Arrestime për korrupsion dhe abuzime me tenderat në Universitetin Bujqësor të Tiranës

Prokuroria zbardh skemën e shpërdorimit të fondeve. Me tendera të paracaktuar, oferta të falsifikuara dhe favorizime korruptive u shpenzuan 90 milion lekë.

703
Gjatë një ceremonie të firmosjes së një marrëveshjeje mes biznesit dhe Universitetit Bujqësor
Credits: Universiteti Bujqësor

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vënë në pranga disa zyrtarë të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe persona të tjerë të përfshirë në një skemë të gjerë korrupsioni dhe manipulimi të tenderëve publikë. Të arrestuarit akuzohen për veprat penale të “Shkeljes së barazisë në tendera”, “Korrupsionit pasiv dhe aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.

Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK firmosi të martën më 25 Shkurt 2025 masa sigurie për 24 shtetas duke përfshirë dy zëvendës rektorët e Universitetit Bujqësor të Tiranë, dy pedagogë dhe staf administrativ.

Ndaj Ilir Kapaj, zëvendës rektor për mësimin dhe Romina Koto zëvendës rektore për marrëdhëniet me institucionet dhe publikun dhe shtatë persona të tjerë, është caktuar masa e detyrimit për paraqitje. Kapaj është bashkëshorti i zëvendës ministres së Arsimit Ana Kapaj.

Pesë të dyshuar janë dërguar nën masën e arrestit me burg, ndërsa 10 të tjerë, përfshirë dhe dy pedagogët Dritan Laçi dhe Ilir Kusi, po mbahen nën masën e arrestit në shtëpi.

SPAK thotë se janë hetuar 9 procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022 me një vlerë të prokurimit prej 90.000.000 (nëntëdhjetë milion) Lekë.

“Nga hetimet proaktive me metoda speciale si: përgjimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), vëzhgimet e kryera nga Policia e Shtetit dhe administrimi i dokumentacionit të procedurave të prokurimit, me autoritet kontraktor Universiteti Bujqësor i Tiranës, deri në këtë fazë të hetimit janë hetuar në kuadër të këtij procedimi nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të prokurimit prej 90.000.000 (nëntëdhjetë milion) lekë” – thuhet në njoftimin zyrtar.

Sipas hetimeve të SPAK, kjo skemë korrupsioni ka funksionuar për një kohë të gjatë, përmes manipulimit të prokurimeve publike në UBT. Zyrtarët e universitetit kanë bashkëpunuar ngushtë me operatorët ekonomikë të paracaktuar, duke i favorizuar në tendera dhe duke krijuar kushte të padrejta konkurrimi.

Nga përgjimet telefonike, vëzhgimet e Policisë së Shtetit dhe administrimi i dokumentacionit të tenderëve, është zbuluar se grupi i zyrtarëve ka krijuar një rrjet të strukturuar për të siguruar që kontratat e UBT-së t’u kalonin vetëm disa kompanive të caktuara.

“Gjatë hetimit ka rezultuar se të dhënat e përgatitjes së fondit limit, specifikimet teknike apo termat e referencës dhe hartimi i dokumenteve standarde të tenderit janë kryer nga zyrtarët përgjegjës të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me operatorët ekonomik fitues “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF” – saktëson prokuroria.

Zyrtarët kanë krijuar projekte fiktive me specifikime teknike të përshtatura posaçërisht për operatorët ekonomikë të paracaktuar.

Gjatë hetimit ka rezultuar se kompanitë e shpallura fituese, si “Krijon” sh.p.k., “Zero Group” sh.p.k. dhe “Malvina Visoka PF”, kanë bashkëpunuar ngushtë me drejtuesit e universitetit për të siguruar fondet dhe për të manipuluar procesin e tenderimit.

“Operatorët ekonomik fitues “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF” kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara, në emër të shoqërive tregtare të tjera, të cilat janë përdorur nga autoriteti kontraktor dhe kanë ndikuar në fryrjen e fondit limit, pa bërë asnjë studim tregu” – thuhet në njoftim.

Në disa raste, operatorët ekonomikë kanë paraqitur oferta false në emër të kompanive të tjera, vetëm për të krijuar idenë e një konkurrence fiktive ndërkohë që ka rezultuar se pajisjet dhe materialet për të cilat janë shpallur tenderët, ishin blerë dhe dorëzuar në universitet muaj më parë, përpara se të hapej procedura zyrtare e prokurimit.

Nga hetimet ka rezultuar se vetëm gjatë vitit 2022, janë zhvilluar nëntë procedura prokurimi me një vlerë prej 90 milionë lekësh, të cilat janë abuzuar përmes kësaj skeme korruptive. Kjo skemë jo vetëm ka dëmtuar buxhetin e shtetit, por ka cenuar dhe barazinë e konkurrencës në tendera, duke favorizuar vetëm kompani të lidhura me zyrtarët e UBT-së.

Vendimi i Prokurorisë së Posaçme për të lëshuar 24 masa sigurie ndaj zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës ka shkaktuar reagimin e Kryeministrit Edi Rama, i cili ka vendosur të thërras rektorin e universitetit në një seancë dëgjimore me grupin e tij parlamentar.

Në një deklaratë publike, Kryeministri u shpreh se rektori ka kërkuar të dëgjohet nga shumica qeverisëse për të sqaruar atë që ai e quan “një keqkuptim shumë të madh” të akuzave për korrupsion të ngritura nga spak ndaj zyrtarëve të universitetit.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.