Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të mërkurën më 5 shkurt 2025, t’u japë dy javë kohë avokatëve për paraqitjen e provave kundër akuzave të ngritura ndaj ish-biznesmenit Rezart Taçit.
Ish-biznesmeni kontrovers i naftës është akuzuar nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të pastrimit të parave, grupit të strukturuar kriminal dhe kryerjes së veprave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, Taçi, së bashku me kunatin e tij Artur Ballën, ish-truprojën Bledar Lilon dhe shtetasit italianë Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli, si dhe individë të tjerë, akuzohen për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Taçi ishte shpallur në kërkim për këto akuza që nga nëntori i vitit 2021, ndërsa dy bashkëpunëtorë të tij u arrestuan në Tiranë. Po ashtu, disa anëtarë të dyshuar të grupit u ndaluan në Itali, përfshirë 91-vjeçarin Francesco Zummo, i cili kishte qenë objekt i hetimeve nga gjykatësi Giovanni Falcone për lidhje të mundshme me organizatën mafioze “Cosa Nostra”.
Hetimet kanë zbuluar se grupi kishte organizuar një skemë për të pastruar 18.3 milionë euro, një shumë që është bllokuar nga autoritetet në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri.
Avokatët e Taçit, Ledion Branko dhe Ilenja Mëhilli, paraqitën një kërkesë për shtyrjen e afatit të dorëzimit të provave shkresore, duke argumentuar se për arsye objektive dhe probleme shëndetësore nuk kishin mundur të përfundonin përgatitjen e tyre. Gjykata e pranoi kërkesën, duke i dhënë mbrojtjes një afat shtesë për dorëzimin e dokumentacionit.
Në seancat e mëhershme të gjykatës, disa dëshmitarë kanë dhënë dëshmi lidhur me marrëdhëniet e tyre me biznesmenin Rezart Taçi dhe rolin që ata kanë pasur në skemën e pastrimit të parave.
Taçi, garanti i transferimit të miliona eurove

18 Qershor 2021 në aeroportin e Rinasit, zbresin dy shtetas italianë. Një i moshuar rreth të 90-ve që shoqërohej nga një 60-vjeçar. Të dy, dukeshin krejt normal por në Itali, plaku ishte Francesco Zummo, i hetuar më parë nga magjistrati Giovanni Falcone si i dyshuar për favorizimin e organizatës mafioze “Cosa Nostra”. Vendimi më i fundit i Gjykatës së Apelit në Palermo ka vendosur konfiskimin e pasurive të tij, duke përfshirë llogari bankare me vlera të konsiderueshme.
Zummo, po vinte në Shqipëri, për të bërë atë që dinte të bënte mirë prej dekadash, pastrimin dhe qarkullimin e parave.
Shoqëruesi i Zummo-s, Fabio Petruzzella, ishte financieri që kujdesej për të bërë gjithçka gati përmes lidhjeve të tij në Tiranë.
Në të njëjtën ditë, dy shtetas italianë, Francesco Zummo dhe Fabio Petruzzella, hapën llogari bankare në Bankën Alpha në Tiranë.
Dy muaj më vonë, Petruzzella paraqitet sërish në bankë, po këtë herë i shoqëruar nga Artur Balla dhe Bledar Lilo. Po në një nga filialet e Alpha Bank financieri paraqiti një prokurë që i jepte atij autoritetin për të vepruar në emër të Francesco Zummos. Plaku kishte plane për të investuar në sektorin e naftës në Shqipëri, ndaj autorizon financierin e tij të kujdesej për transaksionet financiare.
Prokura ishte nënshtruar nga një noter shqiptar, i quajtur Ermal Hamzaj. Hetimi gjyqësor provoi se ai më herët kishte punuar me biznesmenin kontrovers, ndërsa në seancën e datës 14 tetor 2024, noteri deklaroi se ishte kontaktuar nga Najada Taçi, bashkëshortja e Rezart Taçit.
Ishte ajo që kishte kërkuar hartimin e dokumentit dhe organizimin e udhëtimit në Itali për të marrë nënshkrimin e Zummo-s. Hamzaj theksoi se komunikimi dhe pagesat për këtë shërbim janë realizuar nga zonja Taçi, ndërsa Zummo firmosi prokurën gjatë një takimi të shkurtër në Itali.
Sipas hetimeve Francesco Zummo kishte një llogari bankare në Fondacionin Piraka në Lihtenshtajn, ku kishte një shumë prej 19 milion eurosh. Pikërisht kjo shumë parash, me pretendimin se do të investohej në sektorin e hidrokarbureve duhet të transferohej në Shqipëri.
Mesazhet midis ish-biznesmenit Rezart Taçit dhe Artur Ballës tregojnë se ata kishin dijeni për lidhjet e Francesco Zummos me mafien italiane. Një komunikim i dërguar nga Taçi përmbante informacione mbi konfiskimin e pasurive të Zummos nga autoritetet italiane.
Për realizimin e investime në sektorin e hidrokarbureve Fabio Petruzzella ka udhëtuar disa herë në Shqipëri, duke u shoqëruar gjithmonë nga Artur Balla dhe Bledar Lilo.
Në telefonin celular të Artur Ballës janë gjetur komunikime që tregojnë bashkëpunimin mes tij, Rezart Taçit dhe Petruzzellës, duke përfshirë biseda mbi dokumentet që duhen dorëzuar në bankë dhe veprimtaritë financiare.
Në dosjen hetimore thuhet se dokumentet janë përgatitur nga Emiliano Gjika dhe ky një njohje e vjetër e Taçit që në vitin 2010, kur ai zotëronte asokohë kompaninë ARMO.
Prokuroria ka sekuestruar një draft marrëveshjeje huadhënie që mban datën 09.08.2021, për shumën e 18.4 milion eurosh, që do të jepet për një periudhë 18-mujore me normë interesi 5%. Huaja do të përdorej për blerjen dhe rishitjen e naftës.
Gjika ka përgatitur gjithashtu një dokument që parashikon që një kompani e autorizuar në Hong Kong do të mbante një garanci prej 15 milion eurosh për procesin e shitjes së naftës, duke garantuar pagesat përkatëse.
Dy muaj pas kësaj marrëveshje, është Denisa Dobi, ekonomiste në “E.B.C Oil Company”, e cila depoziton në Alpha Bankë një kërkesë autorizimin lëvrim e një shumë prej prej 18.4 milion eurosh. Kjo kërkesë ishte bërë sipas udhëzimeve të Artur Ballës dhe Rezart Taçit.
“Këtë shkresë e kam shtypur unë, më është kërkuar nga Artur Balla, që të bëj një tekst të tillë dhe kujt t’i drejtohem. Unë thjesht e kam shkruar, por përmbajtjen ma ka bërë gati Artur Balla. Nuk më kujtohet cilit person ja kam dërguar” – i deklaroi Dobi gjykatës duke pranuar se dhe ajo punon tepër Taçin që nga viti 2005.
Rolin e Ballës në skemën e transferimit të 18.3 milion eurove e konfirmoi përballë gjykatës edhe drejtori i bankës së nivelit të dytë, Moris Vidhi.
“Janë paraqitur dy shtetas italian, njëri prej tyre është paraqitur si avokat dhe tjetri si biznesmen që donte të transferonte para për të investuar në Shqipëri. Ura lidhëse ka qenë Artur Balla. Në dijeninë time donin të investonin në hidrokarbure. Kam vënë re shifrën e lartë, dhe kontaktova menjëherë eprorët të cilët më autorizuan për transfertën, duke qenë se kishte interes për bankën. Më thanë bëje transferimin por bllokoje, pa i vënë në dijeni depozituesit që do i bllokosh derisa të bëhen verifikimet”, dëshmoi Vidhi në GJKKO.
Bllokimi i parave

Problemet për Taçin dhe miqtë e tij nisën të shfaqen në 29 Shtator kur financieri i Zummo mbërrin në Tiranë. Ai nuk mundi të transferojë paratë.
Sipas SPAK, skema financiare është drejtuar nga Zummo dhe Petruzzella, në bashkëpunim me një shtetas zviceran me origjinë italiane dhe biznesenin e naftës Rezart Taçi.
Prokuroria tha se ishin mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar.
“Në përfundim të hetimeve lidhur me këtë procedim penal është arritur në përfundimin se të pandehurit Rezart Taçi, Artur Balla dhe Bledar Lilo, në bashkëpunim me shtetasit italian Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli dhe disa persona të tjerë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar një skeme komplekse financiare të kundërligjshme, të shtrirë në disa shtete të ndryshme”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
18.4 milionë euro që u depozituan në Tiranë duhet transferoheshin në Hong-Kong dhe Singapor nëpërmjet një kompanie të Rezart Taçit, po SPAK e ka bllokuar operacionin.
Nga llogaria që u hap në emër të italianin 90-të vjeçar, Taçi do të fitonte 3 milionë euro. Shuma vinte nga një bankë në Kantonin zviceran të Ticinos dhe ishin pjesë e pasurisë 150 miliona euro të Francesco Zummo të konfiskuar nga gjykata italiane si të ardhura të Cosa Nostra.
Rezart Taçi ka një histori të gjatë me sistemin e drejtësisë. I njohur si biznesmen në sektorin e hidrokarbureve, Rezart Taçi arriti kulmin e ndikimit të tij gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike (2005-2013). Ai bleu kompaninë e përpunimit të naftës ARMO përmes një procesi të diskutueshëm, por më pas “dorëzoi atë” tek një kompani azere, duke e lënë me borxhe të mëdha që çuan në falimentimin e saj.
Në vitin 2019, ai u akuzua për mospagim taksash dhe fshehje pasurie në lidhje me kompaninë e naftës ARMO, por u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit.
Edhe pse është hetuar për një sërë veprash penale, Taçi nuk u përball kurrë me gjykatën dhe aktualisht është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.