Në përgjigje të një artikulli me titull “Kulla e heshtjes, ndërtimi 16-katësh që sfidon ligjin dhe komunitetin në zemër të Tiranës”, Shoqëria ndërtuese A&E Development dhe një nga ortakët e saj, Gentian Parruca, kanë reaguar, duke e konsideruar si të njëanshëm, të pavërtetë dhe dëmtues për reputacionin e tyre.
Kliko këtu për reagimin e studios ligjore.
Megjithëse z. Gentian Parruca i është lënë 5 ditë kohë deri në publikimin e shkrimit, për të reaguar dhe për të saktësuar gjetjet e gazetarëve. Ai, nëpërmjet një studioje ligjore, ka reaguar 10 ditë pas dërgimit të pyetjeve me email ose 5 ditë pas publikimit të shkrimit.
Megjithatë, “shteg.org” gjend me vend të saktësojë.
1- Në shkrimin publikuar fjalia ishte:
“Projekti është hartuar nga studio “Focus Architecture” dhe do të realizohet nga kompania “A & E Development” në pronësi të Gentian Parrucës, ky i fundit nën hetim nga GJKKO për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal”.
Bëhet
“Projekti është hartuar nga studio “Focus Architecture” dhe do të realizohet nga kompania “A & E Development” ku Gentian Parruca zotëron 50% të aksioneve. Emri i Gentian Parrucës përmendet në një çështje të Gjykatës së Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje e sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të një organizate kriminale, me bazë në qytetin e Elbasanit.
“Mospranimin e rekurseve të paraqitura nga kërkuesit Erjon Rama, Gentian Parruca, Manjola Hysenaj dhe Shoqëria “Hotel Domus” shpk, Klajdi Merkaj, Bledar Paja kundër vendimit nr. 43, datë 19.09.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” – thuhet në njoftim e gjykatës.
2- Në shkrimin e publikuar fjalia ishte:
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se Gentian Parruca, ndërtuesi i kullës, ndodhet nën hetim nga SPAK. Prokuroria ka rënditur emrin e tij në listën e gjatë të personave të lidhur me organizatën krininale të vëllezërve Çopja. Sipas dosjeve hetimore, grupi akuzohet për vrasje me pagesë, trafik droge dhe pastrim parash përmes ndërtimeve të mëdha në Tiranë.
Bëhet
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se emri Gentian Parucës, gjendet në listën e gjatë të personave të cilët kanë bërë rekurs në GJKKO, në lidhje me një pronë e cila dyshohet se është financuar nga organizata kriminale të vëllezërve Çopja.
3- Në shkrimin e publikuar fjalia ishte:
Po ashtu, ai u pyet dhe në lidhje me miqësinë e afërt me Elvis Roshin, ish-kryebashkiaku i Kavajës, edhe ai nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, redaksia nuk mori një përgjigje nga ana e tij.
Bëhet
Po ashtu, ai u pyet dhe në lidhje me Elvis Roshin, ish-kryebashkiakun e Kavajës edhe ai nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, që sipas banorëve fshihet pas këtij investimi. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, redaksia nuk mori një përgjigje nga ana e tij.