëzua në shtëpinë e Ll.D dhe ky akt u filmua.

Marrja e ryshfetit është regjistruar me audio dhe video nga personat që ia kanë dhënë. Pjesa tjetër e shumës, sipas prokurorisë, iu dorëzua avokatit nëpërmjet kësteve të përcaktuara mes marrëveshjes së familjarëve dhe avokatit.

Hetimet vërtetuan gjithashtu se Semani nuk arriti të ndikonte në vendimin e gjykatës ku u vendos dënimi me 15 vjet burg për Llazar Dinen. Pas vendimit, familja e të dënuarit ka kërkuar që t’i kthehen paratë. “Nga shuma e përfituar në mënyrë të paligjshme, shtetasi nën hetim Petraq Semani i ka kthyer shtetases Sidorela Dine shumën prej 8,000 euro, ndërsa pjesën e mbetur nuk ia ka kthyer”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.