Ish-avokati Alban Bengasi është vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për të kryer dënimin e shtuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për akuzën “Dhunë në familje”. Përfshirja e tij me botën e krimit u zbulua nga dosjet e SPAK-ut, pasi akuzohet se ka ofruar 120 mijë euro për të vrarë bashkëshorten e tij.
Referuar dosjes së SPAK, Bengasi ka takuar të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani për të biseduar për eliminimin fizik të ish-gruas së tij. Më 30 janar 2020, në rrugën “Mihal Grameno”, zonja B. Bengasi, është dhunuar në momentin që ka hyrë në automjetin e saj. Fatmirësisht, goditjet nuk kanë qenë fatale për të.
Pas akuzave të ngritura nga prokuroria si i implikuar në këtë ngjarje ish-avokati Alban Bengasi, u gjet fajtor për veprën penale “Dhunë në familje”, ndërsa u shpall i pafajshëm për veprën penale “Grup i Strukturuar Kriminal”. Avokati u dënua me 2 vite burgim, por duke përfituar nga ulja e 1/3 së dënimit përfundimisht u dënua me 1 vit e 4 muaj burg.
Bengasi kreu dënimin e dhënë nga GJKKO prej 1 viti e 4 muajsh burgim dhe u la i lirë më 27 korrik të këtij viti me një njoftim zyrtar të Apelit të GJKKO-së.
“Urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të të pandehurit z. A.B. nga ambientet e paraburgimit, nëse liria e tij personale nuk kufizohet për një shkak tjetër ligjor”, shkruhej në vendimin e dhënë nga Florjan Kalaja, si gjyqtar i vetëm i çështjes.
Prokuroria ankimoi vendimin por dhe pala mbrojtëse e avokatit. Të mërkurën, trupa gjykuese e Apelit të Posaçëm e kryesuar nga gjyqtari Florjan Kalaja, me anëtarë Dhimitër Larën dhe Engert Pëllumbin vendosi dënimin përfundimtar të të pandehurit Alban Bengasi me 7 vite burg për dhunë në familje në formë të veçantë të grupit të strukturuar kriminal, që i shtoi dënimit të tij dhe 5 vite të tjera burgim.
Në aplikim të këtij neni, iu vendos dhe gjoba në masën një të tretën, por pa kaluar kufirin maksimal të dënimit me burgim 3 vite burg dhënë për veprën penale që parashikohet në nenin 333 pika a, mbi formën e grupit të strukturuar kriminal.
Bashkimi i dënimeve për avokatin, bëri që nga 7 vitet burg i konvertohen për shkak të gjykimit të shkurtuar në 4 vite e 8 muaj burg. Dënimi do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë. Për të ankimuar vendimin, Bengasit i mbetet rekursi në Gjykatën e Lartë.
Avokati Alban Bengasi u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”. Ai u arratis fillimisht nga Shqipëria duke qëndruar për një periudhë prej 16 muajsh në Dubai. Bengasi u dorëzua në Tiranë më 6 shtator 2023 ku u kap në aeroportin e Rinasit nga Policia. Prej asaj kohe, Bengasi po përballet me drejtësinë shqiptare.
Eraldo Harlicaj aktualisht punon si gazetar në emision televiziv “Inside Story” në Top Channel. Ai ka një eksperiencë të mëparshme si gazetar në disa media shqiptare.
Ka mbaruar studimet në Universitetin Barleti me degën Marketing dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.