Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar refuzoi kërkesën për shpalljen “i pafajshëm” të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
Vendimi i Apelit la në fuqi dënimin e dhënë në nëntor 2024 nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila e shpalli fajtor për shpërdorim detyre në dy raste dhe e dënoi me 2 vite e 8 muaj burg.
Avokati i tij, Petrit Ismaili, deklaroi për “shteg.org” se mbrojtja do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë. “Patjetër që do bëjmë rekurs për vendimin e sotëm” – deklaroi Ismaili duke pretenduar pafajësi për klientin e tij.
Gjykata e Posaçme e dënoi me 2 vite e 8 muaj burg Vagjush Dakon, në nëntor të vitit të shkuar, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në 2 raste, gjatë shërbimit të funksionit të tij si kryetar i Bashkisë Durrës.
SPAK kërkoi dënimin e Vangjush Dakos për “shpërdorim detyre” në dy raste duke kërkuar 4 vite burgim. Por, për shkak të gjykimit të shkurtua Vangjush Dako u dënua me 2.8 vite burg.
Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.
Në dokumentet e ankimit, mbrojtja këmbënguli se Dako nuk kishte kompetencë ligjore për aktet e nënshkruara, duke i cilësuar ato si prova të thjeshta të dijenisë së tij, jo të një vendimmarrjeje të drejtpërdrejtë.
Për të njëjtin hetim u kërkua të shpallej fajtor edhe Fatmir Ejupi, topograf inxhinier, me akuzën për falsifikim stampash dhe dokumentesh. Për të cilin Prokuroria kërkoi dënimin me 3 vjet burg për të dhe administratorin e kompanisë që përfitoi lejen e ndërtimit, Fiqiri Farrukun.
Por për shkak të gjendjes shëndetësore dhe moshës së Farrukut prokuroria kërkoi pezullimin e masës. Masa lehtësuese, shërbim prove, u kërkua nga prokurori për Ardian Bulkun për kohën e mbetur të dënimit.
Ish-kryebashkiaku socialist, Dako ka kryer deri më tani 6 muaj paraburgim dhe 13 muaj arrest shtëpie.
Duke llogaritur kohën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak, ish-kryebashkiakut Dako i duhen 10 ditë deri në përfundim të dënimit.
Vangjush Dako, i cili drejtoi Bashkinë e Durrësit për tre mandate në periudhën 2007-2019, u arrestua në qershor të 2023-shit, së bashku me 9 ish-zyrtarë të bashkisë dhe sipërmarrësin e një kompanie private.
Më pas ndaj tij u vendos masa e arrestit shtëpiak pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve.
Ky nuk është rasti i parë kur Dako përballet me akuza për korrupsion.
Në vitin 2015, ai u akuzua për abuzime me shpërndarjen e 150 banesave sociale, ndërsa opozita e akuzoi për manipulimin e listave zgjedhore me 2,700 banorë fiktivë.
Po ashtu, lidhjet e vëllait të tij me sektorin e ndërtimit kanë ngritur prej kohësh dyshime për klientelizëm dhe konflikt interesi.
Kritikat ndaj menaxhimit të tij në bashki u përforcuan pas tërmetit të 2019-s, kur shumë pallate në Durrës, të ndërtuara gjatë periudhës së drejtimit të tij, u dëmtuan rëndë.
Ish-kryetari më jetëgjatë socialist në bashkisë e Durrësit herë pas herë është vendosur nën akuzë nga opozita për lidhjet e tij me grupet kriminale.
Në vitin 2018, emri i tij doli në përgjimet e mbledhura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda mbi një grup të dyshuar për trafik droge. Në media rrodhën transkriptime telefonike ku kryebashkiaku i Durrësit i asaj kohe komunikonte drejtpërdrejt me persona të hetuar si pjesë e grupeve kriminale.
Bisedat e publikuara tregonin marrëdhënie “miqësore” mes Dakos dhe individëve të akuzuar për përfshirje në krim të organizuar, të cilët dyshohej se ishin angazhuar për të shtuar votat e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Opozita e akuzoi hapur Dakon për lidhje me botën e krimit dhe për përfshirje në skema të shitblerjes së votave. Vetë ai e niminimizoi çështjen duke i cilësuar bisedat si telefonata të zakonshme të një politikani me qytetarët e tij.
“Kjo është politika. Ai bën një luftë për mua, fiton vota, jep një kontribut dhe ti nuk mundke t’i bësh një telefon?!” – deklaronte Dako në studio televizive, duke e etiketuar veten madje si një “supermen” që arrinte të takonte mijëra njerëz gjatë fushatave.
Në këtë logjikë, ai e justifikonte edhe kontaktin e tij me trafikantët e drogës si pjesë e “dinamikës rutinë” të marrëdhënieve me elektoratin.
Për lidhjet e tij me eksponentë të krimit të organizuar dhe implikimet në shitblerje të votave Dako nuk u akuzua kurrë zyrtarisht, por në vitin 2019 Edi Rama nuk e vendosi më në listën e kandidatëve për kryetar bashkie të Partisë Socialiste të Durrësit.
Më pas Dako dha dhe dorëheqjen nga funksionet drejtuese të partisë dhe pak muaj pas largimit, Departamenti i Shtetit shpalli “Non Grata” me arsyetimin që është i përfshirë në korrupsion madhor, ndaj dhe sanksionoi ndalimin e tij dhe të familjes të hyjë në SHBA.
Megjithëse larg politikës aktive, Dako do të vijonte të gëzonte mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama, i cili deklaronte hapur miqësinë me të.
“Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im. Nuk e përcakton Departamenti i Shtetit Amerikan kë kam mik. E përcakton morali dhe bindja ime. Edhe në burg të shkojë nesër, do jetë miku im,” do të shprehej Rama në shkurt 2020 në emisionin “Opinion” në TV Klan.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.