Anija me mbetje toksike në Durrës, ekspertët ngrenë dyshime për trafik ndërkombëtar

Pas tre muajsh lundrim dhe mospranimit të ngarkesës nga asnjë shtet nën dyshimin e "mbetjeve toksike" anija "Moliva XA443A" u ankorua në Radën e Portit të Durrësit por do të mbahet nën nën kontroll policor

1072
Pankarta të ngritura gjatë një proteste në portin e Durrësit kundër mbetjeve të rrezikshme
Credit: LSA

Pas tre muajsh lundrim, ku asnjë shtet nuk e pranoi, anija e dyshuar me ngarkesë mbetje toksike, e nisur nga Durrësi në muajin korrik të këtij viti, është rikthyer sërish aty, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi “përbërësit toksik” që mund të mbartin në 102 kontejnerë dhe kapacitetin e institucioneve tona për menaxhimin e situatës alarmante. 

Prokuroria e Durrësit urdhëroi sekuestrimin e 102 kontejnerëve me mbetje toksike që ndodheshin në anijen “Moliva XA443A”, anije e cila ishte e ngarkuar me 2100 tonelata mbetje, që dyshohet se vijnë nga hiri i oxhaqeve metalurgjike. 

Ngarkesa, e destinuar për Tajlandën, ishte nisur nga Shqipëria në korrik, e cila transportonte ngarkesën për llogari të kompanisë “Sokolaj sh.p.k.”, me marrës “GS Minerals Doo”, por u kthye mbrapsht pas një alarmi nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Baselit’, me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara.

Burimi i mbetjeve toksike

Dyshimet e para janë se këto mbetjet me të cilat u ngarkua anija “Moliva” kanë si burim “metalurgjikun në Elbasan”, por autoritetet ende nuk kanë dalë me një version zyrtar.

Prokuroria e Durrësit  po heton rastin ndërsa drejtori ekzekutiv i (BAN) Jim Puckett, organizatë e cila ndërkombëtarizoi çështjen ngre dyshime të forta në lidhje me burimin e origjinës së mbetjeve. 

“Mbetjet nuk janë të konfirmuara që vijnë nga metalurgjiku i Elbasanit, por është një agjent i kompanisë turke që e thotë (shënim Kurum), pra me pak fjalë jemi të sigurt me “95% siguri” që këto kontejnerë mbajnë mbetje toksike, por sërish mbetet për tu parë” – tha për shteg.org Puckett. 

Po sipas drejtorit ekzekutiv të BAN, Jim Puckett, dërgesa e kontejnerëve drejt një vendi që nuk është anëtar i OCED-së dhe që nuk ka kapacitete të provuara të riciklimit të këtyre mbetjeve ngre dyshimet se ”dikush është përpjekur për të fshehur gjurmët e kësaj dërgese”. 

“Nëse ne mendojmë që kemi të bëjmë me një trafik ndërkombëtar të mbetjeve, duhet të gjejmë dhe të dënojmë aktorët përkatës, por më e rëndësishme është ndërgjegjësimi i popullatës, i industrisë si dhe Portin e Durrësit” – thekson Puckett. 

Për tre muaj rresht, kjo anije me 102 kontejnerë “mbetje metalurgjike” ka kryer një itinerar të gjatë dhe pas refuzimit të vendit pritës, Tailandës, edhe shtete të tjera nuk i pranuan këto mbetje. 

Ndërsa jemi para një fakti të kryer ku anija që dyshohet se ka 2100 ton mbetje, as Porti i Durrësit nuk ka pranuar ankorimin, duke e lënë anijen në Radë, Prokuroria e Durrësit i ka kërkuar disa institucioneve publike si: Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave, Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore për të vendosur në dispozicion laboratorë dhe ekspertë për kryerjeve e analizave të materialeve që ndodhen në kontejnerë. 

Megjithatë deri në përgjigjen përfundimtare të analizave anija me kontejnerët që dyshohet se përmban lëndë toksike duhet të qëndrojë në vëzhgim të plotë, vendim ky që përkrahet nga ambjentalistët.

“Kryerja e analizës së gjurmës kimike që do të na ndihmojë për të kuptuar origjinën dhe mënyrën se si ti menaxhojmë këto mbetje më pas, në landfillet përkatëse” – thotë Puckett.

Lavdosh Ferruni, një tjetër ekspert mjedisor thotë se – “pasi të bëhen analizat përkatëse mund të merren masat për të mos pasur rrjedhje të këtyre mbetjeve në platformat e portit të Durrësit, ose mund të dërgohen në një vend tjetër si p.sh në një fabrikë përpunimi të mbetjeve, ku mund të bëhet përpunimi i tyre sipas standardeve të duhura”.

Prokurorët e kësaj çështjeje Suela Beluli dhe Mediana Meta urdhëruan që ngarkesave t’u ndalohet hapja dhe të vihen në një vend të sigurt si përsa i përket sigurisë mjedisore dhe asaj fizike nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë.

Për zbatimin e kësaj procedure Prokuroria ka ngarkuar Drejtorinë e Përgjithshme Detare, Kapitanerisë Durrës, Autoriteti Portual Durrës, Dega e Doganës Durrës, Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit dhe oficerë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Drejtorisë së Hetimit Doganor.

Autoritetet janë udhëzuar të mbajnë procesverbale të detajuara mbi karakteristikat dhe numrin e kontejnerëve, si dhe të dhënat mbi kodin e sigurisë dhe gjendjen e plumbçave të secilit kontejner, por pa proceduar me hapjen e tyre.

+ posts

Ajla Starja është gazetare në redaksinë shteg.org

Ka përfunduar studimet për inxhinjeri mjedisi dhe është angazhuar në projekte për qëndrueshmërinë ekonomiko-mjedisore, politikat ambientaliste pjesë e Agendës 2030. Përgjatë karrierës ka qënë Youth Delegate e UNITE 2030 Cohort 6 New York, Ambassador e Happy Earth, Volunteer e Red Cross dhe pjesëmarrëse në tematikë kërkimore të Summer Camp Research of Rostock Germany.

Bjorn Alija është gazetar pranë redaksisë shteg.org