Më 3 shkurt, Daut Laze, i dënuar për dhunë në familje, u arratis nga burgu i Shënkollit, duke përfituar nga mungesa e sigurisë në sektorin ku mbaheshin të dënuarit me probleme të shëndetit mendor. Ky sektor ishte transferuar në Shënkoll pas mbylljes së IEVP Zahari në Fushë Krujë për shkak të kushteve të papërshtatshme, por edhe në ambientet e reja nuk u garantua siguria e nevojshme. Kontrolli i dobët dhe mungesa e masave parandaluese i dhanë mundësinë Lazes të realizonte arratisjen e tij pa u vënë re.
Pas hetimeve, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm arrestoi tre punonjës të IEVP Shënkoll, Tonin Nikollin, Gjin Ndokën dhe Zhaneta Mellën, të cilët u pezulluan nga puna dhe u akuzuan për shpërdorim detyre.
Por gjetjet e “shteg.org” tregojnë se mungesa e efektivëve dhe mbingarkesa e stafit të sigurisë ka krijuar boshllëqe që u shfrytëzuan nga i arratisuri.
Burgu i Shënkollit ka një kapacitet prej 200 shtretër për të dënuarit me mjekim të detyruar, por aktualisht aty mbahen 455 persona, shumë më tepër se sa lejon infrastruktura. Ky mbipopullim ka sjellë kaos në menaxhimin e sigurisë, duke e bërë të lehtë për të burgosurit të gjejnë mënyra për të shmangur mbikëqyrjen.
Arratisja
Daut Laze nuk është munduar shumë për të realizuar planin e tij të arratisjes nga burgu, plan të cilin ai e vuri në jetë mesnatën e 3 shkurtit të 2025.
Ajo që duhet të ishte një burg për shlyerjen e dënimit nuk ishte gjë tjetër veçse një dhomë urgjence dyert e së cilës qëndronin gjithmonë të hapura. Po aq e lehtë ishte të dilje edhe nga rrethimi i burgut të Shënkollit i cili u shndërruar në një “spital” pas mbylljes së IEVP Zahari në Fushë Krujë për shkak të kushteve skandaloze.
Duket për tre muaj, Daut Lazë nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka vëzhguar ambientin e ri ku u vendos për të shlyer dënimin e dhënë nga gjykata më 4 nëntor të 2024.
Po kështu, dhe urdhrat e dhëna verbalisht, dyert e të burgosurve të qëndronin hapur, duket se kanë ndihmuar atë në planin e arratisjes së Lazes.
“Urdhrat jepen gojarisht dhe prej dy muajsh nuk u lejua që dyert e pacientëve të mbylleshin” – i tha “shteg.org” një prej punonjësve të burgut të Shënkollit.
Pas këtyre urdhrave ajo që duhet të bënte një i burgosur nuk ishte gjë tjetër veçse të shtirej se po flinte.
Daut Laze në orën 3:25 të mëngjesit ka parë policin e turnit të shkojë për të mbikëqyr një sektor tjetër. Direkt pas kësaj Laze ka sajuar batanijet e krevatit si një person që po flinte dhe është larguar nga krahu i godinave 2-3 mes përmes korridorit të burgut.
Kamerat e sigurisë e tregojnë atë duke pirë duhan dhe pas 5 minutash rikthehet sërish në dhomë për të marr librat e tij fetarë, për të rifituar lirinë i pa trazuar nga askush.
“Është ngjitur në zgarën që e kishte vendosur në mur. E ka kapërcyër dhe ka marrë drejtimin tek vendroja numër 4. Te ky vend shërbimi është një tub që del pak jashtë dhe jep ndriçimin e dy këndeve për prozhektorët. Aty është argjinatura e lumit Mat më afër. Nga tubi është hedhur dhe ka kaluar rrjetën pa u shqetësuar nga askush”, – tregon burimi.
Burgu i Shënkollit ka 8 vendroje, apo kupola siç quhen në gjuhën teknike të policëve. Gjatë ditës drejtuesit kishin urdhëruar vetëm 2 policë që qëndronin tek vendorja Nr.2 dhe Nr.5. Natën siguria ruhej nga 3 policë që kryenin roje tek kupola 2-5-7 dhe një përgjegjës.
Ngjarja u pasua me një hetim nga ana e shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në përfundim të të cilit u arrestuan 3 punonjës të IEVP Shënkoll. Tonin Nikolli, Gjin Ndoka dhe Zhaneta Mella janë pezulluar nga puna dhe akuzohen për shpërdorim detyre.
Të dhënat e “shteg.org” tregojnë se siguria në burgun e Shënkollit ishte minimale për shkak të numrit të reduktuar të punonjësve të policisë.
Kapaciteti i burgut të Shënkollit për personat e dënuar që vijnë me mjekim të detyruar është 200 shtretër, ndërsa momentalisht në këtë godinë akomodohen 455 pacientë me masë mjekësore të detyruar nga gjykata.
Fajtorë gjenden policët

“Kam 30 vite që kam punuar në Shënkoll dhe dosja ime është e bardhë. Nuk ka asnjë vërejtje në dosjen time“, e nis rrëfimin e tij polici Tonin Nikolli. 57-vjeçari është njëri nga 3 punonjësit e arrestuar për largimin e Daut Lazes nga burgu.
Tonini është në arrest shtëpie, pas akuzave të ngritura për shpërdorim detyre. Sipas hetimeve, polici ishte fajtor se nuk ndaloi arratisjen e Daut Lazes, paçka se natën e 3 shkurtit ai ishte urdhëruar që të mbante sigurinë në sektorin e “infermierisë dhe ato të takimeve” në burgun e Shënkollit.
“Si rregull duhet të ruaj vetëm një sektor, por mua më kanë vendosur 2 sektorë atë natë. Edhe kam firmosur në dy libra shërbimi. Kam pasur për të ruajtur 16 pacientë në një anë dhe 13 në anën tjetër. Largësia nga njëri vend i shërbimit te tjetri është 100 metra” – tregon Tonini për “shteg.org”.
Pikërisht momentin e lëvizjes së Toninit nga një sektor në tjetrin duket se është shfrytëzuar edhe nga i burgosuri.
“Kam qenë duke ruajtur pacientët, jo të dënuar, as të paraburgosur. Nuk ka pasur rregullore të brendshme për pacientët. Na thonin kujdes, mos i mbyllni derën, mos i prekni”, – tregon Tonini.
Megjithatë, dokumentet tregojnë se efektivi i policisë ka dorëzuar turnin në mëngjes dhe ka njoftuar punonjësin zëvendësues se gjithçka është në rregull.
Drejtoria e Burgjeve në një shkresë zyrtare ka pranuar se numri i pacientëve në IEVP Shënkoll është dy herë më i lartë se shtretërit akomodues.
“Kapaciteti është 200 shtretër në dy godina të veçanta. Aktualisht janë akomoduar 455 pacientë me masë mjekësore të detyruar nga gjykata”.
Gjatë muajit qershor u vendos që burgu i Shënkollit të ndryshonte statusin nga IEVP ( Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale) në IMD (Instituti Mjekësor i Posaçëm). Ky ndryshim solli dhe shkurtimin e stafit policor, pasi një pjesë e madhe e policëve u transferuan në burgun e Reçit.
Ndryshimi i statusit nuk qëndroi për shumë gjatë, vetëm pas një muaji u kthye sërish në IEVP.
Zyrtarisht statusi i Shënkollit momentalisht është IEVP, por kthimi i statusit të sigurisë së zakonshme nuk shtoi sigurinë, por sërish puna vazhdoi me staf të përgjysmuar.
Në këtë institucion janë 110 policë që ruajnë sigurinë, ndërsa pyetjes sonë se sa personel policor ruan godinat 4-5 dhe infermierinë-takimet që janë të akomoduar të dënuarit me mjekim të detyrueshëm, drejtoria e burgjeve nuk na dha një përgjigje konkrete.
Pas largimit të Daut Lazes kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme në ambientet e Shënkollit. Është rikthyer sërish rregullorja e brendshme duke mbyllur dyert e të gjithë pacientëve me shul dhe çelës.
“Tani e kanë kthyer situatën, kanë mbyllur dyert me çelës. E kanë kthyer në burg, por unë jam në “arrest shtëpie dhe pres të dal para gjykatës për një ngjarje që nuk kam përgjegjësi” – thotë Tonin Nikolli.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.