Apeli i GJKKO lë në fuqi “arrestin me burg” për Ilir Metën

Ish-presidenti nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa avokati i tij e cilësoi vendimin si politik. Meta reagon nga qelia: “Nuk rrezikoj provat, por ata që i fshehin ato.”

295
Ilir Meta në Drejtorinë e Policisë së Tiranës
Credit: LSA - Ilir Meta në Drejtorinë e Policisë së Tiranës

Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sot të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Seanca e zhvilluar në mungesë të ish-presidentit, i cili u përfaqësua nga avokati i tij Kujtim Cakrani, zgjati rreth një orë e gjysmë.

Meta i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, ku ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë të 27 shkurtit, si dhe prishjen e vendimeve të Gjykatave më të ulëta, përfshirë Apelin e GJKKO-së dhe Shkallën e Parë. Në kërkesën zyrtare, ai argumenton se vendimet janë marrë në shkelje të të drejtave të njeriut dhe të parimeve kushtetuese, dhe se ndaj tij nuk ka prova konkrete, as analizë të rrezikut, ndërsa i është mohuar një proces i rregullt ligjor.

Pavarësisht argumenteve të avokatit për një masë sigurie më të butë, Apeli i GJKKO-së vendosi të mos e ndryshojë masën e vendosur më 26 qershor 2025, duke refuzuar kështu edhe ankimimin e bërë nga Meta kundër vendimit të mëparshëm që e la në paraburgim që prej 21 tetorit 2024.

Sipas avokatit Cakrani, mbajtja në burg e Metës është një vendim i motivuar politikisht. Gjatë seancës, pati përplasje dhe debate me përfaqësuesin e organit të akuzës, prokurorin Sotir Kllapi, ku Meta përmes përfaqësuesit të tij, hodhi poshtë akuzat si të pabazuara.

Pas vendimit të sotëm, Meta ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook nga qelia, ku shprehet se nuk ka asnjë arsye ligjore për të vijuar qëndrimin në burg.

“Nuk jam unë që rrezikoj provat, por janë ata që i kanë fshehur ato. Nuk jam unë që intimidoj dëshmitarët, por janë ata që i kanë rekrutuar me shantazhe dhe i kanë kthyer në përkrahës të PS-së,” – shkruan Meta.

Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, janë të pandehur në një hetim të zhvilluar nga SPAK për akuzat: “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “mosdeklarim të pasurisë”.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.