Arjan Ndoja tregon si u përgatit atentati që i mori jetën shoferit të tij

Ish-prokurori dëshmon për herë të parë pas atentatit të vitit 2019, kërkon sqarime nga i pandehuri Plaurent Dervishaj, ndërsa SPAK zbardh rrjetin kriminal dhe komunikimet e enkriptuara që çuan në sulmin ndaj tij.

183
Personat e perfshirë në proces
Credits: shteg.org - Personat e perfshirë në proces

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua seanca e radhës për çështjen penale për çështjen penale ndaj të pandehurve Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçja, të akuzuar për organizimin dhe pjesëmarrjen në atentatin e 1 nëntorit 2019 kundër ish-prokurorit Arjan Ndoja.

Në këtë seancë, dëshmoi për herë të parë vetë Ndoja, i cili rrëfeu për trupën gjykuese detaje mbi ngjarjen e ndodhur në mbikalimin e Shkozetit. Ai deklaroi se ishte nisur drejt banesës në shoqërinë e shoferit të tij Andi Maloku, i cili humbi jetën në atentat, dhe Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe si “Rrumi”, i plagosur bashkë me Ndojën në ngjarje.

“Është goditur prokurori, jo Arjan Ndoja. Arjan Ndoja ja ku është” – dekaroi Ndoja i cili rrëfeu me hollësi ditën e ngjarjes.

“Kam dalë si zakonisht nga shtëpia dhe kam shkuar në zyrë. Ka qenë data 1 nëntor, ora 13:00. Konsumuam drekë me disa miq deri rreth orës 16:00. Ishim me shoferin Andi Maloku dhe Aleksandër Lahon, të cilin e njoh si avokat. Makina drejtohej nga Andi, unë isha në sediljen e parë, pas ishte Laho. Kishim një segment të përbashkët rruge sepse po ktheheshim në shtëpi.” – rrefeu ish prokurori duke treguar edhe dyshimet e tij mbi autorët.

“Te ura e Dajlanit dhe më pas te mbikalimi, sa kaluam, filluan të shtënat. Fillimisht mu dukën si zhurma plastike, pastaj kuptova se ishin plumba. Të shtënat vinin nga pas. Dëgjova dy lloj zhurmash – me siguri ishin dy armë të ndryshme. Mendoj se kanë qenë rreth 13 predha. Ne po ecnim me 60-70 km/h – tha Ndoja.

“Makina u ngadalësua nga i ndjeri Andi. Vetëm për 3 minuta kam qenë koshient. Kur dola nga makina, rashë përtokë dhe për 6-7 minuta kam qenë pa ndjenja. E pashë veten direkt në spital.” – deklaroi ai.

Ndoja tregoi detaje për makinën dhe marrëdhënien me shoferin e tij i cili humbi jetën si pasojë e plumbave të marra.

“Kam një shtëpi në Shëngjin, aty qëndroja. Automjeti ishte në emrin tim, një Mercedes Benz që e përdornim të gjithë në familje. Në tetor të 2019 mora në punë një djalë, Andi Maloku, i cili nuk jeton më. Qëndroi me mua vetëm një muaj. Ishte i ri, nuk kishte shumë përvojë, thjesht doja të ishte me mua.”

Ai sqaroi gjithashtu se nuk kishte vënë re ndonjë automjet apo person të dyshimtë gjatë antentatit të ndodhur ndaj tij.

“Pas atentatit, kemi folur me njerëzit që ishim në makinë. Shumë njerëz më thoshin: ‘Kushdo që e ka bërë, ka dashur të godasë prokurorin, jo ty personalisht’. Kam dëgjuar gjithçka, por nuk kam ndonjë provë konkrete.” – u tha Ndoja togave të zeza i cili shpjegoi dhe mardhëniet e tij personale më personat që e shoqëronin atë ditën e ngjarjes.

“Me Pëllumb Muharremin nuk jam takuar më. Me Genc Malokun, babain e Andit, kam një marrëdhënie njerëzore – humbi djalin në makinë me mua. Me Dorian Shabën nuk kam pasur komunikim, as me Enver Shabën për këtë ngjarje. Enverin e njoh se ka një objekt në Shkëmbin e Kavajës ku kam shkuar ndonjëherë, por kaq.”

Duke theksuar mungesën e motiveve personale, Ndoja ngriti dyshime për ndikimin e mundshëm të deklaratave politike të kohës, veçanërisht të Kryeministrit dhe zëvendësit të tij, të cilat, sipas tij, mund të kenë krijuar presion mbi të.

“I vetmi shqetësim që kam pasur në atë kohë kanë qenë deklaratat publike të kryeministrit dhe ish-zv/kryeministrit. Mendoja se mund të më vendosnin nën presion përmes vetingut apo veprimeve të tjera.” – shpjegoi Ndoja.

Përballë të pandehurit Plaurent Dervishaj, Ndoja kërkoi sqarime për motivin e atentatit, duke përmendur një takim të mëparshëm mes tyre, si dhe informacionet e shumta që kishte marrë për përfshirjen e tij. Përplasja mes tyre në sallën e gjyqit krijoi tension në seancë, ku Dervishaj u përgjigj me një paralajmërim të drejtpërdrejtë.

“Ti kujton se po të kesh gisht në atentatin tim, do të ta fal?” – dha Dervishaj, duke iu referuar një atentati të ndodhur ndaj tij, katër muaj më parë se të sulmohej ish-prokurori. 

“Fizikisht njoh vetëm këtë njeriun këtu (Plaurent Dervishaj). Kam qenë njëherë në një takim me një avokat, ku ishte edhe ai. Nuk e di pse më kanë qëlluar, por dua të di arsyen” – tha ish prokurori.

Ndoja u pyet edhe për një komunikim që kishte pasur me Basir Meçe, babai i Julian Meçes, një prej të pandehurve në proces. Ai sqaroi se e kishte kontaktuar pas ngjarjes për shkak të një informacioni që kishte marrë.

“E kam pyetur nëse është e vërtetë kjo gjëja, është shumë e rëndë. I thashë: A të kam ndonjë borxh unë ty? Një djalë ke, merre dhe hiqe nga Shqipëria.”

Sipas dëshmisë së tij, Ndoja e ka bërë këtë kërkesë “si mik, si prind”.

“Unë kam marrë plumba dhe nuk i jam debitor askujt. Mendoj se na kanë bërë intriga. Përhapja e një gënjeshtre si e vërtetë është intriga.”

Ndoja përmendi gjithashtu se kishte marrë edhe letra anonime pas atentatit, por nuk kishte asnjë provë të qartë dhe as nuk i kishte dorëzuar ato në organet e drejtësisë.

Ndoja e përmbylli dëshminë me kërkesën që të zbardhet motivi real i atentatit, duke theksuar se nuk ka interesa pasurore në zonën e Gjirit të Lalëzit dhe se ka qenë i painformuar për çdo konflikt.

Seanca ka  ka vijuar me dëshminë edhe ish-deputeti Halit Valteri, i cili në vitin 2020 publikoi një video të lidhur me ngjarjen.

Ai sqaroi se veprimet e tij ishin motivuar politikisht si pjesë e detyrës së tij parlamentare, duke theksuar se nuk ishte prokuror dhe nuk kishte bërë verifikime profesionale mbi përmbajtjen e videos. Ai përmendi edhe një komunikim pas interpelancës me Ramazan Rrajën, mik i vjetër nga shkolla, që e kishte pyetur për përmendjen e emrit të Dervishajt.

Dëshmitë e dhëna përfshinë edhe Enver Shabën, i cili konfirmoi se ka qenë në një tavolinë me Ndojën para atentatit, por mohoi çdo lidhje me ngjarjen, si dhe Aida, punonjëse e drejtësisë, dhe Aleksandër Davoçi, ish-biznesmen, të cilët përjashtuan çdo dijeni apo përfshirje në çështje.

Atentati ndaj Arjan Ndojës, ish prokuror në rrethin e Durrësit, ndodhi në 2019 pranë mbikalimit të Shkozetit. Ish-prokurori, së bashku me “Rrumin” dhe shoferin Andi Maloku, ndodheshin në një fuoristradë që u qëllua me breshëri automatiku nga një tjetër automjet në lëvizje. 

Maloku mbeti i vrarë, ndërsa Ndoja dhe Laho u plagosën rëndë. Automjeti i atentatorëve u gjet i braktisur në fshatin Shkafanë, ku u sekuestruan armë dhe veshje me gjurmë gjenetike të Redjan Rrajës, një prej të arrestuarve.

Hetimet e SPAK zbuluan një rrjet të gjerë personash të lidhur me Plaurent Dervishajn, të cilët përmes komunikimeve të koduara në aplikacionin “Sky ECC” kishin organizuar ndjekjen dhe më pas ekzekutimin e atentatit. Motivimi mendohet të ketë qenë një konflikt për interesa pronësie dhe influencë në zonën e Gjirit të Lalëzit.

Zyrtarisht për atentatin e 1 nëntorit 2019 Prokuroria e Posaçme ka akuzuar 11 persona. Plaurent Dervishajn, Julian Meçajn, Julian Pjetrin, Arjol Halilajn, Amar Shkëmbin, Bashkim Haxhijan, Bledar Polovinën, Endrit Sinanin, Genti Nderjakun, Ramazan Rrajën e Redjan Rrajën.

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 35 vite burg Arjol Halilajn dhe burgim të përjetshëm Redjan Rrajën ndërsa të tjerët presin të gjykohen.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.